Ndërlidhjet

Roli dhe përgjegjësia e burrave në luftimin e dhunës ndaj grave


Gra dhe burra duke protestuar në Prishtinë kundër vrasjeve të grave, 15 prill 2024. (Foto: Radio Evropa e Lirë)
Gra dhe burra duke protestuar në Prishtinë kundër vrasjeve të grave, 15 prill 2024. (Foto: Radio Evropa e Lirë)

Përshëndetje! Në 3 minuta është një newsletter i Radios Evropa e Lirë, ku përpiqemi që zhvillimet më të rëndësishme t'jua zbërthejmë dhe t’jua sjellim sa më thjesht, shkurt e shqip.

Vrasja e dy grave në Kosovë brenda pak ditësh, krahas shqetësimeve për sigurinë e vajzave dhe grave, e ka ngritur edhe një dilemë: Si mund ta luftojnë edhe burrat këtë problem që rëndon mbi tërë shoqërinë?

Të enjteve, Radio Evropa e Lirë ju sjell një material të kompletuar për një prej temave më të përfolura të javës, dhe ju njofton se çfarë ia vlen të dini për të.

Për ta pranuar të parët në emailin tuaj, para publikimit në ueb-faqen e REL-it, regjistrohuni falas!


Djemtë dhe burrat kanë përgjegjësi për ta luftuar dhunën me bazë gjinore kundër vajzave dhe grave, dhe ata duhet të vetëdijesohen se janë pjesë e zgjidhjes, ashtu siç janë pjesë e problemit – kështu thuhet në një raport të Komitetit për Barazi dhe Jodiskriminim të Këshillit të Evropës.

Raporti thekson, mes tjerash, rëndësinë e ngritjes së zërit nga burrat për trajtimin e këtij problemi që rëndon mbi tërë shoqërinë e një vendi.

Brenda pak ditësh – më 12 dhe më 16 prill – në Kosovë u vranë dy gra. Për njërin rast është arrestuar ish-bashkëshorti i viktimës, për tjetrin bashkëshorti.

Nga viti 2010 deri në prill të vitit 2024, në Kosovë janë vrarë 57 gra. Si viktima të dhunës në familje, në baza vjetore, raportohet të jenë mijëra gra të tjera.

Disa pjesëtarë të shoqërisë civile bëjnë thirrje që për këtë gjendje të shpallet emergjencë kombëtare.

Në nivel global, Organizata e Kombeve të Bashkuara ka bërë të ditur se rreth 48.800 gra dhe vajza janë vrarë gjatë vitit 2022 nga partnerët e tyre intimë apo anëtarë tjerë të familjes.

Çfarë mund të bëjnë burrat?

Burrat kërkohet të jenë pjesë e ndryshimit të mendësisë së një shoqërie, duke folur hapur kundër praktikave të dëmshme dhe duke e sfiduar seksizmin.

Edhe Konventa e Stambollit – për parandalimin dhe luftimin e dhunës kundër grave dhe dhunës në familje, të cilën e ka nënshkruar Kosova – bën thirrje që veçanërisht burrat dhe djemtë të kontribuojnë në parandalimin e të gjitha formave të dhunës.

Jackson Katz, i specializuar në fushën e edukimit në Shtetet e Bashkuara, ka thënë në një fjalim publik, në formatin TED Talks, se ndryshimi nis edhe nga tavolina e një kafeneje.

Sipas tij, nëse në një tavolinë vetëm me burra, njëri prej tyre nis të flasë me përçmim, apo ofendon një grua, një burrë tjetër afër tij duhet të reagojë dhe të thotë se diçka e tillë nuk është as për të qeshur dhe as e pranueshme.

Shpesh, sipas Katzit, sugjerimi apo kritika që mund t’i bëjë një burrë një tjetri ka më shumë efekt.

Erblin Ajdini, aktivist, feminist i majtë, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se beson se pjesëmarrja e burrave në thirrjet për barazi gjinore është e rëndësishme, sepse, në atë mënyrë, feminizmi nuk shihet vetëm si aktivitet i grave, “por si veprimtari politike, e cila e çrrënjos sistemin patriarkal dhe e krijon një shoqëri më të barabartë dhe më të drejtë”.

Por, për Ajdinin, rolin kryesor në vetëdijesimin e shoqërisë e ka shteti, pasi, mendon ai, vetëm iniciativat e shoqërisë civile, sado pozitive të jenë, nuk janë të mjaftueshme.

