Ndërlidhjet

Aleksei Navalny, armiku i korrupsionit dhe Kremlinit


"Ky regjim do të pendohet seriozisht për atë që ka bërë”, tha politikani i opozitës ruse, Aleksei Navalny, në vitin 2019.
"Ky regjim do të pendohet seriozisht për atë që ka bërë”, tha politikani i opozitës ruse, Aleksei Navalny, në vitin 2019.

Kur lideri i opozitës ruse, Aleksei Navalny, u lirua nga një burg në Moskë në gusht të vitit 2019 – pasi i kreu 30 ditë burgim për inkurajim të protestave – dha atë lloj mesazhi që kishte dërguar vazhdimisht që një dekadë, duke e fituar reputacionin si kritiku më i zëshëm i presidentit rus, Vladimir Putin.

“Gënjeshtrat dhe falsifikimet nuk mjaftojnë”, u tha ai një grupi gazetarësh. “Ata duhet të arrestojnë dhjetëra[njerëz], të rrahin qindra dhe të bastisin organizata”.
“Ky regjim do të pendohet seriozisht për atë që ka bërë”, tha Navalny, një luftëtar i kamotshëm kundër korrupsionit dhe politikani më i shquar i opozitës ruse për më shumë se një dekadë.

Navalny u dërgua në dhjetor të vitit 2023 në burgun IK-3, i njohur si “Ujku Polar”, që është një burg i ashpër në veri të Rrethit Arktik, për ta mbajtur një dënim 19-vjeçar për ekstremizëm. Ai dhe mbështetësit e tij thonë se dënimi ishte hakmarrje e motivuar politikisht për aktivizmin e tij anti-Kremlinit.

Atëherë, Navalny ishte i burgosur që nga janari i vitit 2021. Ai ishte arrestuar pas kthimit në Rusi, pasi u shërua jashtë vendit nga një helmim me agjent nervor që ai tha se ishte një atentat i sponsorizuar nga shteti, i kryer nga agjentë të sigurisë ruse dhe i miratuar nga Putini.

Si avokat i trajnuar, politikan karizmatik dhe mendjemprehtë, qëndrimet e tij u formësuan në internet dhe rrugë. Ai i përdori të dyja këto platforma në fushatën e tij të paepur dhe shpeshherë novatore kundër qeverisë gjithnjë e më jodemokratike të Putinit.

Pavarësisht se mbante më vete bagazhin e një marrëdhënieje të pakëndshme të mëhershme me nacionalizmin rus dhe peshën e deklaratave që konsiderohen raciste nga shumë njerëz, ai arriti t’i tejkalojë këto etiketime përmes një fokusi të veçantë dhe në dukje të palodhshëm ndaj korrupsionit zyrtar dhe këmbënguljes në metoda paqësore e ligjore për ta kundërshtuar Kremlinin.

Rëndësia e Navalnyt u rrit në nivelin kombëtar kur ai u bë një nga udhëheqësit e protestave të mëdha antiqeveritare në vitin 2011, kur postimet e tij virale ekspozonin korrupsionin dhe nxitën zemërim te publiku para zgjedhjeve parlamentare të atij viti.

Ai u bëri thirrje qytetarëve të votojnë kundër “partisë së hajdutëve” në pushtet, një term që ai e shpiku për ta përshkruar partinë “Rusia e Bashkuar”. Ky term pastaj hyri në leksikun e opozitës.

Lëvizja opozitare fitoi më shumë mbështetje kur Putini mori vendimin kundërthënës për ta kërkuar një mandat të tretë presidencial në zgjedhjet e vitit 2012. Dhjetëra mijëra njerëz morën pjesë në protestat gjatë periudhës mes votimit parlamentar të dhjetorit të vitit 2011, i cili u përshkua me dëshmi të shumta të mashtrimit, dhe inaugurimit të Putinit në maj të vitit 2012.

Jo shumë kohë më vonë, Navalny e zgjeroi fushatën e tij për ta nisur Fondacionin Kundër Korrupsionit dhe një kanal në YouTube, ku publikoi video duke hedhur dritë mbi aktivitetet e paligjshme të zyrtarëve në Qeverinë e Putinit dhe rrethin e brendshëm të tyre. Këto video shikoheshin nga një numër gjithnjë e më i madh i njerëzve.

Në vitin 2017, hetimi i Fondacionit mbi pasurinë e kryeministrit të atëhershëm, Dmitry Medvedev, që mori dhjetëra miliona shikime, u bë një katalizator për një valë protestash masive, që shpërtheu në të gjithë Rusinë në mars të atij viti.
Personaliteti i Navalnyt dhe përdorimi i zgjuar i rrjeteve sociale i dhanë atij një platformë masive, edhe pse ai u shpërfill nga mediat shtetërore. Për shumë vite, Putini nuk ishte në gjendje ose nuk dëshironte ta shqiptonte me zë të lartë emrin e Navalnyt.

