Ndërlidhjet

Lajçak diskuton me O’Brien dhe Kasanof për dialogun Kosovë-Serbi


I dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak. Fotografi nga arkivi.
I dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak. Fotografi nga arkivi.

Emisari evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, tha se ka zhvilluar “diskutim strategjik” për dialogun me ndihmëssekretarin amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O'Brien, dhe me të emisarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Alexender Kasanof.

“Gjithmonë është e dobishme të kemi diskutim strategjik për dialogun për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe dinamikat rajonale me ndihmësekretarin Kasanof dhe emisarin Kasanof. Mirëpres vazhdimin e bisedës sonë javën e ardhshme në Bruksel”, shkroi Lajçak në X.

Si SHBA-ja, ashtu edhe BE-ja vazhdimisht i bëjnë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të zbatojnë Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve dhe Aneksit për zbatimin e saj, që palët arritën vitin e kaluar.

Kosova ngul këmbë që kjo marrëveshje duhet të nënshkruhet së pari, edhe pse BE-ja thotë se ajo është e detyrueshme për palët pavarësisht nënshkrimit.

Megjithatë, palët nuk kanë bërë hapa drejt zbatimit të këtyre marrëveshjeve.

Marrëveshja prej 11 nenesh, ndër tjerash parasheh një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, që Serbia të mos bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, dhe kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.

Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog për normalizim të raporteve, nën ndërmjetësimin e BE-së, që nga viti 2011. Ky proces mbështetet fuqishëm nga SHBA-ja.

Së fundi, rundet e dialogut në nivel të kryenegociatorëve nuk kanë dhënë rezultate konkrete, teksa në rundin e fundit të dialogut më 17 shtator, kryenegociatorët nuk zhvilluan takim trepalësh për shkak të mospajtimeve që kishin për temat e diskutimit.

Ndërsa, rundi i fundit i dialogut në nivel të lartë politik midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është mbajtur shtatorin e vitit të kaluar, pak ditë para sulmit të 24 shtatorit të Banjskë të Zveçanit.

Në Banjskë, një grup i serbëve të armatosur sulmuan Policinë e Kosovës, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Gjatë përleshjeve që pasuan u vranë edhe tre sulmues serbë.

Kosova e ka cilësuar sulmin si terrorist dhe e akuzon shtetin e Serbisë se ka gisht në të. Serbia i ka mohuar akuzat.

Në fillim të këtij muaji, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë kundër 45 personave për këtë sulm.

Përgjegjësinë për sulmin e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit.

Në aktakuzën e ngritur nga Prokuroria kosovare, Radoiçiq cilësohet si “kreu i grupit terrorist”.

Në përvjetorin e parë të sulmit, SHBA-ja dhe BE-ja kërkuan që të gjithë të përfshirët në sulmin në Banjskë të Zveçanit të mbahen përgjegjës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG