Ndërlidhjet

Ukraina mohon të ketë rol në sulmin vdekjeprurës pranë Moskës


Mykhailo Podolyak
Mykhailo Podolyak

Një këshilltar i lartë i presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se Kievi nuk është i përfshirë në sulmin vdekjeprurës në një sallë koncertesh në zonën e Moskës.

Së paku 40 persona u vranë dhe më shumë se 100 u plagosën, pasi persona të armatosur qëlluan pjesëmarrësit në koncertin e një grupi muzikor rus në sallën Crocus City, të premtën mbrëma.

Këshilltari i Zelenskyt, Mykhaylo Podolyak, tha se Ukraina - e cila tash e dy vjet lufton kundër pushtimit rus - “nuk ka përdorur kurrë metoda terroriste”.

“Ukraina sigurisht që nuk ka asnjë lidhje me të shtënat/shpërthimet në sallën Crocus City (Rajoni i Moskës, Rusi)”, shkroi Podolyak në platformën X.

Forcat ukrainase mendohet se kanë kryer disa sulme kundër infrastrukturës ushtarake brenda territorit rus, gjatë rrjedhës së luftës, por në përgjithësi e shmangin pranimin e përgjegjësisë.

Drejtoria e Inteligjencës e Ministrisë së Mbrojtjes së Ukrainës pretendoi pa ofruar asnjë provë se vetë shërbimet speciale ruse e orkestruan sulmin si "provokim të qëllimshëm të regjimit të [presidentit rus, Vladimir] Putin" - për ç’gjë paralajmëruan qeveritë e huaja.

Ajo pretendoi se qëllimi ishte “përshkallëzimi i mëtejshëm dhe zgjerimi i luftës”.

Më 7 mars, Ambasada e SHBA-së në Moskë lëshoi një alarm sigurie, pasi, siç tha, mori raporte se “ekstremistët kanë plane për të sulmuar tubime të mëdha në Moskë, përfshirë koncerte”.

Në atë kohë, qytetarët amerikanë u këshilluan “t'i shmangin grumbullimet e mëdha gjatë 48 orëve të ardhshme”.

XS
SM
MD
LG