Partitë politike shqiptare thonë se takimi në Prishtinë me presidentin e Kosovës, të enjten, ishte në funksion të përpjekjeve për të harmonizuar qëndrimet e faktorit politik shqiptar për avancimin e të drejtave të shqiptarëve të Maqedonisë.
Ata thonë se njëkohësisht takimi u zhvillua me qëllim të zhbllokimit të procesit të integrimit të vendit drejt strukturave euroatlantike, meqë votat e deputetëve shqiptarë janë vendimtare për krijimin e qeverisë së re.
Pas kryeministrit shqiptar Edi Rama, liderët e partive politike shqiptare në Maqedoni, Ali Ahmetin e Bashkimit Demokratik për Integrim, Billall Kasamin i Lëvizjes BESA dhe Ziadin Selën e Lëvizjes për Reforma të Partisë Demokratike Shqiptare, dje i ka takuar në Prishtinë presidenti i Kosovës Hashim Thaçi.
Presidenca e Kosovës tha, në një njoftim të saj, se "është diskutuar nevoja për një koordinim të mirëfilltë të faktorit politik shqiptar që ka për qëllim respektimin e vullnetit të lirë dhe demokratik të votuesve shqiptarë të Maqedonisë të shprehur në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 dhjetorit të vitit të kaluar".
Lëvizja BESA tha se takimi në Prishtinë ishte në vazhdën e takimeve konsultative që subjektet politike shqiptare të bashkohen rreth një kauze të përbashkët shqiptare në Maqedoni.
“Edhe në këtë takim u diskutua për zhvillimet e fundit politike në Maqedoni, me ç`rast presidenti i Kosovës Hashim Thaçi i ka inkurajuar subjektet politike shqiptare këtu që ta mbështesin agjendën euroatlantike të Maqedonisë dhe të mund të bashkohen rreth një kauze të përbashkët shqiptare në Maqedoni. Megjithëse nuk është diskutuar për pika konkrete thjeshtë është diskutuar në formë të përgjithësuar për faktin e thjeshtë, se shteti i Kosovës nuk dëshiron të implikohet në çështje të politikave të brendshme të Maqedonisë”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, Zeqirija Ibrahimi, nënkryetar i Lëvizjes Besa.
Përderisa Artan Grubi, zyrtar i lartë i Bashkimit Demokratik për Integrim thotë se takimi i Tiranës dhe Prishtinës ka kontribuar shumë në drejtim të harmonizimit të pikave që do të inkorporohen në platfomën e përbashkët, që siç thekson, pritet të ratifikohet nga ana e të gjitha partive palamentare brenda pak ditësh, pa dhënë detaje për bredninë e saj.
“Teksti i një platfome të përbashkët tanimë ekziston, dhe i njëjti është i dakorduar nga ana e partive politike shqiptare. Kam bindjen se shumë shpejt, përkatësisht deri në fund të kësaj jave, do të votohet nga ana e organeve e kryesive të të gjitha partive politike, përkatësisht do ta miratojnë këtë tekst të platformës së përbashkët të të gjitha partive politike shqiptare e cila më pas do të paraqes një udhërrëfyes për negociatat që do të pasojnë me bllokun politik maqedonas”, thotë për Radio Evropa e Lirë Artan Grubi.
Ndërkaq Arben Taravai, sekretar i Lëvizjes për Reforma në Partinë Demokratike Shqiptare, konsideron se çdo iniciativë që çon kah unifikimi i faktorit politik shqiptar, për të marrë në peshë vota shqiptare është e mirëseardhur për këtë parti.
“Pas 25 vjetësh pluralizëm politik, faktorët me relevancë në rajon për shqiptarët, insistojnë që faktori politik shqiptar në Maqedoni të unifikojë qëndrimet politike. Në këtë drejtim, më vjen mirë që idea jonë si parti politike e shprehur pothuajse para 2 vitesh, po bëhet realitet”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë Arben Taravai.
Partitë politike zyrtarisht thonë se nuk janë duke zhvilluar negociat për koalicionin rreth formimit të qeverisë së re të Maqedonisë ndërkohë që të hënën më nëntë janar është afati fundit në bazë të Kushtetutës kur presidenti i Maqedonisë obligohet që partisë që ka siguruar më shumë vota, përkatësisht që arrinë të sigurojë shumicën parlamentare t'ja jap mandatin për formimin e qeverisë së re të vendit. (REL)