Ndërlidhjet

Kush është Evan Gershkovich dhe për çka e akuzon atë Rusia?


Gazetari i Wall Street Journal, Evan Gershkovich, është duke u mbajtur në paraburgim në burgun Lefortovo në Moskë.
Gazetari i Wall Street Journal, Evan Gershkovich, është duke u mbajtur në paraburgim në burgun Lefortovo në Moskë.

Të martën, një gjykatë në Moskë refuzoi kërkesën e gazetarit amerikan, Evan Gershkovich, për lirim nga paraburgimi, teksa ai po hetohet për akuza të lidhura me spiunazh.

Gjykata e qarkut Leftorovo në Moskë shqiptoi këtë vendim ndaj gazetarit amerikan, i cili ishte i pranishëm në gjykatë. Në këtë seancë gjyqësore u lejuan të merrnin pjesë edhe ambasadorja amerikane në Rusi, Lynne Tracy, së bashku me 10 gazetarë.

“Vendimi i gjykatës së shkallës së parë, që zgjodhi arrestimin si masë kufizuese, nuk duhet të ndryshohet. Prandaj, kërkesa e mbrojtjes nuk do të plotësohet”, tha gjykata, duke mos dhënë shpjegime të mëtejme.

Kush është Gershkovich?

Pak para se Rusia të pushtonte Ukrainën në shkurt të vitit të kaluar, Wall Street Journal punësoi gazetarin Gershkovich, i cili kishte mbuluar temat rreth Rusisë për më shumë se pesë vjet. Gershkovich, 31-vjeçar, prindërit e të cilit migruan në Shtetet e Bashkuara dhe lanë pas Bashkimin Sovjetik gjatë Luftës së Ftohtë, flet gjithashtu rrjedhshëm rusishten.

Cilat janë rrethanat e arrestimit të tij?

Më 30 mars, shërbimi i sigurisë FSB njoftoi se e kishte arrestuar gazetarin për përpjekje për të marrë informacion në lidhje me kompleksin ushtarak-industrial të Rusisë teksa udhëtonte për në Yekaterinburg, i cili ndodhet 1.400 kilometra (880 milje) në lindje të Moskës. Gazeta ku ai ishte duke punuar, raportoi se për herë të fundit kishin dëgjuar për të një ditë më parë, kur ai kishte mbërritur në një restorant afër qytetit.

Ai u transportua përsëri në kryeqytet dhe u akuzua për spiunazh; nëse shpallet fajtor, ai mund të kalojë deri në 20 vjet në burg. Ai e ka hedhur poshtë akuzën dhe të njëjtën gjë ka bërë edhe gazeta ku ai ishte duke punuar.

Çfarë thonë SHBA-ja dhe Rusia lidhur me këtë rast?

Kjo është cilësuar si "krejtësisht e paligjshme" nga presidenti Joe Biden. Të hënën e kaluar, Shtetet e Bashkuara e deklaruan zyrtarisht se ai ishte arrestuar në mënyrë të paligjshme, se akuzat se ai është një spiun ishin të rreme dhe se çështja ishte kthyer në çështje politike.

Kremlini pretendon se Gershkovich ishte "kapur në flagrancë", por Rusia nuk ka bërë ende publik asnjë dokumentacion mbështetës lidhur me këtë.

Ku është duke u mbajtur gazetari?

Gershkovich është duke u mbajtur në paraburgim në burgun Lefortovo në Moskë, i cili historikisht është përdorur nga FSB dhe KGB-ja sovjetike, për të strehuar të dyshuar për krime të rënda si spiunazhi.

Ambasadorja e SHBA-së, Lynne Tracy, arriti ta vizitonte atje për herë të parë të hënën. Ajo tha se ai ishte në gjendje të mirë, por dha pak detaje.

Në një letër të shkruar me dorë të datës 5 prill drejtuar prindërve të tij, Gershkoviq tha se ai po lexonte, shkruante, bënte stërvitje dhe "nuk do ta humbë shpresën".

Çfarë pastaj?

Seanca dëgjimore e së martës është më shumë procedurale - për mënyrën se si Gershkovich duhet të mbahet teksa pret gjykimin dhe nuk do të shqyrtohen akuzat në detaje. Hetuesit janë ende duke punuar për detajet e rastit, i cili mund të zgjasë me muaj apo vjet, si rasti i amerikanit Paul Whelan.

Whelan, një ish-marins, u arrestua në dhjetor të vitit 2018, u mbajt për 18 muaj në Lefortovo dhe u burgos për 16 vjet në qershor 2020 me akuza për spiunazh. Rasti është vlerësuar nga Uashingtoni si i arrestuar gabimisht.

Përgatiti: Albina Kastrati
XS
SM
MD
LG