Ndërlidhjet

Pensionistët humbin durimin


Pensionistët kosovarë, ka një dekadë që përballen me kushte të vështira socio-ekonomike. Por, siç duket, tashmë kanë filluar ta humbasin durimin. Përfaqësues të tyre kërkojnë nga autoritetet kompetente që t’i rrisin pensionet, në të kundërtën, në muajin maj, ata do të organizojnë protestë. Në anën tjetër, zyrtarë qeveritarë pohojnë se janë duke i rishikuar mundësitë për rritje të pensioneve.



Pensionistët kosovarë duket se kanë filluar ta humbasin durimin. Përfaqësuesit e tyre thonë se, nëse nuk miratohet Ligji për sigurimin pensional invalidor dhe nuk rriten pensionet, pakënaqësitë e tyre do t’i shprehin në forma, siç i quajnë ata, radikale.

Ramë Alihajdaraj, kryetar i Shoqatës së Pensionistëve të Kosovës, thotë se gjendja e pensionistëve, gjithnjë e më shumë, po keqësohet. Sipas tij, kjo kategori e shoqërisë ka nevojë për trajtim më të mirë nga ana e institucioneve kosovare.

“Pensionistët konsiderojnë dhe është e vërtetë se janë lënë pas dore. Në një mënyrë po injorohen, po përbuzen... Po e marrim këtë ndihmë, ta quajmë pension, por me këtë nuk mund të plotësohen as nevojat minimale, sepse në këtë kohë, dita-ditës, po shtrenjtohen artikujt ushqimorë, shërbimet komunale...”, thotë Alihajdaraj.

Sipas Ligjit për pensione, pensionistët kontribut-dhënës marrin nga 80 euro në muaj, ndërsa ata që kanë mbushur 65 vjet, marrin nga 45 euro në muaj.

Ramë Alihajdaraj kërkon nga autoritetet kompetente që ta rrisin shumën e pensioneve. Në të kundërtën, thotë ai, në muajin e ardhshëm, pensionistët do të organizojnë protestë.

“Me buxhetin e konsoliduar për vitin 2010, nuk është paraparë asnjë cent për rritjen e pensioneve, ndërsa kategorive të tjera pagat u janë rritur deri në 60 për qind. Pensionistët janë shumë të revoltuar, saqë po kërkojnë me këmbëngulje për të dalë në protesta dhe do të dalin në protesta nëse Qeveria nuk merr masa”, thekson Alihajdaraj.

Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës është duke shikuar mundësitë që pensionistëve t’ua rrisë pensionet, duke filluar nga gjysma e dytë e vitit 2010.

Zëdhënësi Memli Krasniqi thotë se zyrtarët qeveritarë tashmë kanë realizuar disa takime me përfaqësues të pensionistëve, për të gjetur mënyrën më të mirë për ta adresuar këtë çështje.

“Deri më tani, ne nuk mund të themi se sa do të jetë kjo rritje, por do të përpiqemi, si qeveri, brenda mundësive ekzistuese buxhetore, ta gjejmë mundësinë për ta rritur pensionin e secilit pensionist në Kosovë”, thotë Krasniqi.

Ndryshe, udhëheqës të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale kanë thënë se me rishikimin e buxhetit, që pritet të ndodhë në muajin qershor, do të diskutohet edhe rritja e pensioneve deri në 20 për qind. Megjithatë, kjo përqindje, sipas tyre, mbetet çështje e diskutueshme deri në momentin e rishikimit të buxhetit.

Nëse një gjë e tillë ndodh, pensionistët kontribut-dhënës do të marrin nga 100 euro, ndërsa personave që kanë mbushur mbi 65 vjet, pensioni do t’u rritet nga 45 në 65 euro në muaj.
XS
SM
MD
LG