Por, komentet e tij të hershme kundër emigrantëve – përfshirë videot në YouTube në të cilat ai i krahasonte emigrantët e punës nga Azia Qendrore me kavitetet e dëmshme të dhëmbëve dhe krahasimet e banorëve të Kaukazit të Veriut me shumicë myslimane të Rusisë me buburrecat – vazhduan ta ndiqnin atë gjatë gjithë karrierës së tij dhe disa në politikën opozitare – veçanërisht nga njerëz në lëvizjet jo-etnike ruse – qëndruan të distancuar prej tij.

Toni nacionalist i karrierës së hershme të Navalnyt dhe deklaratat e paqarta për Krimenë, pas pushtimit nga Rusia në vitin 2014, ngritën shqetësime në mesin e shumë njerëzve në Ukrainë dhe reagimi i tij i ashpër ndaj pushtimit në shkallë të plotë të nisur nga Putini më 2022 nuk arriti ta ndikonte perceptimin e banorëve atje për të.

Ngritja e Navalnyt u pengua, gjithashtu, nga autoritarizmi në rritje i Putinit dhe përpjekjet për ta zhdukur lëvizjen opozitare të drejtuar nga Navalny, përfshirë futjen e ligjeve që reduktojnë në mënyrë drastike hapësirën për protestat në rrugë dhe ndëshkojnë rusët që shprehin kritika publike ndaj autoriteteve.

Disa nga ndihmësit dhe aleatët e Navalnyt u larguan nga Rusia mes kërcënimeve; të tjerët u larguan krejt nga politika.

Navalny mbeti në Rusi dhe vazhdoi ta ekspozonte korrupsionin, pavarësisht ngacmimeve të vazhdueshme ndaj tij dhe familjes së tij nga trollët pro-qeveritarë, një fushate të bashkërenduar propagande për ta diskredituar dhe stigmatizuar atë, arrestime të shpeshta dhe një varg në dukje të pafund të padive që synonin ta shtynin atë drejt nënshtrimit.

Në vitin 2017, gjatë një vizite në qytetin siberian Barnaul, një sulmues i panjohur e gjuajti atë me një lëng me ngjyrë të gjelbër, duke shkaktuar një djegie kimike që ia dëmtoi shikimin. Disa ditë më vonë, ai u shfaq publikisht në një video në YouTube ku premtoi se asgjë nuk do ta pengonte atë në synimin e tij për ta zbuluar korrupsionin.

“Gjithçka që dua të them është kjo: Kremlini mund të mendojë se nuk do të regjistroj video me fytyrë të gjelbër, por do ta bëj – [videoja] do të më ketë edhe më shumë shikime”, tha ai. “Kjo definitivisht nuk do të më ndalojë”.

Në vitin 2019, përderisa ishte në paraburgim për organizimin e një proteste të paautorizuar, Navalny u shtrua në spital me atë që mjeku i tij tha se ishte një “reaksion i rëndë alergjik”. Navalny dhe ndihmësit e tij dyshuan se ishte një rast helmimi i qëllimshëm. Incidenti nuk u zbardh kurrë, pavarësisht thirrjeve të shumta për një hetim zyrtar.

Në qeli me Navalnyn: Si janë kushtet në burgjet ruse
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:34 0:00

Në vitet pasi ai fitoi rëndësi dhe deri në helmimin e tij gati fatal në gusht të vitit 2020, Navalny u burgos të paktën mbi dhjetë herë, duke kaluar qindra ditë i mbyllur për akuza që ai këmbënguli se ishin të sajuara për t’i penguar përpjekjet e tij për të organizuar protestë.

Në vitin 2013, ai u përball me rrezikun e burgosjes për një periudhë të gjatë kohore, kur u dënua me pesë vjet burgim në një gjyq që u konsiderua gjerësisht si hakmarrje për aktivitetin e tij politik. Në mes të protestave, autoritetet pezulluan dënimin dhe e liruan Navalnyn, një vendim që analistët dhe aleatët thanë se ishte nxitur nga frika e Kremlinit për ta kthyer atë në një martir dhe nxitja e demonstratave masive.

Navalny mori një dënim me kusht përsëri në vitin 2014, pas një gjyqi që ai gjithashtu pretendoi se ishte i motivuar politikisht. Por, vëllai i tij, Oleg, i cili nuk merrej me politikë, u dënua me 3 vjet e gjysmë burgim. Navalny tha se burgimi i vëllait të tij e bëri betejën e tij me Kremlinin personale, duke ia nxitur një zemërim që e dyfishoi angazhimin e tij.

Rreth kësaj kohe, shumë në Rusi filluan ta konsiderojnë atë një sfidues të mundshëm të Putinit, i cili ka qenë i angazhuar në politikë dhe ish-oficer i KGB-së që nga viti 1999.

“Shumë mendojnë që Navalny nuk është një kandidat serioz për Kremlinin”, shkroi politikani i opozitës Leonid Gozman në Vedomosti më 2015. “Kjo është ndoshta ajo që Jaruzelski mendoi për Walesën, ose liderët e Afrikës së Jugut për Mandelën, ose Kerensky për Leninin”.

Navalny u përpoq t’i përmbushte këto pritje dhe u përpoq ta sfidonte Putinin në zgjedhjet presidenciale të vitit 2018, duke krijuar një rrjet zyrash fushate në të gjithë vendin. Por, atij iu ndalua të kandidonte për shkak të akuzave të tij penale dhe ekipet e fushatës u riorganizuan në degët rajonale të OJQ-së së tij kundër korrupsionit, duke punuar për të hedhur dritë mbi aktivitetin e paligjshëm në nivel lokal.

Në verën e vitit 2019, Navalny mbështeti një grup figurash opozitare që kërkonin të merrnin pjesë në zgjedhjet për asamblenë e qytetit të Moskës. Përjashtimi i tyre nga votimi çoi në javë të tëra protestash në Moskë, të shoqëruara nga një shtypje gjithëpërfshirëse që kulmoi me dënime të gjata me burgim për një numër aktivistësh dhe bastisje të forcave të rendit në zyrat rajonale të organizatës së Navalnyt.

Por, kjo përvojë e shtyu Navalnyn dhe ekipin e tij të kërkonin mënyra të reja për ta thyer monopolin e Putinit në pushtet dhe për ta nisur një fushatë të quajtur Votimi i zgjuar, që synonte të shkatërronte monopolin e Rusisë së Bashkuar duke përqendruar votat e protestuesve te kandidatët rivalë që konsideroheshin që kanë më shumë mundësi t’i mposhtin kandidatët e asaj partie.

Në një intervistë në pranverën e vitit 2020, Navalny i tha shërbimit rus të Radios Evropa e Lirë se pandemia e koronavirusit dhe trajtimi i saj nga qeveria po e përshpejtonte një rënie të popullaritetit të Putinit dhe po krijonte mundësi të reja për opozitën.

“Vetëm shikoni vlerësimet për qeverinë”, tha ai. “Ne shohim rënien e tyre të paprecedent, një rënie që do të vazhdojë. Qeveria nuk mund të bëjë asgjë për këtë”.
Disa muaj më vonë, Navalnyt i ra të fikët teksa po fluturonte për në Moskë nga Tomsku, ku po vizitonte mbështetës të tij vendas. Avioni zbarkoi në qytetin e Omskut, ku u mor vesh se Navalny ishte helmuar.

Pasi iu lut autoriteteve për dy ditë rresht, gruaja e tij, Yulia Navalnaya, dhe ndihmësit e Navalnyt ia dolën ta sigurojnë transferimin e tij për trajtim në Berlin, ku ekspertët gjermanë përcaktuan se ai ishte helmuar nga një agjent nervor i tipit novichok. Hetuesit e Bellingcat gjetën se Navalny kishte qenë objektivi i një atentati nga një ekip operativësh të Shërbimit Federal të Sigurisë (FSB).

Navalny kaloi pothuajse pesë muaj duke u rikuperuar dhe duke punuar në një hetim të madh për një pallat 1.36 miliard dollarësh në Detin e Zi, për të cilin ai pretendonte se i përkiste Putinit.

Ky hetim u publikua pas kthimit të Navalnyt në Moskë më 17 janar të vitit 2021, kur ai u arrestua pas mbërritjes në aeroportin Sheremetyevo. Vendimi i tij për t'u kthyer në Rusi nxiti shumë diskutime, me disa që e lavdëruan guximin e tij dhe të tjerë që e vunë në pikëpyetje dorëzimin e tij ndaj një burgimi në dukje të pashmangshëm.

Rusia u trondit nga dy fundjava radhazi protestash masive për lirimin e Navalnyt që çuan në mijëra arrestime, por Navalny megjithatë u dënua me dy vjet e tetë muaj burgim më 2 shkurt të vitit 2021, për shkeljen e rregullave të lirimit me kusht të vendosura gjatë një procecsi të mëhershëm gjyqësor.

