Ndërlidhjet

Numri i viktimave nga sulmi izraelit në Beirut arrin në 37

E përditësuar

Vendi i ngjarjes të një sulmi raketor izraelit në jug të Bejrutit, Liban, 20 shtator 2024.
Vendi i ngjarjes të një sulmi raketor izraelit në jug të Bejrutit, Liban, 20 shtator 2024.

Ministri i Shëndetësisë në Liban, Firass Abiad, tha më 21 shtator se numri i viktimave nga një sulm ajror izraelit në një periferi të Beirutit një ditë më parë ka arritur në 37. Në mesin e viktimave përfshihen edhe shtatë gra dhe tre fëmijë.

Firass Abiad u tha gazetarëve se 68 persona ishin gjithashtu të plagosur, nga të cilët 15 vazhdojnë të qëndrojnë në spital, në sulmin më vdekjeprurës ajror izraelit në Beirut që nga lufta Izrael-Hezbollah në verën e vitit 2006.

Në mesin e viktimave është edhe Ibrahim Akil, një komandant i Hezbollahit që ishte përgjegjës për Forcat Radëan të Hezbollahut, si dhe rreth një duzinë anëtarësh të grupit të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja, që po mblidheshin në bodrumin e ndërtesës që u shkatërrua.

Izraeli nisi sulmin e rrallë ajror në lagjen e dendur në jug të Beirutit të premten pasdite gjatë orëve kur njerëzit ktheheshin nga puna dhe studentët nga shkollat. Të shtunën në mëngjes, zyra e mediave të Hezbollahut çoi gazetarët në një tur të skenës së sulmit ajror, ku punëtorët ende po gërmonin në rrënoja.

Forcat libaneze bllokuan zonën duke parandaluar njerëzit të arrijnë në ndërtesën që u shkatërrua, ndërsa anëtarët e Kryqit të Kuq libanez qëndronin afër për të marrë çdo trup të rikuperuar nga rrënojat.

Sulmi fatal i së premtes erdhi disa orë pasi Hezbollahu kreu një nga bombardimet më intensive ndaj veriut të Izraelit në gati një vit luftimesh, duke synuar kryesisht vendet ushtarake izraelite. Sistemi i mbrojtjes ajrore Izraelit, Iron Dome, ndaloi shumicën e raketave Katyusha.

Izraeli dhe Hezbollahu kanë shkëmbyer zjarr rregullisht që nga sulmi i Hamasit, të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja, më 7 tetor në jug të Izraelit, i cili aktivizoi ofensivën ushtarake të Izraelit në Gaza. Megjithatë, sulmet e mëparshme ndërkufitare kanë goditur kryesisht zona në veri të Izraelit që ishin evakuuar dhe pjesë më pak të populluara të jugut të Libanit.

Në fillim të kësaj jave, kabineti i sigurisë së Izraelit tha se ndalimi i sulmeve të Hezbollahut në veri të vendit për të lejuar banorët të kthehen në shtëpitë e tyre tani është një objektiv zyrtar i luftës, ndërsa po merr në konsideratë një operacion më të gjerë ushtarak në Liban që mund të nxjerrë një konflikt të plotë.

Sulmet reciproke kanë detyruar dhjetëra mijëra njerëz të evakuojnë shtëpitë e tyre në jugun e Libanit dhe veriun e Izraelit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG