Ndërlidhjet

Shuma e ndihmave sociale mund të rritet


Ilustrim
Ilustrim

Afër 900 persona janë larguar nga lista e skemave sociale dhe lëndët e tyre janë duke u shqyrtuar, për shkak të “mashtrimeve eventuale” të asistencës sociale, thonë zyrtarë në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Muhamet Gjocaj, drejtor i Departamentit të Mirëqenies Sociale që funksionon në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, tregon se në listën e asistencës sociale në muajin janar kanë qenë 27,280 familje, kurse në muajin shkurt kanë qenë 26, 390 familje, që do të thotë 890 familje më pak.

Gjocaj thotë se për çdo muaj mesatarisht 500 familje aplikojnë për asistencë sociale.

“Kur t’i krahasojmë të dhënat në skema me të dhënat e tjera, na del se një familje ka marrë 2-3 ndihma të ndryshme si pensione etj. Me ligjet tona ato përjashtohen, sepse familja nuk ka të drejtë më shumë se një benificion”.

“Në, vazhdimisht, jemi në përcjellje të kësaj, që me këtë bazë të re, t’i eliminojmë të gjitha mundësitë e mashtrimit, sepse jemi të interesuar që vërtet këto milionat që kemi për rastet sociale, të shkojnë në adresë të duhur”, thotë Gjocaj.

Me largimin e disa familjeve nga lista e asistencës sociale, kjo ministri është duke bërë përpjekje që të rrisë shumën mujore për këto kategori, thotë Gjocaj duke mos treguar ndonjë përqindje. Por, sipas tij, me rritjen që do të realizohet brenda këtij viti, pak a shumë do të humanizohet ndihma sociale.

“Unë shpresoj se po, sepse besoj që deri në fund të qershorit me largimet e atyre që nuk është dashur të jenë këtu, me kursimet që mund t’i bëjmë, natyrisht se ne i kemi krijuar vetes një bazë të mirë, që nëse edhe Ministria e Financave na del në ndihmë, për periudhën e dytë të këtij viti, e kemi bërë një plan që të rrisim në një përqindje të caktuar për skemat, por nuk dua të spekuloj me përqindjen”, bën të ditur Gjocaj.

Shuma e mjeteve të asistencës sociale fillon nga 40 deri në 120 euro, varësisht nga numri i anëtarëve të familjes.

Por, sipas të dhënave zyrtare, konsumi për kokë banori është 1,402 euro, që i bie jo më shumë se 116 euro në muaj, ndërsa konsumi për ekonomi familjare është 7,625 euro, që në muaj është 635 euro.

Duke u bazuar në këto të dhëna, kjo kategori e shoqërisë është në gjendje jashtë zakonisht të rëndë sociale, sepse shuma e asistencës sociale nuk mjafton për përmbushjen e nevojave elementare për jetë.

Sociologu Shemsi Reçica, profesor në Universitetin e Prishtinës, thotë se përveç mungesës në aspektin financiar, familjet në nevojë ndihen të anashkaluar dhe humbin shpresën për një perspektivë.

“Në kuptimin social, këta njerëz pothuajse janë të izoluar prej pjesës tjetër të shoqërisë. Dhe, shpirtërisht ata ndihen shumë keq, sepse ata e shohin se iu mungon kujdesi shoqëror dhe problemi tjetër është se ata nuk shohin perspektivë për arsye se ende nuk ka filluar hapja e vendeve të reja të punës, me gjithë premtimet e mëdha të liderëve të partive politike para zgjedhjeve”, vlerëson Reçica.

Sipas të dhënave të Bankës Botërore, varfëria ekstreme, e cila përkufizohet si jetesa me më pak se 2.5 dollarë në ditë, në Kosovë ka arritur në 30 për qind, derisa varfëria e moderuar, e cila nënkupton jetesën me 5 dollarë në ditë, ka arritur në rreth 50 për qind.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG