Shefi i Grupit Parlamentar të Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës, Slavko Simiq, i ka bërë thirrje qeverisë dhe institucioneve të vendit që të “fillojnë me zbatimin e marrëveshjes për krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe” dhe njëkohësisht ka kërkuar që, siç tha, “të mos kundërshtohet procesi i krijimit të Asociacionit”.
“Çelësi i mbijetesës së popullit serb, që duhet të vazhdojë të jetojë në Kosovë dhe të bashkëjetojë e ta ndërtojë të ardhmen me shqiptarët, është krijimi i Asociacionit të Komunave Serbe”, tha Simiq.
Paraqitja e shefit të Grupit Parlamentar të Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës vie pas shumë javësh të bojkotimit të punës së institucioneve të vendit, por Simiq përpara deputetëve tha se „realisht kushtet nuk janë përmbushur plotësisht, sepse të gjtihë duhet të jenë të vetëdijshëm se sa i vështirë është kthimi në institucione“, siç tha, "ku injorohen kërkesat dhe nevojat e bashkësisë“.
Një pjesë e grupit parlamentar të Listës Serbe u kthye të enjten në Kuvendin e Kosovës, pasi, siç thanë, "nuk kanë ndryshuar shumë as pas dy herë të bojkotimit të institucioneve“.
Simiq tha se Lista Serbe do të vazhdojë që përmes përfaqësuesve të saj politik të luftojë për të drejtat e bashkësisë serbe.
"Do të luftojmë kryesisht përmes institucioneve qendrore dhe të përmbushim qëllimet tona. E ky është pozicionimi më i fuqishëm institucional dhe respektimi i të drejtave të popullit serb që jeton në Kosovë“, tha Simiq.
Ai bëri me dije se Lista Serbe që përfaqësohet në Kuvend do të vazhdojë të jetë kundër Ligjit për Trepcën dhe Ligjit për Investime Strategjike sepse, sic tha, „janë miratuar pa konsulta me bashkësinë serbe dhe në dëm të saj”.
Deputetët e Listës Serbe, që i takojnë Lëvizjës së Socialistëve dhe Slobodan Petroviqi nga Partia Liberale, po marrin pjesë në seancën për buxhetin e Kosovës, ndërkohë që deputetët e Partisë Përparimtare Serbe po vazhdojnë ta bojoktojnë atë.
Përçarja brenda Listës Serbe erdhi pas shkarkimit të ish ministrit të Pushtetit Lokal, Lubomir Mariq nga radhët e Partisë Përparimtare Serbe.
Simiq e njoftoi Kuvendin e Kosovës se Grupi Parlamentar i Listës Serbe nuk numëron më 11 deputetë, por 9, meqë dy deputetët e saj, Nenad Rashiq dhe Adem Hoxha janë përjashtuar nga Grupi, “për shkak të krizës politike brenda Listës Serbe”. (REL)
Facebook Forum