Ndërlidhjet

Von der Leyen anashkalon Serbinë dhe Bosnjën në turneun e saj në Ballkan

E përditësuar
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, do t’i anashkalojë Serbinë dhe Bosnje e Hercegovinën gjatë turneut të saj në Ballkan, njoftoi të premten Komisioni Evropian (KE).

“Gjatë turneut, presidentja von der Leyen do t'i vizitojë Tiranën, Prishtinën, Podgoricën dhe Shkupin. Atje do të takohet me presidentët dhe kryeministrat, si dhe do të vizitojë projekte të financuara nga Bashkimi Evropian”, tha zëdhënësja e KE-së, Arianna Podesta.

Vizita në katër vendet e rajonit është paraparë të zhvillohet nga 30 shtatori deri më 2 tetor.

Radio Evropa e Lirë kishte raportuar më herët për mundësinë që von der Leyen, nëse nuk do ta vizitonte Serbinë, të mos shkonte as në Bosnje e Hercegovinë.

Edhe pse publikisht fushata parazgjedhore përmendet si arsye për anashkalimin e Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës, burime jozyrtare brenda Komisionit Evropian konfirmuan për Radion Evropa e Lirë se madhërimi i Ratko Mlladiqit pati ndikim të rëndësishëm në vendimin e presidentes së KE-së për të mos e vizituar Serbinë.

Të njëjtat burime theksojnë se tashmë ekziston një precedent për vizitat në vende gjatë fushatave parazgjedhore. Për shembull, në tetorin e vitit të kaluar, presidentja e KE-së vizitoi të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, edhe pse në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut në atë kohë po zhvilloheshin fushata parazgjedhore.

I vetmi ndryshim krahasuar me vizitat e tjera ishte se në Shkup dhe Prishtinë ajo zhvilloi takime me zyrtarë, por nuk mbajti konferenca për media.

Von der Leyen prej vitesh ka pasur një raport të ngrohtë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të cilit shpesh i është drejtuar me fjalët “i dashur Aleksandar”.

Kjo qasje është kritikuar nga ekspertë që merren me Ballkanin Perëndimor.

Më herët ishte thënë se von der Leyen nuk do ta vizitonte Serbinë gjatë turneut ballkanik për shkak të tensioneve politike dhe shoqërore në vend, ndërsa varrimi i Ratko Mlladiqit, i dënuar për krime lufte dhe gjenocid, kishte nxitur reagime të ashpra në Bashkimin Evropian.

Edhe disa deputetë të Parlamentit Evropian i kishin bërë thirrje von der Leyenit që të mos udhëtonte në Beograd.

Në prag të zgjedhjeve parlamentare dhe të përgjithshme në Serbi dhe Bosnje e Hercegovinë, von der Leyen planifikon t’i vizitojë këto dy vende më vonë, tha Podesta.

Ky do të jetë turneu i gjashtë i von der Leyenit në rajon, një vizitë që tashmë është bërë traditë para publikimit të paketës vjetore të raporteve të progresit për vendet kandidate për anëtarësim në BE.

“Siç tha presidentja në samitin e qershorit, Bashkimi ynë nuk do të jetë i plotë pa Ballkanin Perëndimor. Gjatë bisedimeve me partnerët, ajo do të diskutojë për hapat e nevojshëm në rrugën e këtyre vendeve drejt Bashkimit Evropian, si dhe për procesin e integrimit gradual, të mbështetur nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor”, tha zëdhënësja Podesta.

Ky material është pjesë e rubrikave
XS
SM
MD
LG