Ndërlidhjet

Tregu kosovar me produkte të dyshimta


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Hulumtimet e bëra kanë rezultuar se mbrojtja e konsumatorit është larg standardeve ndërkombëtare. Organizatat për mbrojtjen e konsumatorit në Kosovë, alarmojnë për prodhime të shumta me origjinë të dyshimtë, të cilat shiten në tregun e Kosovës. Ata kërkojnë marrjen e hapave konkretë për përmirësimin e kësaj gjendjeje.


Mbrojtja e konsumatorit mbetet sfidë për institucionet e Kosovës. Shitja e produkteve me prejardhje të dyshimtë po rrezikon shëndetin e qytetarëve, thotë kryetari i organizatës joqeveritare “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku.

Ai thekson se nevojitet një angazhim më i fuqishëm institucional për mbrojtjen e konsumatorit.

“Nëse ne e dimë që ligjet në Kosovë zbatohen diku mes 30 - 40 për qind, atëherë edhe konsumatori i gëzon po këto të drejta. Por, në konsum ky zbatim prej 30 - 40 për qind, është shumë pak për përmbushjen e standardeve të ushqimit. Dhe, kjo mund të jetë fatale për qytetarin”,
thotë Kaçaniku.

Shitja e produkteve me prejardhje të dyshimtë, sipas hulumtimeve të bëra, vjen edhe si pasojë e mungesës së kontrollit doganor në kufijtë që lidhin Kosovën me Serbinë.

Në këtë kontekst, përfaqësuesit e organizatave për mbrojtjen e konsumatorit thonë se institucionet e Kosovës duhet të ndërmarrin hapa më konkretë.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, në Javën e Konsumatorit ka deklaruar se janë duke u angazhuar maksimalisht për përmirësimin e gjendjes aktuale.

Mimoza Kusari - Lila

“Do të jap mbështetje të plotë të rifunksinalizmit të këshillimit për mbrojtën e konsumatorëve. Unë, po ashtu, do ta mbështes plotësimin e legjislacionit të tashëm. Për laborator testues duhet të bëhet ngritja e infrastrukturës së cilësisë. Shoqatat dhe institutet që merren me mbrojtjen e konsumatorit duhet të përkrahen dhe do të përkrahen nga MTI-ja. Për më shumë, roli dhe rëndësia e konsumatorit do të bëhet pjesë e plan-programeve mësimore në shkollat e Kosovës”, deklaron Kusari-Lila.

Në anën tjetër, gjatë ditëve të fundit në tregun e Kosovës janë larguar nga shitja produkte të dyshimta të Serbisë.

Përfaqësues të biznesit kosovar, të cilët kishin kërkuar moskonsumin e këtyre produkteve të dyshimta, u kanë bërë thirrje qytetarëve që t’i konsumojnë më shumë produktet vendore.

Lidhur me këtë, kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, kërkon nga institucionet favorizim të prodhuesve vendorë.

“Për fat të keq Kosova ende nuk ka politika për favorizim të ekonomisë vendore dhe kjo po krijon pabarazi në treg, e sidomos me ato vende që kanë politika që mbështesin prodhimin vendor, që subvencionojnë dhe eksportojnë. Prandaj, ne kemi probleme të dukshme”,
shprehet Shahini.

Ndryshe, përfaqësues të bizneseve në Kosovë vazhdimisht kanë ndërmarrë iniciativa për promovimin e prodhimeve e vendore.

Lexoni edhe këto:
Kontrabanda dhe siguria e konsumatorëve
Në tregun kosovar mallra me afat të skaduar nga Serbia
XS
SM
MD
LG