Edhe pas pesë vjetësh nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, nuk është zbehur interesimi i qytetarëve për të migruar jashtë vendit, thonë sociologë dhe disa të rinj kosovarë.
Madje, sipas një hulumtimi që ka bërë Shoqata e Sociologëve të Kosovës, thuhet se ky trend është në rritje e sipër.
Kryetari i kësaj shoqate, Fadil Maloku, shprehet se trendi për të migruar në vendet perëndimore, ka qenë aktual që nga përfundimi i luftës së fundit në Kosovë, por me rritjen e shkallës së papunësisë dhe varfërisë, migrimi nuk shihet si dëshirë, por si nevojë për të mbijetuar.
Maloku shpreh shqetësimin se kjo dukuri mund të arrijë përmasa serioze, nëse ekzekutivi i vendit nuk ndërmerr masa në këtë drejtim.
“Sot në Kosovë, kemi kontingjente të reja që hyjnë në tregun e punës dhe që asnjëherë nuk kanë dalë jashtë kufijve të Kosovës. Ky është një trend negativ, që të rinjtë tanë i frustron dhe i bën më interesant dalja jashtë. Pasi krejt Evropa qarkullon lirshëm, kosovarët janë në një ambient të izoluar, në një oazë, ku u pamundësohet të ‘bashkëjetojnë’ me bashkëmoshatarët e tyre evropianë”, vlerëson Maloku.
Një ndër parakushtet për liberalizim të vizave nga Bashkimi Evropian, është parandalimi i migrimit ilegal. Qeveria e Kosovës, është shprehur e gatshme që t’i përmbushë kriteret e përcaktuara nga BE-ja.
Pavarësisht kësaj, disa të rinj kosovarë nuk hezitojnë të tregojnë dëshirën e madhe për migruar në vende të ndryshme të botës. Perspektiva për një jetë më të mirë, është arsyeja që të rinjtë do ta braktisnin Kosovën.
Blerimi, 23-vjeçar, është student dhe njëherësh punon edhe në sektorin privat. Jeta është bërë e vështirë, gjërat e nevojshme për jetë janë shumë të shtrenjta, kështu që sipas tij, pagat në Kosovë nuk mundësojnë një jetë normale.
Për këtë Blerimi është i gatshëm ta ndërpresë kontratën e punës dhe të marrë rrugën për ndonjë shtet tjetër perëndimor.
Do të kisha shkuar në vendet skandinave vetëm për të gjetur një punë dhe të siguroj mirëqenie për familjen time”
“Po, e lëshoj Kosovën, këtu kushtet janë shumë të këqija për jetë normale. Unë punoj privat, nuk respektohet orari i punës, nuk paguhen orët jashtë orarit, madje edhe puna nuk është e sigurt. Do të kisha shkuar në vendet skandinave vetëm për të gjetur një punë dhe të siguroj mirëqenie për familjen time”, thotë Blerimi.
Edhe Jeta Berisha thotë se me dëshirë do të largohej nga Kosova për të jetuar në Angli:
“Në Kosovë nuk ka kushte për jetë. Edhe pas shpalljes së pavarësisë nuk është rregulluar asgjë. Kështu që unë, me dëshirë do të jetoja në Angli”.
Ajo çka mbetet shqetësuese në këtë drejtim, sipas sociologut Fadil Maloku, është se të rinjtë Kosovën po e braktisin në mënyrë të paligjshme me dokumente të falsifikuara.
“Migrimet janë ilegale dhe shfrytëzohen të gjitha mundësitë: blerja e pasaportave, vizave. Kjo është pasojë e situatës socio-ekonomike, frustrimit kolektiv që ekziston te të rinjtë kosovarë, duke marrë parasysh se Kosova është një ndër vendet me moshë mesatare, demografi më të re në gjithë Evropën”, thekson Maloku.
Sidoqoftë, zyrtarë të Qeverisë tashmë sa herë kanë deklaruar se koha e migrimit ilegal ka përfunduar dhe Kosova është në proces të liberalizimit të vizave me Bashkimin Evropian, për lëvizje të lirë në shtetet anëtare të BE-së.
Sipas tyre, migrimi jashtë vendit duhet bërë në forma ligjore, duke përfshirë këtu migrimin për qëllime studimi, punësim sezonal, shkëmbime eksperience, si dhe trajnime të ndryshme.