Ndërlidhjet

Kurti dhe Vuçiq do të takohen më 26 qershor


Fotografi e realizuar gjatë një rundi bisedimesh në Bruksel mes udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë.
Fotografi e realizuar gjatë një rundi bisedimesh në Bruksel mes udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të takohen në Bruksel më 26 qershor, për të zhvilluar rundin e ri të dialogut për normalizim të raporteve, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Takimi u konfirmua nga zëdhënësi i BE-së, Peter Stano si dhe nga Qeveria e Kosovës.

Nga Zyra e kryeministrit Kurti thanë shkurt për Radion Evropa e Lirë se fokusi kryesor i takimit do të jetë zbatimi i Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit të raporteve, Aneksi për zbatimin e saj "dhe rruga përpara".

Por, nga blloku evropian ende nuk kanë dhënë detaje lidhur me agjendën e takimit Kurti-Vuçiq.

Ky takim i nivelit të lartë në kuadër të dialogut do të ndërmjetësohet nga përfaqësuesi i lartë i bllokut për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, dhe i dërguari i posaçëm për dialogun, Mirosllav Lajçak.

Për mbajtjen e rundit të ri të dialogut është rënë dakord gjatë vizitave që Lajçak zhvilloi në Kosovë dhe Serbi gjatë kësaj jave.

Për herë të fundit, Kurti dhe Vuçiq u takuan në Bruksel më 14 shtator të vitit 2023, kur diskutuan për zbatimin e Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit të raporteve, por ky takim rezultoi pa ndonjë përparim, për shkak të qëndrimeve kontradiktore të palëve.

Disa ditë më vonë, më 24 shtator, një grup i serbëve të armatosur sulmuan policinë e Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit – në veri të Kosovës – duke vrarë një polic. Gjatë përleshjeve që pasuan u vranë edhe tre sulmues serbë.

Kosova e akuzon Serbinë se qëndron prapa sulmit, por Beogradi mohon se ka gisht në të.

Që atëherë, Perëndimi është përpjekur disa herë të bindë Kurtin dhe Vuçiqin që të ulen në tryezën e bisedimeve për të diskutuar për hapat për zbatimin e marrëveshjes.

Kjo marrëveshje – e cila u arrit vitin e kaluar – nuk është nënshkruar nga palët, por BE-ja thotë se ligjërisht e obligueshme për Kosovën dhe Serbinë. Kosova kërkon që të nënshkruhet marrëveshja, por Serbia refuzon një gjë të tillë.

Marrëveshja prej 11 nenesh, ndër tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.

Megjithatë, BE-ja – e cila që nga viti 2011 ndërmjetëson dialogun për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë – ka kritikuar palët për moszbatimin e marrëveshjes.

Edhe gjatë vizitës në Kosovë më 18 qershor, i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, përsëriti kërkesën që palët të përshpejtojnë zbatimin e kësaj marrëveshjeje.

Takimi i ri Kurti-Vuçiq do të mbahet në kohën kur zyrtarëve evropianë iu skadon mandati, pasi ata kanë kaluar gati pesë vjet në procesin e normalizimit të marrëdhënieve. Josep Borrell do të shërbejë si kreu i diplomacisë evropiane deri në vjeshtë. Javën e ardhshme do të bëhet e ditur se kush do të jetë pasardhësi i tij në këtë post. Ndërkaq, Mirosllav Lajçak është emëruar ambasador i BE-së në Zvicër, por ai do të veprojë si ndërmjetës në dialog derisa të gjendet një zëvendësues.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja origjinale e Radios Evropa e Lirë.

XS
SM
MD
LG