Shefi i personelit të Shtëpisë së Bardhë, Reince Priebus, ka kërkuar nga agjencia FBI, që t’i diskreditoj raportet në media se këshilltarët e fushatës së presidentit, Donald Trump, kishin kontakte të shpeshta me agjentët e inteligjencës së Rusisë gjatë zgjedhjeve presidentiale amerikane, kanë raportuar mbrëmë mediat në Shtetet e Bashkuara.
Agjencia Associated Press, duke cituar burime të paidentifikuara në Shtëpinë e Bardhë, tha se kërkesa e zotit Priebus ndaj drejtorit të FBI-së, James Comey, dhe zëvendësdrejtorit, Andrew McCabe, ishte bërë pasi FBI i tha Shtëpisë së Bardhë se kishte besuar se një raport i së përditshmes, New York Times, ku përshkruheshin kontaktet e këshilltarëve të Trumpit me Rusinë, ishte i pasaktë.
Në raporte theksohet se Priebus kishte kërkuar nga udhëheqësit e FBI-së që së paku të flasin me reporterët për ta kontestuar raportin e New York Times-it, dhe artikujt që dalin nga ai, por ata e kishin refuzuar kërkesën dhe nuk kanë thënë asgjë publikisht për këtë çështje.
Rrjeti CNN, që fillimisht kishte raportuar për kërkesën e zotit Priebus, tha se Comey e kishte refuzuar atë për shkak se kontaktet e dyshuara ndërmjet rusëve dhe ndihmësve të Trumpit ishin subjekt i një hetimi të FBI-së që po vazhdon.
Reince Priebus, ndoshta, u është afruar agjencive të tjera të inteligjencës me kërkesn e njejtë për të intervenuar në media, raporton CNN.
Shtëpia e Bardhë e ka hedhur poshtë artikullin në New York Times, derisa Priebus e ka quajtur “mbeturinë komplete”.
Në rrjetin Fox News, më 19 shkurt, Priebus e hodhi poshtë arikullit e gazetës, New York Times, si “akuza të tipit për tradhti”.
“Nivelet më të larta të komunitetit të inteligjencës më kanë siguruar se ai artikull, jo vetëm që nuk është i saktë, por është i tejzmadhuar dhe ishte i gabueshëm. Nuk ka asgjë në të”, tha Priebus.