Ndërlidhjet

DUKURIA E ANALFABETIZMIT NË KOSOVË


Nadie Ahmeti

Me gjithë përparimet e deritashme në Kosovë, analfabetizmi ka qenë dhe është i pranishëm në shoqërinë kosovare në përmasa shqetësuese, thonë në Qendrën për Arsim të Kosovës. Halim Hyseni, nga kjo qendër tha se çështja e analfabetizmit është komplekse, sepse sipas tij, ka dy lloje të analfabetizmit. Analfabetizmi klasik, që nënkupton njerëzit që nuk dinë shkrim-lexim dhe analfabetizmi funksional, njerëzit që dinë të shkruajnë, por nuk e kuptojnë atë. Ndryshe, ai thotë se niveli i përgjithshëm i analfabetizmit në Kosovë është mbi 10 përqind, ndërkaq analfabetizmi funksional sipas tij, arrin deri në 40 përqind.
“Arsyeja e shkallës kaq të lartë të analfabetizmit është shumë komplekse. Sistemi i arsimit në Kosovë nuk është cilësor, nuk i aftëson të gjithë nxënësit të cilët regjistrohen, për shkrim dhe lexim. Çështja e dytë është braktisja e shkollimit, gjendja ekonomike e Kosovës dhe mostrajtimi adekuat i sistemit të arsimit”, tha zoti Hyseni.
Por, zyrtarë në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, thonë se ende nuk ka statistika të sakta se sa është niveli i kësaj dukurie. Miranda Kasneci, nga kjo ministri thotë se fenomeni i analfabetizmit është i pranishëm dhe kryesisht ka të bëjë me periudhën e tranzicionit nëpër të cilën ka kaluar sistemi i arsimit në Kosovë.
Ajo ndërkaq, tha se ministria ende nuk e ka saktësuar se kush konsiderohet analfabet në shoqëri.
“Njerëzit që nuk dinë shkrim-lexim apo ajo pjesë e popullatës e cila ka patur rastin të jetë në shkollë, por mos të përfundojë shkollën fillore”, tha zonja Kasneci.
Më qëllim të zbutjes së këtij fenomeni, Miranda Kasneci, nga Ministria e Arsimit, thotë se kjo ministri është duke mbajtur disa projekte për realizimin e mësimit joformal. Ajo tha se prej vitit 2002 e deri më tash, mbi 2000 gra dhe vajza kanë përfunduar kurset për mësim, shkrim dhe lexim, ndërkaq 700 të tjera tashmë janë duke vazhduar këto kurse.
“Ato kanë shkuar në katër cikle të këtij lloji mësimi, që është konsideruar i barabartë me pesë vite të shkollës fillore. Si ministri kemi konsideruar se është mirë t’u japim një lloj certifikate që tregon se këto gra dhe vajza kanë përfunduar një kurs, dhe t’u jepet mundësia që përmes arsimimit tjetër të vazhdueshëm, të kryejnë ndoshta edhe shkollën fillore, dhe që nesër ndoshta të kenë edhe një mundësi punësimi”, tha zonja Kasneci.
Zoti Halimi, nga Qendra për Arsim e Kosovës, thotë se duhet bërë më shumë punë efektive në këtë drejtim.
“Zgjatja e analfabetizmit dhe zgjatja e cilësisë së tashme të efektivitetit dhe efikasitetit të arsimit, këtë problem jo që e eviton por vetëm e rrit”, tha zoti Hyseni.
Sidoqoftë, analfabetizmi në Kosovë duhet të eliminohet deri në vitin 2015. Kjo është ndër standardet që Kosova duhet të përmbushë në nivelin e arsimit, në mënyrë që të integrohet në Bashkimin Evropian, pas përcaktimit të statusit final.
XS
SM
MD
LG