“Sado shumë që [Putin] përpiqet ta portretizojë veten si një, një lider i madh botëror, gjeopolitik, ai ma merr inat sepse ai do të mbetet në histori si një helmues”, tha Navalny. “Qëllimi kryesor i këtij gjyqi është të trembë një numër të madh njerëzish. Kështu funksionon. Ata burgosin një person për të trembur miliona”.

Navalny u dërgua në një burg të regjimit të rreptë në rajonin Vladimir, në lindje të Moskës. Pothuajse menjëherë, ai dhe bashkëpunëtorët e tij filluan të ankoheshin për një “fushatë të qëllimshme” për ta dëmtuar shëndetin e tij. Duke qenë se ishte vlerësuar se ka rrezik që ai të arratisej, ai zgjohej çdo orë çdo natë dhe i mohohej qasja te mjeku i tij. Ai tha se kishte dhimbje në shpinë dhe se pothuajse kishte humbur përdorimin e këmbës së djathtë. Ai u shtrua në spital gjatë një greve urie në prill të vitit 2023 dhe më vonë e braktisi me këshillën e mjekëve të tij.

Gjatë viteve të burgimit, zyrtarët e dënuan vazhdimisht për shkelje të supozuara të vogla. Nga ana e tij, ai përdori ekspertizën e tij ligjore për ta bllokuar sistemin me kërkesa të çuditshme, duke publikuar refuzimet e ngurta zyrtare që mori.

Në të njëjtën kohë, qeveria vazhdoi të ngrinte akuza kundër tij dhe ta rriste dënimin e tij me burgim. Në mars të vitit 2022, ai u dënua me nëntë vjet burgim për shpërfillje të gjykatës dhe korrupsion.

Në qershor të vitit 2021, Fondacioni i tij Kundër Korrupsionit dhe organizatat e tjera të lidhura me të u ndaluan zyrtarisht si “ekstremiste” nga qeveria ruse. Si rezultat, edhe disa bashkëpunëtorë të tjerë të tij u larguan nga Rusia ose u përballën me ndjekje të ashpër penale. Në gusht të vitit 2023, Navalny u dënua me 19 vjet burgim në një burg “regjimi special” - kategoria më e ashpër - pasi u dënua për nxitje dhe financim të “veprimtarisë ekstremiste”. Ai e cilësoi dënimin si “stalinist”.

Megjithatë, gjatë gjithë burgimit dhe në gjyqet e tij të shumta, ai këmbënguli vazhdimisht se nuk kishte frikë dhe u kërkoi rusëve gjithashtu ta kapërcenin frikën e tyre nga shtypja e Putinit.

Prej kohësh, shtypja e protestave nga ana e Kremlinit ishte përshkallëzuar me arrestimin e Navalnyt në janar të vitit 2021. Autoritetet e ashpërsuan këtë fushatë edhe më shumë pas pak më shumë se një viti, kur Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

Në një postim në rrjetet sociale në përvjetorin e parë të pushtimit të paprovokuar, Navalny tha se Putini “ka nisur një luftë të padrejtë agresioni” dhe i hodhi poshtë justifikimet e Putinit si “pretekste qesharake”. Ai tha se “dhjetëra mijëra ukrainas të pafajshëm janë vrarë” dhe se “janë kryer krime lufte”. Ai bëri thirrje për rivendosjen e kufijve të Ukrainës të njohur ndërkombëtarisht, të vitit 1991, dhe që Rusia “të kërkojë mënyra të pranueshme për ta kompensuar dëmin e shkaktuar në Ukrainë”.

“Ne do të duhet ta rimbursojmë Ukrainën për të gjithë dëmin e shkaktuar nga agresioni i Putinit”, përfundoi ai.

Shumë njerëz në Ukrainë kishin dyshime dhe kritika ndaj Navalnyt, duke mos u besuar komenteve të tij publike mbi luftën dhe duke dyshuar për përkushtimin e tij ndaj sovranitetit ukrainas.

Megjithatë, ai u vlerësua gjerësisht në Perëndim. Në tetor të vitit 2021, atij iu dha Çmimi Saharov i Parlamentit Evropian për luftën e tij të pamëshirshme kundër “korrupsionit të regjimit të Vladimir Putin”.

“Kjo i kushtoi atij me lirinë dhe pothuajse jetën e tij”, tha kreu i atëhershëm i Parlamentit Evropian, David Sassoli.

Ish-korrespondenti i Radios Evropa e Lirë, Matthew Luxmoore, kontribuoi në këtë raport.

Përgatiti: Doruntina Baftiu

XS
SM
MD
LG