Pretendimet e Beogradit për të mbajtur zgjedhje lokale në territorin e Kosovës nuk do të prodhojnë kurrfarë efektesh dhe do të jenë jolegjitime, ka thënë sot kryeministri Hashim Thaçi.
Ai tha se Kosova angazhohet për marrëdhënie të mira me të gjitha vendet fqinje, përfshirë edhe Serbinë, ndërkaq tendencat serbe për zgjedhje lokale në Kosovë, sipas kryeministrit kosovar, nuk do t’i shtyjnë institucionet e Kosovës që të bien në provokime.
Ai tha se Kosova do të reagojë me gjakftohtësi ndaj pretendimeve serbe për organizimin e zgjedhjeve komunale më 11 maj.
“Qëndrimi ynë vazhdon të jetë ai i mëhershmi. Ai pretendim është ilegal dhe ato zgjedhje do të jenë jolegjitime dhe të panjohura nga askush”, tha Thaçi.
“Edhe këtë pretendim provokues të Serbisë për zgjedhje lokale në Kosovë, ne do ta kalojmë me gjakftohtësinë dhe vendosmërinë më të lartë si institucione shtetërore dhe si qytetarë”, u shpreh ai.
Ndërsa e ka vlerësuar të suksesshme periudhën e pas shpalljes së pavarësisë, kryeministri Hashim Thaçi tha se qeveria dhe institucionet e Kosovës do të vihen në një fushatë lobimi për një njohje më të madhe të Kosovës nga vendet e ndryshme botërore.
Fushata në mbështetje të njohjes së pavarësisë së Kosovës, theksoi Thaçi, do të zhvillohet nga institucionet vendore.
Kryeministri dhe qeveria kanë aprovuar sot edhe një buxhet prej 1 milion eurosh për fillimin e konsolidimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme.
Kjo ministri pritet që të fillojë me punën pas 15 qershorit, me hyrjen në fuqi të Kushtetutës.
Thaçi tha se qeveria do të ndajë buxhetin dhe për ambasadat e para që Kosova do t’i hapë gjatë këtij viti. Pas 15 qershorit, ai parashikoi se njohja e Kosovës do të jetë shumë më masive.
“Ai lobim ka dhënë rezultatet e veta të kënaqshme. Rezultate këto të njohjes së fuqishme dhe rezultate të njohjes në kontinuitet”, tha Thaçi.
“Kjo njohje do të vazhdojë, por do të lëvizë edhe më fuqishëm pas fillimit të implementimit të Kushtetutës së Kosovës, më 15 qershor. Pra, lobimi do të bëhet nga institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës”, theksoi Thaçi.
Kryeministri Hashim Thaçi tha sot po ashtu se institucionet e Kosovës kanë program dhe projekte konkrete si për zhvillimin e Kosovës në këtë fazë, ashtu edhe për të ardhmen e saj.
Sipas Thaçit, Kosova mëton që pas vitit 2015, të jetë përfundimisht edhe pjesë e Bashkimit Evropian dhe e NATO-s.