Ndërlidhjet

Nënshkruhet protokolli EULEX-Serbi


Me gjithë kundërshtimet e Prishtinës, misioni i Bashkimit Evropian për rend dhe ligj në Kosovë ka nënshkruar protokollin e bashkëpunimit policor me Serbinë. Menjëherë kanë reaguar presidenti dhe kryeministri i Kosovës, të cilët përmes një deklarate me shkrim ritheksojnë se Kosova nuk është pjesë e kësaj marrëveshje.


EULEX-i dhe Qeveria e Serbisë kanë nënshkruar protokollin e shumëpërfolur për bashkëpunim policor. Menjëherë pas, kanë reaguar presidenti dhe kryeministri i Kosovës duke ritheksuar pozicionin e Prishtinës zyrtare se Republika e Kosovës nuk është palë në aranzhimet teknike midis EULEX-it dhe Ministrisë së Brendshme të Republikës së Serbisë për bashkëpunim në fushën e policisë.

Sidoqoftë, me gjithë kundërshtimin e Prishtinës, nënshkrimi i marrëveshjes teknike midis EULEX-it dhe Serbisë është konfirmuar nga zëdhënësi i misionit të BE-së, Kristof Lamfalusi.

“Po, e kemi nënshkruar këtë marrëveshje, këtë protokoll. Marrëveshja është nënshkruar në nivel teknik, siç kemi thënë edhe më herët, përkatësisht nga ana e kreut të komponentës së policisë së EULEX-it, Rainer Kuehn”,
tha Lamfalusi.

Ai nuk ka dashur të bëjë komente tjera në lidhje me kundërshtimet e Prishtinës.

Menjëherë pas nënshkrimit, presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi, përmes një deklarate të përbashkët konfirmojnë se Prishtina nuk është e përfshirë në këtë marrëveshje.

Në deklaratë thuhet se ftesa e Republikës së Kosovës për vendosjen e misionit evropian për rend dhe ligj, kishte për qëllim ndihmën që ky mision duhet të japë për institucionet e Kosovës në këto dy fusha.

“Me këtë rast ritheksojmë përkushtimin e palëkundur të institucioneve dhe të popullit të Republikës së Kosovës për bashkëpunim të ngushtë me praninë evropiane në Kosovë dhe me institucionet e Bashkimit Evropian në drejtim të konsolidimit të mëtejmë të shtetësisë dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës, e në veçanti për të forcuar perspektivën evropiane të Republikës së Kosovës”,
thuhet në deklaratën e liderëve kosovarë.

Institucionet e Kosovës, vijon deklarata, në asnjë mënyrë nuk do ta zbehin përkushtimin e Kosovës për të luftuar krimin e organizuar dhe në këtë kuadër të gjitha format e krimit tejkufitar.

“Theksojmë, po ashtu, se aranzhime të tilla nuk kanë dhe nuk mund të kenë asnjë ndikim në pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës”,
thonë Sejdiu e Thaçi përmes kësaj deklarate.

Përderisa kundërshtimet e Prishtinës ndaj këtij protokolli tashmë janë shprehur hapur, EULEX-i konfirmon angazhimet edhe për dy marrëveshje tjera me Serbinë

“Është shumë herët të flitet për drafte që janë ende në diskutim e sipër dhe se ende nuk jemi në atë fazë kur mund ta konfirmojmë nënshkrimin e këtyre dy protokolleve tjera në fushat e doganave dhe gjyqësisë”,
tha Lamfalusi.

Marrëveshjet e EULEX-it dhe Serbisë janë përkrahur nga Bashkimi Evropian dhe vendet e Kuintit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG