Ndërlidhjet

Kritika ndaj Nigel Farage pasi tha se Perëndimi provokoi luftën në Ukrainë


Nigel Farage gjatë intervistës për transmetuesin britanik, BBC.
Nigel Farage gjatë intervistës për transmetuesin britanik, BBC.

Nigel Farage, lider i partisë britanike kundër migrimit, “Reforma në Mbretëri të Bashkuar”, është përballur me kritika të ashpra të shtunën, pasi ka thënë se Perëndimi e ka provokuar luftën e Rusisë në Ukrainë më 2022.

Në një intervistë për transmetuesin britanik, BBC, Farage ka thënë se “ne e kemi provokuar këtë luftë”, duke shtuar se “natyrisht” ka qenë “faji” i presidentit rus, Vladimir Putin.

Kryeministri britanik, Rishi Sunak, u ka thënë gazetarëve se pretendimi i Farage-it është “plotësisht gabim dhe shkon vetëm në të mirë të Putinit”.

Farage – ish deputet i Parlamentit Evropian, ka tentuar dhe dështuar shtatë herë të bëhet deputet në Parlamentin britanik - dhe tani po mëton të garojë në zgjedhjet e përgjithshme britanike, muajin e ardhshëm.

Aktualisht partia e tij është e treta në listë, mirëpo ai pritet të fitojë pak ulëse.

Popullariteti i partisë që udhëheq ai është rritur prej kur Farage e ka marrë pozitën e liderit më herët gjatë këtij muaji.

Mirëpo, të shtunën është përballur me shumë kritika për deklaratën e bërë në intervistë.

Ministri i Brendshëm britanik, James Cleverly, e ka kritikuar Farage-in për “përsëritje të arsyetimit të Putinit për pushtimin brutal në Ukrainë”.

Ish-ministri britanik i Mbrojtjes, Tobias Ellwood, ka thënë se komentet janë “tronditëse” dhe që “Churchill po rrotullohet në varr”, referencë për ish-liderin britanik.

I pyetur më shumë për qëndrimet e tij për Putinin, Farage ka thënë gjatë intervistës se “nuk e pëlqen si person”, por e admiron “si operator politik, sepse ka arritur të ketë nën kontroll Rusinë”.

Ish-figurë e Brexitit, Farage është i afërt me ish-presidentin amerikan, Donald Trump.

Farage ka thënë publikisht se synon të garojë për kryeministër më 2029.

Ai, po ashtu, ka përsëritur pretendimet se Sunak, kryeministri i parë me ngjyrë i Britanisë, “nuk e kupton kulturën tonë”.

Komentet e tij ndaj Sunakut, janë kritikuar ashpër prej deputetëve britanikë.

XS
SM
MD
LG