Ndërlidhjet

Hamza në SHBA takohet me zyrtarë amerikanë


Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, gjatë takimit me zyrtarët amerikanë në Uashington.
Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, gjatë takimit me zyrtarët amerikanë në Uashington.

Si “krejt të natyrshme” dhe “bashkëpunim i ngushtë” i përshkruan kandidati për kryeministër i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, takimet e tij me zyrtarë amerikanë në Shtëpinë e Bardhë.

Ai thotë se ato janë si rezultat i bashkëpunimit që kishte pasur gjatë kohës sa shërbente si ministër i Financave – gjatë viteve 2011-2013 dhe 2017-2020 – dhe guvernator i Bankës Qendrore të Kosovës – gjatë viteve 2013-2017.

“Ndërsa, kësaj radhe, jam duke e zhvilluar këtë vizitë zyrtare në kapacitetin tim si i nominuar për kryeministër dhe si kryetar i Mitrovicës së Jugut”, thotë Hamza për Radion Evropa e Lirë.

Hamza po zhvillon vizitë në Shtetet e Bashkuara, ku është takuar me zyrtarët amerikanë, me të cilët ka biseduar për "qëllimet strategjike të Kosovës". Për realizimin e tyre, sipas tij, partneriteti me Shtetet e Bashkuara “është i rëndësisë jetike”.

Hamza njoftoi se është takuar me asistentin e posaçëm të presidentit amerikan, Joe Biden, ambasadorin Michael Carpenter që njëherësh është Drejtor i Lartë për Evropë në Këshillin për Siguri Kombëtare, dhe me drejtoreshën për Ballkanin dhe Evropën Qendrore, Kathleen Larkin.

“Ambasadori Carpenter më rikonfirmoi se SHBA-ja mbështet fuqishëm Kosovën në rrugën tonë euro-atlantike. Për ta përshpejtuar këtë rrugë, Kosova duhet të mbetet partnere kredibile dhe të sillet në mënyrë të përgjegjshme ndaj obligimeve ndërkombëtare”, tha Hamza për Radion Evropa e Lirë.

Sipas Hamzës, është koha që të ketë përparim në sigurimin e njohjeve nga pesë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, të ketë përparim për sigurimin e udhërrëfyesit për anëtarësimin e Kosovës në Partneritetin për Paqe të NATO-s dhe “përfundimisht në NATO dhe Bashkim Evropian”, që sipas tij, janë qëllimet strategjike të vendit.

Takimi i Hamzës me zyrtarët amerikanë në SHBA vjen në kohën kur Uashingtoni po inkurajon Qeverinë e Kosovës që t’i kthehet “angazhimit konstruktiv” me të, BE-në, NATO-n dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë.

SHBA-ja ka shprehur zhgënjim me vendimin e fundit të autoriteteve në Kosovë për mbylljen e nëntë degëve të Postës së Serbisë, në veri të Kosovës, që sipas zyrtarëve në Kosovë, punonin pa licencë.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller, deklaroi më 7 gusht se me vendimet e vazhdueshme të pakoordinuara, Kosova po vë në rrezik mundësitë që Uashingtoni i ka ndihmuar që të krijojë.

Për drejtorin e Grupit të Ballkanit për Politika në Prishtinë, Naim Rashiti, koha e mbajtjes së këtyre takimeve “është me rëndësi” dhe paraqet një zhvillim të ri për shkak se ndodh pas disa mosmarrëveshjeve mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Perëndimit.

“Veçanërisht është si zhvillim i ri për faktin që [Hamza] është lider i opozitës që takohet në Shtëpinë e Bardhë dhe kjo nuk ndodh shpesh”, thotë Rashiti për Radion Evropa e Lirë.

Rashiti thotë se vizita e Hamzës mund të ketë pasur të bëjë edhe me urën kryesore mbi lumin Ibër që ndan Mitrovicën e Jugut dhe atë të Veriut – të cilën Qeveria e Kosovës po synon ta hapë për qarkullim të automjeteve.

Insistimi i kryeministrit Kurti, në hapjen e urës mbi Ibër ka nxitur reagime të shumta nga Perëndimi – përfshirë paralajmërimet nga zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller, se Kosova po rrezikon mundësitë e krijuara; dhe nga zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, për masa të mëtejshme ndëshkuese.

Verën e kaluar, BE-ja kishte ndërmarrë disa masa ndëshkuese ndaj Kosovës, përfshirë anulimin e disa takimeve në nivel të lartë.

Hapja e urës po kundërshtohet edhe nga serbët lokalë, ndërkaq BE-ja dhe NATO-ja kanë kërkuar që çdo vendim për hapjen e urës të merret në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga blloku evropian.

Ndryshe, në Kosovë presidentja Vjosa Osmani, më 31 korrik ka zhvilluar konsultimet me partitë politike për datën e zgjedhjeve të reja parlamentare, të cilat pritet të mbahen në fund të janarit apo në pjesën e parë të shkurtit të vitit 2025. Vendimi do të merret më së largu në tetor të këtij viti.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG