Ndërlidhjet

Hezbollahu shënjestron kazermat izraelite pas vdekjes së komandantit islamist


Zonë kufitare mes Libanit dhe Izraelit.
Zonë kufitare mes Libanit dhe Izraelit.

Hezbollahu, grupi militant i Libanit, ka thënë të dielën se ka shënjestruar me dron të armatosur një pozicion ushtarak në veri të Izraelit, si përgjigje për vrasjen e një komandanti.

Izraeli dhe ky grup, që përkrahet prej Iranit, dhe është aleat me Hamasin – grupin palestinez të shpallur terrorist prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian – kanë shkëmbyer sulme gati çdo ditë në zonën kufitare, prej nisjes së luftës në Gazë, në tetor të vitit të kaluar.

Njoftimi i Hezbollahut ka ardhur disa orë pasi është publikuar një video në të cilën tregohen lokacionet e shënjestruara në Izrael, teksa rriten shqetësimet për një konflikt të madh në mes të dy armiqve.

Të shtunën, grupi Jamaa Islamiya ka bërë të ditur vdekjen e njërit prej komandantëve, Ayman Ghotmeh, duke thënë se ai është vrarë “në bastistjet e zionistëve” në Kaira, në zonën lindore Beka të Libanit.

Izraeli e ka konfirmuar më vonë kryerjen e sulmit, duke thënë se Ghotmeh ka qenë përgjegjës për furnizim me armë të forcave Fajr, krahut të armatosur të grupit Jamaa Islamiya, por edhe të militantëve të Hamasit.

Tensionet kufitare janë rritur edhe më shumë në ditët e fundit, pasi ushtria izraelite ka thënë të martën se plani për një ofensivë në Liban është “miratuar dhe legjitimuar”.

Shefi i Hezbollahut, Hassan Nasrallah, është përgjigjur me kërcënimet që asnjë pjesë e Izraelit nuk do të mbetet pa u prekur, në rast të një lufte të plotë.

Si pasojë e dhunës kufitare janë vrarë të paktën 480 njerëz në Liban, shumica prej tyre luftëtarë, por në mesin e tyre edhe 93 civilë, ka raportuar agjencia e lajmeve AFP.

Autoritetet izraelite kanë thënë se të paktën 15 ushtarë dhe 11 civilë janë vrarë në veri të shtetit.

Ushtria izraelite ka nisur fushatë ushtarake për të shkatërruar Hamasin, pas sulmit të pashembullt të militantëve të grupit, në jug të Izraelit, më 7 tetor.

Në atë sulm janë vrarë rreth 1.200 izraelitë dhe janë marrë peng mbi 240 të tjerë.

Ministria e Shëndetësisë në Gazë deklaron se prej nisjes së luftës janë vrarë më shumë se 37.000 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë.

XS
SM
MD
LG