Ndërlidhjet

Në veri shfaqen mesazhe dedikuar Vuçiqit


"Komandat suprem, po të presim", shkruan në posterin e vendosur në Mitrovicë të Veriut. 30 qershor 2024.
"Komandat suprem, po të presim", shkruan në posterin e vendosur në Mitrovicë të Veriut. 30 qershor 2024.

Në veri të Kosovës janë shfaqur posterë me fotografinë e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, shoqëruar me mesazhin “komandant suprem, po të presim”.

Posterët e tillë janë hasur në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.

Poster i vendosur në Zveçan. 30 qershor 2024.
Poster i vendosur në Zveçan. 30 qershor 2024.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se autoritetet kanë hapur rast për "nxitje të urrejtjes".

“Në disa lokacione në katër komunat në veri të vendit janë shpërndarë pamflete me fotografinë e kryetarit të Serbisë. Pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit është hapur rasti për nxitje të urrejtjes”, tha Elshani.

Aktualisht, sipas Elshanit, nuk ka persona të dyshuar për vendosjen e këtyre posterëve, por "policia po punon në drejtim të ndriçimit të rastit".

Ndërkaq, sa i përket situatës së sigurisë në veri, Elshani tha se është e mirë.

Radio Evropa e Lirë ka parë disa zyrtarët policorë në Mitrovicë të Veriut duke larguar këta posterë.

Zyrtarët policorë duke larguar posterët e vendosur në Mitrovicë të Veriut.
Zyrtarët policorë duke larguar posterët e vendosur në Mitrovicë të Veriut.

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, reagoi lidhur me vendosjen e posterëve në veriun e Kosovës, dedikuar presidentit Vuçiq. Ai tha se nëse lideri serb futet në Kosovë, pa marrë leje nga institucionet e vendit, do të burgoset.

“Nëse është nisur pa kërkesë te Ministria jonë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, edhe ne po e presim të vijë dhe mandej mund ta vizitoni në burg, ku ai i ka tashmë disa miq të tij”, shkroi Sveçla në Facebook.

Shfaqja e këtyre posterëve në veri ndodh në kohën kur tensionet mes Kosovës dhe Serbisë vazhdojnë të jenë të larta që nga maji i vitit të kaluar, kur kryetarët e rinj shqiptarë në katër komunat në veri, nisën mandatin.

Tensionet u rritën edhe më shumë në shtator, kur një grup i serbëve të armatosur sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, duke vrarë një rreshter.

Përgjegjësinë për sulmin e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit.

Prishtina ka kërkuar nga Beogradi që t’ia dorëzojë Radoiçiqin dhe grupin e tij autoriteteve gjyqësore të Kosovës. Këtë kërkesë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e bëri edhe gjatë rundit të fundit të dialogut – që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian – më 26 qershor. BE-ja tha se kjo ishte një prej tri kushteve që Kosova ka vendosur për angazhimin e saj në procesin e normalizimit të raporteve me Serbinë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja origjinale e Radios Evropa e Lirë.

XS
SM
MD
LG