Ndërlidhjet

Opera dhe Baleti, ende "pa kulm" mbi kokë


Ilustrim
Ilustrim
Kori i Filarmonisë së Kosovës, të enjten mbrëma ka mbajtur koncertin e parë të këtij viti.

Përkundër faktit se koncertin e ka dirigjuar dirigjenti i korit i njohur slloven, Marko Vatovec, koncerti është mbajtur në kishën katolike “Shën Ndou” në Prishtinë, për shkak të pamundësive që Filarmonia e Kosovës kishte për të gjetur dhe siguruar sallë të përshtatshme për kërkesat akustike të këtij koncerti.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, në vitin 2009 kishte nisur projektin për ndërtimin e Shtëpisë së Operës dhe Baletit.

Zyrtarët e kësaj ministrie thonë se nëse edhe më tutje vazhdon dinamika e deritashme e financimit të këtij projekti, Filarmonia e Kosovë dhe Trupa e Baletit të Kosovë, nuk do ta kenë shtëpinë adekuate për shfaqjet e tyre, të paktën edhe 30 vjetët e ardhshme.

Këtë e pohon edhe Shasivar Haxhijaj, këshilltar i lartë i ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi, i cili thekson se që nga fillimi, realizimi i këtij projekti nuk e ka pasur qasjen e duhur.

Vazhdimisht është ndarë një buxhet, diku rreth 1 milion euro brenda vitit, për vazhdimin e punimeve për këtë objekt. Realisht, kur e kemi parasysh koston totale të projektit, që kushton diku rreth 30 milionë euro, i bie që pas 30 vjetësh të përfundohet e gjithë puna në objektin e operës dhe baletit”, shprehet ai.

Haxhijaj ka theksuar se projekti ekzistues për ndërtimin e Shtëpisë së Operës dhe Baletit, sipas një raporti të revidimit, ka mjaft defekte të cilat mund të shpërfaqen në secilën fazë të realizimit të projektit.

Kjo sipas tij, e ka vënë Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit para dilemës nëse ky projekt duhet të vazhdohet me përmirësimet e mundshme, apo të hartohet një projekt tjetër, i cili do të kishte edhe kosto më të ultë për realizim.

Në anë tjetër, drejtuesit e të dyja institucioneve kulturore, të Filarmonisë dhe të Trupës së Baletit, thonë se aktivitetet e tyre janë duke i ushtruar në ambiente aspak të përshtatshme.

Ata potencojnë nevojën urgjente për Shtëpinë e Operës dhe Baletit.

Por, Ahmet Brahimaj, shef i Trupës së Baletit të Kosovës, për Radion Evropa e Lirë thotë se që në fillim, ka qenë e dukshme se projekti për këtë shtëpi, nuk ka qenë serioz.

Normalisht, janë ekspertë që e bëjnë këtë, arkitektët. Por, duhet të konsultohen pak edhe me njerëzit që kanë jetuar 30 apo 40 vjet me teatër. Do të thotë, ajo nuk ka qenë serioze në fillim, dhe vazhdon të mos jetë serioze. E keqja është se ai (projekti) nuk është prioritet i shtetit të Kosovës, dhe nuk ka qenë as kur është vënë gurthemeli. Më tepër ka qenë reklamë televizive se sa që ka qenë ndonjë seriozitet”, thotë Brahimaj.

Ndërkaq, Baki Jashari, drejtor i Filarmonisë së Kosovës, thotë se i ka të njohura vështirësitë për realizimin e projektit për Shtëpinë e Operës dhe Baletit, dhe sipas tij, projekti ka nevojë për revidim.

Me siguri se do të duhej një revidim i këtij projekti, meqë është e paimagjinueshme që të pritet 30 vjet, nëse shkojmë me këtë dinamikë. Andaj, është e domosdoshme që të ndryshojë ky projekt dhe të bëhet më real, pasi që edhe në rastin më të mirë, nëse sot fillon të ndërtohet një objekt me parametra shumë më të pranueshëm, sigurisht që së paku 3 deri në 5 vjet do të nevojiteshin për të ndërtuar një të tillë”, thekson Jashari.

Ndryshe, Haxhijaj thotë se Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, po bën çmos që deri në mesin e muajit prill të gjej një zgjidhje për problemin.

Ne jemi duke u marrë shumë seriozisht për ta gjetur zgjidhjen, cila do të jetë rruga më e mirë, qoftë që projektin ta bëjmë më të zbatueshëm dhe funksional, por në të njëjtën kohë, të tentojmë që edhe koston e ndërtimit të krejt objektit ta zvogëlojmë. Por, të gjejmë edhe forma të financimit, sepse nuk ka asnjë logjikë, në qoftë se ne sot e fillojmë një projekt dhe pas 30 vjetësh përfundohet”, shprehet ai.

Që nga viti 2009, përveç gërmimeve të hapësirës dhe vënies së gurthemelit të Shtëpisë së Operës dhe Baletit, nuk është bërë asnjë punë në terren për realizimin e projektit.
XS
SM
MD
LG