Ndërlidhjet

Krejt çfarë duhet të dini për zgjedhjet e parakohshme në Francë


Flamuri i Francës i vendosur në ndërtesën e Asamblesë Kombëtare. 10 qershor 2024.
Flamuri i Francës i vendosur në ndërtesën e Asamblesë Kombëtare. 10 qershor 2024.

Reuters

Franca do të mbajë zgjedhje të parakohshme parlamentare më 30 qershor dhe 7 korrik. Sondazhet sugjerojnë se ekstremi i djathtë mund të fitojë.

Në këtë artikull mund të mësoni disa nga faktet kyçe për këto zgjedhje dhe çfarë pritet të ndodhë pas tyre.

Si funksionon votimi?

Franca ka 49 milionë votues të regjistruar. Gjithsej do të mbahen gara në 577 njësi zgjedhore, një për secilën ulëse në Asamblenë Kombëtare, Dhomën e Ulët të Parlamentit.

Kandidatët që shënojnë fitore me shumicë absolute në njësinë e tyre zgjedhore, zgjidhen në rundin e parë. Në rast se kandidatët nuk plotësojnë këtë kriter, atëherë do të mbahet rundi i dytë i zgjedhjeve.

Për t’u kualifikuar për balotazh, kandidatët duhet që në rundin e parë të fitojnë vota nga të paktën 12.5 për qind e votuesve të regjistruar.

Kandidati që fiton më së shumti vota, garon në rundin e dytë.

Kur do të bëhen publike rezultatet?

Votimi përfundon në orën 20:00, kur sondazhet në mbarë vendin publikojnë projeksione bazuar në numërimin e pjesshëm të votave. Zakonisht këto sondazhe janë të besueshme. Rezultatet zyrtare zakonisht nisin të publikohen nga ora 20:00. Numërimi i votave rëndom është i shpejtë dhe efikas dhe fituesit e të gjitha ulëseve, ose pothuajse të gjithë fituesit, do të dihen deri në fund të mbrëmjes.

Kush do të garojë për Qeveri?

Presidenti emëron kryeministrin i cili kryesisht vjen nga partia që fiton më së shumti ulëse në Asamble.

Për herë të parë në historinë e pasluftës të Francës, ekstremi i djathtë mund të fitojë, sipas sondazheve. Ndërkaq, bashkimi i krahut të majtë pritet të jetë grupi i dytë më i madh parlamentar dhe aleanca e centristëve e presidentit Emmanuel Macron, parashihet të jetë në vend të tretë.

Por, këso zgjedhjesh nuk ka pasur në Francë, fushata zgjedhore është e shkurtër, skena politike është tronditur dhe as skenarët e tjerë nuk mund të përjashtohen.

Kjo përfshin edhe Asamblenë e paralizuar, të ndarë në tri grupe, ku asnjëri prej tyre nuk dominon apo të formohet ndonjë aleancë në mesin e partive kryesore në mënyrë që ekstremi i djathtë të mos vijë në pushtet.

Për një shumicë absolute kërkohen të paktën 289 ulëse. Partia Tubimi Kombëtar i Marine Le Pen mund të udhëheqë një Qeveri të pakicës nëse fiton shumicën e votave, pa arritur këtë shifër të ulëseve. Por, lideri i kësaj partie, Jordan Bardella, 28 vjeç, tha se ai dëshiron një shumicë absolute ose në të kundërtën partia që ai udhëheq nuk do të mund të kryejë reformat që do.

Çfarë do të ndodhë më pas?

Në periudhën e pasluftës, Franca ka pasur tri periudha të “bashkëjetesës”, ku Qeveria ka qenë nga një linjë tjetër politike për dallim nga presidenti. Qeveria ka më shumë pushtet në frontin e brendshëm, por presidenti është kreu i ushtrisë dhe ka ndikim jashtë vendit. Megjithatë, ndarja e pushtetit në politikën e jashtme nuk është diçka e qartë dhe kjo mund të paraqesë problem në qëndrimin e Francës për luftën në Ukrainë apo për politikën në Bashkimin Evropian.

Macron do të ketë një Parlament të ri për të paktën një vit, periudhë pas së cilës ai mund të shpallë zgjedhje të reja të parakohshme.

Macron fitoi mandatin e dytë në prill të vitit 2022 dhe do të jetë president edhe për tre vjet. As Parlamenti, e as Qeveria nuk mund ta detyrojnë atë që të largohet nga posti para kësaj periudhe.

Përgatiti: Mimoza Sadiku
XS
SM
MD
LG