Ligji
Dispozitat e ligjit në fjalë parashohin dënime prej 5 deri në 15 vjet burgim për këdo që organizon, rekruton, udhëheq apo trajnon personat ose grupe të personave, me qëllim të bashkimit apo pjesëmarrjes në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose parapolicore, në organizimet grupore apo individuale, në çfarëdo forme të konflikteve të armatosura jashtë territorit të Republikës së Kosovës.
Lidhur me këtë, për këdo që në çfarëdo mënyre - të drejtpërdrejtë ose të tërthortë - ofron, kërkon, mbledh ose fsheh fonde apo mjete të tjera, parashihet dënimi me burgim prej 3 deri në 15 vjet.
Edhe thirrja ose nxitja e të tjerëve për kryerjen e veprave penale, qoftë përmes shkrimeve, xhirimeve audiovizuele, duke u përfshirë dhe mos u kufizuar edhe në rrjetet sociale ose në çfarëdo forme tjetër të komunikimit, dënohet me burg prej 6 muajsh deri në 5 vjet.
Ngjashëm dënohet edhe moslajmërimi i përgatitjes së veprës penale, apo veprës penale të kryer, si dhe strehimi i kryerësve të veprës penale dhe ndihma ndaj tyre.
Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin për ndalimin e pjesëmarrjes në konflikte të armatosura jashtë territorit të Kosovës. Për miratimin e këtij Ligji votuan 60 deputetë, 17 ishin kundër kurse 2 deputetë abstenuan.
Ky ligj është futur në rend dite me shumicë votash sipas propozimit të deputetit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, kryetar i Komisionit për Punë të Brendshme.
Por, para se projektligji t'i nënshtrohej procedurës së leximit të dytë, Lëvizja Vetëvendosje doli me disa propozime për plotësimin dhe ndryshimin e këtij ligji.
Deputeti, Rexhep Selimi ka thënë se Vetëvendosje nuk është kundër ligjit, por kundër emrit dhe përmbajtjes së tij.
Ai ka propozuar nëntë amandamente, të cilat nuk kishin kaluar nëpër komisionet parlamentare, kështu që kjo nxiti debate se a duhet të futen në rend të ditës së seancës apo jo.
"Të ndryshohet emri i projektligjit, nga projektligj për ndalimin e bashkimit në konflikte të armatosura jashtë territorit të Republikës së Kosovës, në këtë rast të vendit, të themi, projektligj për ndalimin e bashkimit në konflikte të armatosura ose luftëra të organizuara dhe mbështetura nga organizata apo grupime me aktivitet terrorist", ka thënë Selimi.
Kryetari i Komisionit për Punë të Brendshme, deputeti Daut Haradinaj nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës tha se ligji është i qartë dhe ai ka si qëllim parandalimin e pjesëmarrjes së qytetarëve të Kosovës në luftërat jashtë vendit.
"Përmbajtja e ligjit është parandalimi i njerëzve që t'u bashkohen organizatave të ndryshme, potencialisht terroriste. Mendoj se nuk është ligji më i miri në botë, por në këto rrethana është i domosdoshëm që ta merr besimin e deputetëve", ka thënë Haradinaj.
Ndërkohë, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi ka thënë se amandamentet e Vetëvendosjes e ndryshojnë shumë ligjin e propozuar nga Qeveria e Kosovës.
Ligji ka vetëm pesë nene, përderisa Vetëvendosje kishte propozuar nëntë amandamente.
"Nuk bëhet fjalë këtu për ligjin kundër terrorizmit, por bëhet fjale për ligjin për parandalimin në konflikte të huaja. Unë nuk po e kuptoj pse nuk i kanë dorëzuar proceduralisht këto amandamente. Dhe së fundit, këto amandamente janë goxha shumë dhe ndikojnë goxha shumë në tërësinë e ligjit", ka thënë Gashi.
Shqyrtimi i amandamenteve të Vetëvendosjes u vendos që të procedohet sipas mocionit. Por, në procedurën e votimit, deputetët nuk e mbështetën, kështu që ligji u miratua sipas propozimit të Qeverisë së Kosovës.
Në seancën e 23 janarit të këtij viti, Kuvendi i Kosovës kishte aprovuar në lexim të parë këtë projektligj.
Nxjerrja e këtij Ligji ishte parë si një prioritet për faktin se Kosova është zotuar të përfshihet në luftën globale kundër terrorizmit dhe ekstremizmit fetar.
Ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, ka konfirmuar se ka rreth 300 persona nga Kosova që janë përfshirë deri më tani në luftë në Siri apo edhe në Irak.
Organet e ndjekjes penale në Kosovë kanë konfirmuar se po zhvillojnë hetime nën dyshime për përfshirje në rastet që ndërlidhen me terrorizmin ndaj 135 personave.