Vëllezërit Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyçi janë vrarë në Petrovo Sellë më 9 korrik të vitit 1999. Po në këtë vend, më 2001, trupat e tyre janë gjetur në njërën nga dy varrezat masive.
Vëllezërit Bytyçi kanë qenë shtetas amerikanë, me origjinë shqiptare dhe pjesëtarë të “Brigadës Atlantiku”, e cila ka funksionuar në kuadër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ata janë arrestuar nga fundi i muajit qershor 1999, për shkak të, siç thuhej, kalimit të paligjshëm të kufirit me Serbinë, për çka edhe një gjykatë në Prokuple i pati dënuar me 15 ditë burgim. Por, vetëm katër ditë para përfundimit të dënimit, ata janë marrë nga burgu, janë dërguar në Petrovo Sellë dhe janë vrarë.
Duke arsyetuar vendimin për lirimin e Popoviqit dhe Stojanoviqit, kryesuesi i panelit, Vesko Kërstajiq, ka thënë se nuk janë argumentuar të gjitha dëshmitë.
Vendimi është kundërshtuar nga aktivistja e të drejtave të njeriut, njëherësh drejtoreshë e Fondit për të Drejtën Humanitare, Natasha Kandiq.
“Këta të dy kanë marrë pjesë. Ata e dinë me detaje ku janë vrarë vëllezërit, por askush para gjykatës nuk mund t’i detyrojë që të tregojnë. Ata sigurisht që janë pjesëmarrës në dërgimin dhe fshehjen e trupave dhe nuk janë të dyshuarit kryesorë. Por edhe ky vendim që të lirohet cilido që ka ditur dhe që ka qenë atje kur janë kryer vrasjet është në kundërshtim me arsyen e shëndoshë. Kjo tregon se kemi grupe brenda institucioneve që janë të gatshme të bllokojnë rrjedhën e çdo informate, që mund të japë pasqyrën e vërtetë të Beretave të Kuqe”, tha Natasha Kandiq.
Gjykimi kundër ish-policëve Popoviq dhe Stojanoviq ka filluar më 13 nëntor të vitit 2006 dhe kohën më të madhe të këtij procesi ata e kanë kaluar duke u mbrojtur në liri.
Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar drejtësi të shpejtë për vrasjen e vëllezërve Bytyçi dhe patën shprehur frustrim për procedurën e ngadalshme gjyqësore.
Prokuroria për krime lufte në Beograd paralajmëroi se do ta apelojë në Gjyqin Suprem vendimin e sotëm të gjykatës për lirimin e Popoviqit dhe Stojanoviqit.