Përfaqësues të bizneseve kosovare dhe aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje kërkuan nga Qeveria e Kosovës që të ndërhyjë në ekonomi, duke e ndihmuar prodhimin dhe duke u krijuar prodhuesve vendorë hapësirën e tregut të Kosovës, pasi që, siç thanë ata, vetëm konsumimi i prodhimeve vendore mund t’i garantojë Kosovës një zhvillim ekonomik në të ardhmen, si dhe zbutje të papunësisë.
Pronari i Fabrikës së ujit “Kika”, Abdullah Bajra, tha se Qeveria e Kosovës, deri më tani, nuk ka krijuar kushte të mira për prodhuesit vendorë. Sipas tij, bizneset që merren me importimin e mallrave, kanë ambient më të favorshëm për zhvillimin e veprimtarisë së tyre, sesa prodhuesit vendorë.
“Qeveria e Kosovës nuk është e interesuar as për infrastrukturë dhe as për gjëra të tjera. Qeveria jonë, deri më tani, është pritur që të ketë dy TVSH (tatimi mbi vlerën e shtuar): TVSH-ja 5 deri në 7 për qind dhe TVSH-ja tjetër, e cila do të ishte për produkte të tjera. Kjo nuk po zbatohet në vendin tonë”, u shpreh Bajra.
Këto vështirësi, sipas aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Imeri, shkaktohen nga vendimet politiko-ekonomike, të cilat rezultojnë në veprime, mirëpo shpesh edhe në mosveprime të institucioneve të Kosovës, e që, siç tha ai, kanë ndikim negativ në prodhimin vendor dhe ekonominë vendore në përgjithësi.
“Qasja ekonomike e institucioneve të Kosovës ka qenë zhvillimi i tregut, ndërkohë që janë lënë anash prodhimi, industria dhe bujqësia. Kufijtë e Kosovës i janë hapur çdo prodhimi nga jashtë, në veçanti prodhimeve të Serbisë”.
“Qeveritë e Kosovës, pa dallim, i kanë konsideruar mallrat e Serbisë si qarkullim i brendshëm dhe ato kanë qenë të liruara nga taksat doganore, gjë që i ka bërë ato mallra të jenë shumë më konkurrente në tregun e Kosovës”, tha Imeri.
Kosova vazhdon të jetë e varur nga importi i produkteve të huaja. Mbi 90 për qind e mallrave të huaja importohen në Kosovë, ndërsa vetëm deri në 8 për qind e produkteve kosovare mund të kalojnë në tregjet e rajonit apo të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Shkaktarë të kësaj gjendjeje, sipas prodhuesve vendorë, janë institucionet e Kosovës.
Pronari i “Herba Farm”-it, Hynsi Gllagjiu, u shpreh:
“Ajo çka më së shumti e pengon prodhuesin vendor, është moszbatimi i ligjit - ligje këto të miratuara nga vetë institucionet. Po ashtu, nuk ka bashkëpunim mes institucioneve dhe prodhuesve vendorë. Ligji në fuqi më shumë stimulon prodhimin e shteteve fqinje”.
Ndërkaq, Ilir Piraj bashkëpronari i fabrikës së mishit “Meka”, tha se problem kyç në zhvillimin e biznesit të tyre, është mungesa e energjisë elektrike.
“Kemi teknologji dhe makineri shumë të përsosur, që nuk mund të aktivizohen për shkak të tensionit të ulët, i cili e bën të pamundur që makina të fillojë punën. Makinat janë moderne dhe punojnë 200 deri në 300 volt”, tha Piraj.
Pjesëmarrësit në këtë tryezë kërkuan nga institucionet e Kosovës që të stimulohen prodhuesit, në mënyrë që këta të fundit të rrisin prodhimin, shitjen, kapacitetin dhe cilësinë.