Ndërlidhjet

Dilemat rreth vaksinimit


Me gjithë paralajmërimet për nisjen e vaksinimit të personelit mjekësor kundër virusit A/H1N1, kjo nuk ka ndodhur. Sipas drejtuesve të spitalit, mjekët e QKUK-së, nuk kanë shprehur gatishmëri për t’u vaksinuar.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë ka nisur procesin e shpërndarjes së vaksinave kundër virusit A/H1N1.

Ky institucion gjatë ditës ka furnizuar me vaksina spitalin e infektives dhe disa Qendra të Mjekësisë Familjare.

Zëvendësdrejtorja e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Selvete Krasniqi, ka thënë se përveç QKUK-së, vaksinat do të shpërndahen edhe në qendra të tjera shëndetësore në vend.

“Instituti në fakt ka bërë shpërndarjen e dozave të para, të cilat i ka dërguar në spitalin e infektivës, domethënë në QKUK, ku, punëtorët e infektives dhe të emergjencës duhet të marrin vaksinën si grup i rriskut”,
ka thënë Krasniqi.

Mirëpo, edhe pse qendra spitalore infektive tashmë është furnizuar me këtë medikament, drejtori i spitalit, Shemsedin Dreshaj, ka thënë se asnjë nga mjekët dhe personeli i QKUK-së, nuk ka shprehur interesim për t’u vaksinuar.

“Deri më tash asnjë nga personeli mjekësor që ëshët dashur të vaksinohet, nuk është paraqitur. Pse, atë unë nuk e di! Vaksina merret në bazë vullnetare, kush do, vaksinohet, e kush nuk do, nuk është e imponuar
”, ka shpjeguar Dreshaj.

Nga ana tjetër, Faik Hoti, drejtor i zyrës për marrëdhënie me publikun, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se pavarësisht faktit që vaksinimi ishte paralajmëruar që do të niste të hënën, kjo nuk është bërë.

Sipas Hotit, vaksinimi do të nisë të martën.

Ekspertët për çështje të shëndetësisë kanë thënë se vaksina kundër virusit A/H1N1 nuk ka ndonjë efekt negativ që do të mund të shkaktonte te njerëzit.

Epidemiologu Isuf Dedushja ka pohuar se vaksina nuk mund të ndikojë keq në shëndetin e njeriut. Sipas tij, personat që janë alergjikë në antibiotikë dhe në disa ushqime, nuk duhet të vaksinohen.

“Këto vaksina jepen në bazë të rekomandimeve të OBSH-së dhe janë të kontrolluara prej Agjencisë Evropiane për kontroll të preparateve imunologjike”.

“Por, janë disa alergji në ve, disa alergji në antibiotikë; nëse ka dikush alergji në cilindo antibiotik, ose në vezë, nuk preferohet ta marrë”,
ka theksuar Dedushaj.

Mirëpo, zyrtarë nga Ministria e Shëndetësisë kanë thënë se varet nga vullneti i vetë qytetarëve të vendit të vendosin për marrjen, ose jo, të vaksinës kundër virusit A/H1N1.

Derisa Ministria e Shëndetësisë vazhdon përpjekjet për të siguruar vaksina të mjaftueshme për parandalimin e përhapjes së virusit A/H1N1, disa nga qytetarët kanë shprehur rezerva dhe dyshime për t’u vaksinuar.

Adnan Preniqi, qytetar nga Prishtina, ka thënë se edhe po ta kishte vaksinën, nuk do ta merrte

“Duke marrë parasysh që disa shtete e kanë refuzuar vaksinën, unë kam informata që Britania e Madhe, tashmë e ka refuzuar vaksinën, atëherë te ne nuk u bëhen analiza atyre dhe merren ashtu për ashtu, për këtë unë për vete nuk e marr”,
është shprehur Preniqi.

Ngjashëm ëshët shprehur edhe Flutura Sheholli.

“Jo, se po dëgjoj që, njerëzit më shumë po vdesin nga vaksinat, se pa vaksina. Pra, mendoj se njerëzit janë shumë më të rrezikuar nga vaksina”,
ka pohuar Sheholli.

Ndërsa Bajram Badivuku, edhe pse skeptik, ka thënë se do të vaksinohet.

“Është shpejt të vaksinohemi, sepse kam dëgjuar shumë lajme jo të mira, të cilat nuk të japin siguri. Edhe ky virus ka pësuar mutacion. Janë disa dilema, por nëse është radha e gjatë edhe unë hyj në atë radhë”,
është shprehur Badivuku.

Organizata Botërore e Shëndetësisë po nxit vendet të marrin masa parandaluese, duke nënvizuar rëndësinë e higjienës publike dhe krijimit të depozitave me antiviralin Tamiflu.

Deri më tash në Kosovë janë infektuar rreth 80 persona, kurse kanë vdekur tre, si pasojë e infektimit me virusin A/H1N1.
XS
SM
MD
LG