Ndërlidhjet

Arsimi kosovar: 500 raste dhune


Foto arkiv
Foto arkiv
Dhuna në mjediset edukativo-arsimore vazhdon të jetë prezente dhe kjo, sipas zyrtarëve në Ministrinë e Arsimit, tashmë është bërë mjaft shqetësuese.

Sipas statistikave zyrtare, vetëm gjatë vitit 2010 janë raportuar 489 raste të dhunës mes nxënësve në objektet shkollore.

Artan Behrami, zyrtar në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, thotë se ky institucion qysh në vitin 2009 ka hartuar një strategji për parandalimin e dhunës në shkolla.

“Ne si ministri jemi shumë të shqetësuar. Ne kemi kërkuar që marrëveshja që e kemi nënshkruar me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Policinë e Kosovës, të implementohet. Ndodh që dhuna raportohet shumë vonë dhe ajo eskalon. Të gjithë duhet të involvohen në mënyrë që të kemi shkolla më të sigurta”, thotë Behrami.

Mësimdhënësit po ashtu pohojnë se dhuna nëpër shkolla është prezente. Shpresa Maliqi, arsimtare, thotë se edhe me prezencën e policisë rreth shkollës, kanë ndodhur përleshje mes nxënësve, duke rezultuar shpeshherë me plagë të rënda.

“Fatkeqësisht mund të them se dhuna është e pranishme në shkolla. Sipas mendimit tim, kjo është edhe një rezultat i një angazhimi jo të mjaftueshëm të trekëndëshit prindër – nxënës – mësimdhënës. Rast konkret është kur dy nxënës të klasave të ndryshme janë therur dhe nxënësi i klasës sime ka marrë plagë në kokë dhe ka përfunduar në spital”, thotë zonja Maliqi.

Artan Behrami pranon se bashkëpunimi me policinë nuk është i kënaqshëm.

“Nuk jemi të kënaqur me implementimin e strategjisë. Aty ku ndodh dhuna, ndonjëherë kemi konstatuar se këto marrëveshje nuk përfillen”, thotë ai.

Organet e rendit thonë se përmes aktiviteteve të ndryshme policore kanë arritur që ky fenomen sadopak të pësojë rënie.

Brahim Sadriu, zëdhënës në Policinë e Kosovës, shpjegon më shumë:

“Policia e Kosovës vazhdimisht është përpjekur që ky fenomen të reduktohet apo edhe të parandalohet përmes aktiviteteve të ndryshme policore, në bashkëpunim me shkollat. Detyrat e policisë, përveç detyrave të përgjithme, vijnë si rezultat i marrëveshjes së mirëkuptimit mes Ministrisë së Arsimit dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme”.

Sadriu thotë se policia nuk hyn në brendi të shkollës, sepse një gjë e tillë, sipas tij, nuk do të ishte e këndshme për nxënësit.
XS
SM
MD
LG