Ndërlidhjet

Osmani kërkon heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës pas votimeve në veri


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka konsideruar si fatkeqësi bojkotimin e procesit të votimit nga serbët lokalë në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, dhe sipas saj, kështu “Serbia kreu ndërhyrje të paligjshme në një proces zgjedhor të një shteti tjetër".

“Edhe njëherë, [presidenti serb, Aleksandar] Vuçiqi shkeli fjalën që ua kishte dhënë partnerëve ndërkombëtarë”.

Ajo i ka bërë këto deklarata teksa e ka komentuar procesin zgjedhor të 21 prillit, në të cilin është votuar nëse duhet shkaktuar katër kryetarët shqiptarë në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.

Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) ka thënë se iniciativa ka dështuar pasi në këtë proces kanë votuar 253 prej 46.556 qytetarëve që kanë pasur të drejtë vote.

Për të qenë i suksesshëm procesi, do të duhej të votonin 50 për qind plus 1 votues.

Kjo nënkupton se kryetarët aktualë do t'i vazhdojnë mandatet e tyre.

Osmani e ka falënderuar KQZ-në dhe institucionet tjera për organizim të zgjedhjeve, dhe ka thënë se me këtë proces, Kosova i ka plotësuar të gjitha kërkesat nga BE-ja, andaj i ka bërë thirrje që bllokut evropian t’i heqë të gjitha masat ndaj Kosovës.

BE-ja pati vënë masa ndëshkuese ndaj Kosovës, me arsyetimin se nuk ka bërë mjaftueshëm për shtensionim të situatës në veri të Kosovës, në maj të vitit 2023.

Atëherë, serbët lokalë kanë protestuar kundër kryetarëve të rinj para ndërtesave komunale në Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok, dhe për pasojë situata është përshkallëzuar në dhunë.

Disa pjesëtarë të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, janë plagosur rëndë.

Të plagosur ka pasur edhe nga ana e protestuesve.

Iniciativa për largim ose jo të kryetarëve është organizuar, pasi faktori ndërkombëtar ka kërkuar largim të kryetarëve shqiptarë nga pozitat e tyre, duke konsideruar se ndonëse procesi i prillit të vitit të kaluar – kur ata i kanë fituar zgjedhjet – ka qenë legjitim, megjithatë, ai nuk e ka reflektuar vullnetin e qytetarëve.

Zgjedhjet e prillit të vitit 2023 janë organizuar pas dorëheqjeve të serbëve nga institucionet e Kosovës.

Edhe në ato zgjedhje, Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë, e ka bojkotuar procesin zgjedhor dhe u ka bërë thirrje serbëve lokalë të veprojnë njëjtë.

Blloku evropian ka shprehur keqardhje për vendimin e Listës Serbe që të mos marrë pjesë në votimet 21 prillit, ani pse paraprakisht është deklaruar pozitivisht për to.

XS
SM
MD
LG