Ndërlidhjet

KQZ pret rekomandimet e QNR-së


Qendra e numërimit në Fushë-Kosovë.
Qendra e numërimit në Fushë-Kosovë.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) pritet t’i marrë rekomandimet nga Qendra e Numërimit dhe e Rezultateve (QNR), ku aktualisht është në përfundim e sipër rinumërimi i votave të rreth 740 vendvotimeve.

Ky rinumërim thuhet se ka ardhur si pasojë e mospërputhjes në mes të formularëve dhe votave në kutitë e votimit.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, i tha Radios Evropa e Lirë se kutitë e vendvotimeve, të cilat janë duke u rinumëruar, janë nga të gjitha komunat e Kosovës.

“Ka kuti nga të gjitha qendrat e votimit në Kosovë, të cilat po rinumërohen. Ka nga Prishtina, Prizreni, Peja, Gjakova, Mitrovica etj”, tha ajo.

Sipas Dakës, në bazë të raportit të QNR-së, mund të ketë edhe anulime të vendvotimeve ose votave, nëse evidentohen parregullsi të mëdha.

“Varet nga rekomandimi që na jep Qendra e Numërimit dhe e Rezultateve, nga ajo se sa ka qenë i madh defekti dhe a ka mundësi të përmirësohet ose jo... Nëse jo, ata na japim rekomandimet dhe KQZ-ja vendos. Mund të ketë edhe anulim”, tha Daka.

Blerim Burjani, anëtar i KQZ-së, tha se bazuar në raportet e marra nga QNR-ja, vërehen parregullsi të shumta.

“Deri më tash, kemi marrë vetëm dy raporte nga QNR-ja, që i referohen procesit të rinumërimit. Këto raporte flasin qartë se ka mospërputhje të mëdha dhe se ka çështje që duhet të verifikohen shumë mirë”, tha ai.

Pothuajse të gjitha partitë politike kanë shprehur dyshime se nëpër komisionet komunale ka pasur keqpërdorime, ku thuhet se votat e njërit kandidat i janë shënuar kandidatit tjetër.

Burjani, i cili është anëtar i KQZ-së nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, tha se rinumërimi i votave nuk do të ndalet derisa të mos ndodhë vërtetësia e plotë e votave të qytetarëve.

“Po qe se shohim se ka mospërputhje të madha, ose mashtrime, dështime gjatë procesit të numërimit, që i kanë bërë këshillat e vendvotimeve, atëherë ato mund të na shtyjnë të ecim përpara me rinumërim".

"Nuk dihet se deri në cilin nivel mund të shkojë rinumërimi, por ne nuk do të hezitojmë të ndjekim rrugën e drejtë për ta sjellë në vend drejtësinë dhe për ta respektuar votën e qytetarit”
, u shpreh ai.

Rinumërimin e votave të 740 vendvotimeve e ka kundërshtuar edhe Lëvizja Vetëvendosje, duke kërkuar rinumërim të tërësishëm.

Por, KQZ-ja të shtunën ka hedhur poshtë kërkesën e kësaj lëvizjeje dhe të disa partive të tjera politike për t’i rinumëruar të gjitha votat e zgjedhjeve parlamentare të 12 dhjetorit.

Lëvizja Vetëvendosje e ka kritikuar KQZ-në, duke thënë se “në vend se të iniciohet një hetim mbi votimin e shumëfishtë dhe mbushjen e kutive me vota të parapërgatitura, KQZ-ja po e legjitimon krimin, duke e bërë rinumërimin e pjesshëm të kutive, shumë prej të cilave kanë qenë të hapura dhe janë mbushur edhe me fletëvotime jolegjitime gjatë bartjes”.

Lexoni edhe këto:
Manipuluesit me vota, mund të dënohen
Ekspertët: Votimet e shpeshta - demotivuese

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG