Ndërlidhjet

PDK – LDK pajtohen për buxhetin


Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i Kosovës

Partitë e koalicionit qeveritar kanë harmonizuar qëndrimet për buxhetin e vitit 2017 dhe se si i tillë ai pritet që të miratohet deri në fund të këtij viti, i thanë Radios Evropa e Lirë zëvendësministrat në Ministrinë e Financave.

Zëvendësministri i Financave nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Isni Kilaj, ka thënë se kanë arritur pajtueshmëri të kërkesave që ata i kanë paraqitur.

“Ne jemi harmonizuar, jemi dakorduar me kërkesat që ka pasur Partia Demokratike e Kosovës dhe nuk kemi më telashe dhe besoj që buxheti do të aprovohet. Pra, buxheti do të aprovohet gjithsesi”, ka bërë të ditur Kilaj.

Partia Demokratike e Kosovës fillimisht nuk ishte pajtuar me buxhetin e vitit 2017, për shkak të ndarjes dhe planifikimit të tij. Ata kishin shprehur ankesa tek ndarja e mjeteve të buxhetit në projektet infrastrukturore. PDK kishte aluduar që mjete të shumta kishin shkuar në ministri të cilat udhëhiqen nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Buxheti i Kosovës për vitin 2017 tashmë i është proceduar Kuvendit, ku pas shqyrtimit nëpër komisionet përkatëse, pritet të dalë në Kuvend për miratim.

Zëvendësministri i Financave nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Agim Krasniqi, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se kërkesat e ngritura nga partneri i koalicionit, apo edhe kërkesat që mund të dalin nga partitë opozitare, janë çështje që rregullohen.

“Çështjet e buxhetit janë diskutuar në nivele politike. Ka pasur disa kërkesa që kanë ardhur nga PDK - partneri i koalicionit. Ajo çka është më rëndësi është duke u diskutuar që kjo çështje të tejkalohet. Unë besoj që kjo ka mundësi. Asnjëherë nuk ka ndodhur që të mos ketë amandamentim mes dy leximeve. Këto kërkesa prej partnerit të koalicionit, por edhe partive opozitare apo deputetëve, janë çështje që mund të rregullohen në mes dy leximeve”, thekson Krasniqi.

Sipas procedurave ligjore, buxheti i Kosovës, ka thënë Krasniqi duhet të miratohet deri më 31 dhjetor.

Nëse buxheti nuk arrin të miratohet në Kuvendin e Kosovës, sipas afatit kohor, në bazë të Ligjit për Menaxhimin e Financave, në tre muajt e parë të vitit të ardhshëm shpenzimet buxhetore duhet të realizohen në 1/12 e buxhetit të këtij viti, që sipas Krasniqit mund të sjell implikime.

“Që të mos futemi në këto faza, pasi që ka implikime të shumta, duhet të miratohet buxheti me kohë. Nga viti i ardhshëm do të jetë bukur problem çështja e pagesave, pasi që ka pasur ndryshime brenda këtij viti. Çështja e skemave sociale, duke përfshirë edhe veteranët, është problematike të fillohet me buxhetin fillestar që është 1/12 e buxhetit të këtij viti”, thekson Krasniqi.

Buxheti i Kosovës për vitin e ardhshëm do të jetë mbi 2 miliardë euro, kurse pjesa më e madhe do të gjenerohet nga të hyrat fiskale.

Prej 2 miliardë eurosh të planifikuara, rreth 730 milionë euro do të shkojnë në investime kapitale, apo për ndërtimin e rrugëve.

Për ekspertët e çështjeve ekonomike dhe përfaqësues të bizneseve në Kosovë, ky orientim i mjeteve të buxhetit të shtetit ishte theksuar si mënyrë jo e mirë dhe pa efekte të mëdha në zhvillimin ekonomik të vendit. (REL)

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG