Ndërlidhjet

Rakiq dënohet me kusht dhe gjobë për mosdeklarim të pasurisë


Ish-ministri në Qeverinë e Kosovës, Goran Rakiq. Fotografi nga arkivi.
Ish-ministri në Qeverinë e Kosovës, Goran Rakiq. Fotografi nga arkivi.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar me tre muaj burgim me kusht dhe me 1.000 euro gjobë ish-ministrin në Qeverinë e Kosovës, Goran Rakiq, për shkak të mosdeklarimit të të ardhurave nga buxheti i Serbisë më 2020 në Agjencinë kosovare Kundër Korrupsionit.

Rakiq aktualisht është deputet në Parlamentin serb nga partia në pushtet, Partia Progresive Serbe (SNS).

Deri në tetor të vitit 2023, Rakiq ka qenë kryetar i Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beorgadit – dhe paraprakisht ka mbajtur postin e ministrit për Administrim të Pushtetit Lokal dhe ka udhëhequr Ministrinë për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës.

Rakiq u dënua nga Gjykata Themelore në Prishtinë pasi ai nuk e kishte deklaruar saktë pasurinë e tij më 2020, përkatësisht përveç pagës nga buxheti i Kosovës si ministër, ai merrte pagë edhe nga buxheti i Serbisë për shkak se mbante një post të lartë në Shkollën Ekonomike në Kosovë, që funksionon sipas sistemit serb, si dhe mbante postin e drejtorit të Ndërmarrjen Publike “Standard”, që po ashtu funksionon sipas sistemit serb.

Pas caktimit të dënimit, Rakiq arriti marrëveshje me Prokurorinë për pranimin e fajësisë.

Radio Evropa e Lirë ka raportuar disa herë për të ardhurat e dyfishta të zyrtarëve të Listës Serbe dhe Rakiq nuk ishte zyrtari i vetëm i kësaj partie që nuk ka raportuar të ardhurat e dyfishta në Agjencinë Kundër Korrupsionit.

Në nëntor të vitit 2022, zyrtarët e Listës Serbe u larguan nga institucionet në veri të Kosovës, nga Qeveria dhe Kuvendi për shkak të vendimit të kryeministrit Albin Kurti, për të riregjistruar makinat me targa të lëshuara nga Serbia në ato të lëshuara nga Kosova.

Megjithatë, deputetët e rinj të kësaj partie kanë marrë mandatet në Kuvend në mes të nëntorit me arsyetimin se ishte një “aksion strategjik”. Politika e Listës Serbe është që këta deputetë të mos marrin pjesë në seanca plenare, përkatësisht të paraqiten në Kuvend çdo gjashtë muaj që të mos u digjet mandati për shkak të mospjesëmarrjes. Ata gjatë gjithë kohës marrin pagat e deputetëve, të cilat janë rreth 1.800 euro

XS
SM
MD
LG