Disa protestues shihen të veshur me bluza që kanë portretin e Liridona Ademajt, gruas së vrarë në Prishtinë, në dhjetor të vitit 2023. (Foto: AFP)
Disa protestues shihen të veshur me bluza që kanë portretin e Liridona Ademajt, gruas së vrarë në Prishtinë, në dhjetor të vitit 2023. (Foto: AFP)

Çfarë duhet të ndryshojë?

Si dy ndryshime thelbësore, Ajdini ka përmendur:

  • Hartimin e politikave më të mira edukative dhe të planprogrameve të përshtatshme nëpër shkolla;
  • Ashpërsimin e dënimeve dhe zbatimin e mirëfilltë të ligjit nga autoritetet e drejtësisë.

Sipas gjetjeve të organizatës ndërkombëtare, Amnesty International, të mbijetuarat e dhunës në familje në Kosovë janë shprehur se nuk kanë parë drejtësi, se shteti nuk është kujdesur për sigurinë e tyre dhe se ato i frikësohen përsëritjes së dhunës.

Ajdini është shprehur i shqetësuar edhe për miratimin që u bëhet vrasjeve, nga ana e burrave, nëpër komente në rrjete sociale, në internet.

“Kjo më jep sinjal për një pasiguri, për mënyrën se si secili individ e sheh si mendim të lirë, edhe kur flet për dhunën. Nuk është vetëm e bezdisshme, por edhe e frikshme”.

Katrina Fotovat, zëvendësdrejtoreshë e Zyrës së Sekretarit amerikan të Shtetit për Çështjet Globale të Grave, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se autoritetet amerikane kanë zbuluar se koha më e mirë për t’i angazhuar burrat në bisedat për dhunën seksuale ose dhunën me bazë gjinore, është pasi ata të bëhen baballarë.

“Ata janë shumë të hapur... të gjithë duan që familja e tyre të jetë e suksesshme”.

Katrina Fotovat, zëvendësdrejtoreshë e Zyrës së Sekretarit amerikan të Shtetit për Çështjet Globale të Grave, Prishtinë, 16 prill 2024. (Foto: Radio Evropa e Lirë)
Katrina Fotovat, zëvendësdrejtoreshë e Zyrës së Sekretarit amerikan të Shtetit për Çështjet Globale të Grave, Prishtinë, 16 prill 2024. (Foto: Radio Evropa e Lirë)

Kush e lufton më së miri problematikën?

Sipas të dhënave të OKB-së, Afrika është kontinenti me shkallën më të lartë të vrasjeve të grave – 20.000 janë regjistruar më 2022 – ndërsa Evropa ka shkallën më të ulët të femicidit (2.300).

Ndër vendet evropiane, Spanja është shteti ku është shënuar rënia më e madhe e rasteve të femicidit të qëllimshëm në periudhën 2014-2019.

Në uljen e numrit të vrasjeve besohet se ka ndikuar miratimi i një Ligji Integral për dhunën me bazë gjinore më 2004, i cili konsiderohet ligji i parë gjithëpërfshirës në Evropë për trajtimin e kësaj problematike.

Disa ekspertë besojnë se edhe përfshirja e femicidit si vepër në Kodin Penal të të gjitha shteteve, mund të ndihmojë në luftimin më të mirë të këtij problemi.

Komiteti për Barazi dhe Jodiskriminim i Këshillit të Evropës sugjeron hartimin e fushatave vetëdijesuese për përgjegjësinë që kanë burrat në parandalimin dhe luftimin e dhunës me bazë gjinore, mbështetjen e hulumtimeve për efektin që kanë në shoqëri maskuliniteti i dëmshëm dhe dhuna me bazë gjinore, dhe mbështetjen për burrat që shërbejnë si shembuj në luftën kundër dhunës ndaj grave.

Faleminderit që e lexuat këtë newsletter! Nëse ju pëlqeu, ju ftojmë ta shpërndani me të tjerët. (Ata mund të abonohen falas këtu për ta pranuar çdo numër të newsletter-it tonë).

Për fund, ju rekomandojmë t'i shikoni disa materiale të përzgjedhura që i kemi publikuar ditëve të fundit:

Keni diçka për të na thënë? Duam t’ju dëgjojmë. Na shkruani në evropaelire@rferl.org.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja origjinale e Radios Evropa e Lirë.

XS
SM
MD
LG