VMRO DPMNE-ja e ish kryeministrit, Nikolla Gruevski ka fituar ndaj LSDM-së në zgjedhjet e së dielës, por me një dallim të ngushtë prej rreth 15 mijë votave.
Kështu bëhet e ditur nga rezultatet e para të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve. VMRO-ja ka fituar rreth 450 mijë vota, apo 38 për qind, kurse LSDM-ja 436 mijë apo rreth 37 për qind, megjithëse ende nuk ka një rezultat sa i përket ndarjes së mandateve.
Tek partitë politike shqiptare, BDI-ja e Ali Ahmetit ka marrë më shumë vota, rreth 86 mijë, apo rreth 7 për qind, ndërsa e dyta është renditur Lëvizja BESA, me afër 57 mijë vota apo rreth 5 për qind.
Sipas KSHZ-së, në votime kanë dalë 67.66 për qind e trupit të përgjithshëm votues prej 1.8 milionë qytetarë me të drejtë vote.
Në mungesë të rezultatit zyrtar dhe diferencës së ngushtë mes partive politike, Lidhja Social demokrate dhe VMRO DPMNE-ja kanë shpallur fitoren në zgjedhjet e jashtëzakonshme të së dielës, që kaluan në atmosferë kryesisht të qetë dhe korrekte, me disa parregullsi që besohet të mos kenë ndikuar në rezultatin zgjedhor.
“Ju keni shkruar historinë, do të keni se çfarë t'u tregoni fëmijëve tuaj, nipërve tuaj. Unë krenohem me ju, Maqedonia krenohu me ju. Regjimi u mposht, fitoi e ardhmja. Këto janë momente historike, dëshmuam dhe me shumë përkushtim i treguam gjithë botës se mundemi. Maqedonia do të jetë e lirë, demokratike dhe më përparuese”, ka deklaruar Zoran Zaev, kryetar i Lidhjes Social-Demokrate.
Pak më vonë fitoren e ka shpallur edhe VMRO DPMNE-ja e ish kryeministrit Nikolla Gruevski.
“Sot fitoi VMRO DPMNE dhe koalicioni "Për Maqedoninë më të mirë". Sot fitoi edhe Republika e Maqedonisë. Kjo është fitorja e dhjetë më radhë e VMRO DPMNE-së. Pjesa më e madhe e qytetarëve të Maqedonisë votuan për vizionin tonë, ekipin dhe mënyrën se si punojmë dhe planifikojmë të punojnë në të ardhmen”, ka deklaruar Gruevski.
Sa i përket bllokut politik shqiptar, ata kanë shënuar rezultat shumë më të dobët nga zgjedhjet e kaluara, duke humbur një numër të madh të mandateve.
Këtë e ka pranuar edhe Bashkimi Demokratik për Integrim, duke fajësuar për këtë numrin e madh të partive politike. Pavarësisht kësaj, edhe partitë shqiptare kanë shpallur veten si fituese të zgjedhjeve.
“Me hidhërim e them se shqiptarët kanë humbur mandate. BDI-ja ka fituar zgjedhjet, por mua më ka interesuar që në radhë të parë të fitojnë shqiptarët dhe nuk më gëzon fitorja e Bashkimit Demokratik për Integrim. BDI-ja do të mbetet e vendosur në drejtim të mbrojtjes së doktrinës së vet të paraqitur para shqiptarëve të Maqedonisë”, ka deklaruar kryetari i partisë, Ali Ahmeti.
Lëvizja Besa, subjekti më i ri politik shqiptar, që edhe ka paraqitur befasinë më të madhe për humbjen e votës shqiptare, ka fajësuar politikat e BDI-së që kanë çuar në dëshpërimin e madh të shqiptarëve.
“Në këto zgjedhje ka humbur BDI-ja dhe kanë fituar shqiptarët. Ata prej nesër - shqiptarët e Maqedonisë - do të kenë përfaqësimin e tyre në institucionet e këtij shteti, në Parlamentin e Maqedonisë dhe do të jenë krenarë me përfaqësuesit e tyre në institucione”, ka deklaruar Bilall Kasami, Kryetar i Lëvizjes Besa.
Humbjen e thellë në zgjedhje e ka pranuar Partia Demokratike Shqiptare, e cila tani radhitet si forca e fundit politike ndër shqiptarë. Kryetari i saj, Menduh Thaçi, tha se fituese e zgjedhjeve është Lëvizja Besa dhe humbëse BDI-ja e Ahmetit.
“Kjo është një betejë e humbur, megjithatë, më lejoni të theksoj se zgjedhjet shpallën fituesit e vërtetë tek shqiptarët. BDI-ja i ka humbur zgjedhjet në mënyrë katastrofale. Zgjedhjet tek shqiptarët i fitoi lëvizja Besa, në koalicion me RDK-në, dhe unë personalisht ju uroj fitoren dhe u dëshiroj suksese”, ka deklaruar Thaçi, duke i ofruar të gjithë mbështetjen pa kushtëzime subjektit të ri politik.
Zgjedhjet e së dielës janë vlerësuar si historike, për shkak të krizës së gjatë politike në të cilën ndodhet Maqedonia, për shkak të aferës së përgjimeve, që ka përfshirë zyrtarët më të lartë shtetëror.
Procesi zgjedhor është mbikëqyrur nga rreth 8 mijë vëzhgues vendorë dhe ndërkombëtarë, të cilat gjatë ditës së hënë pritet të dalin me vlerësimin paraprak mbi rrjedhën e procesit zgjedhor.
Maqedonia votoi: Pjesëmarrje e lartë në zgjedhje
Maqedonia ka mbyllur vendvotimet e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, me një pjesëmarrje të qytetarëve që vlerësohet të jetë e lartë.
Në bazë të njoftimeve të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, deri në ora 17:00, mbi 60.39 % e qytetarëve me të drejtë vote kanë marrë pjesë në zgjedhje.
Krahasuar me zgjedhjet e fundit parlamentare të prillit të 2014 pjesëmarrja e votuesve është për 7 % më e lartë.
Kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Aleksandar Çiçakovski, tha se pjesëmarrja më e madhe është shënuar në rajonin e juglindjes, në Strumicë dhe Kavadarci, me rreth 67 për qind të zgjedhësve – ku po zhvillohet beteja ndërmjet liderit të partisë në pushtet, VMRO DPMNE, dhe liderit të opozitës LSDM.
Numri më i vogël i votuesve të regjistruar u shënua në njësinë e gjashtë zgjedhore (Tetovë dhe Gostivar) me 48.82 për qind, ndërkohë që në Shkup kanë votuar mbi 66 për qind e votuesve.
Kryetari i KSHZ-së, Çiçakovski, tha se zgjedhjet kryesisht janë realizuar në frymë demokratike, megjithëse mbi 300 ankesa të qytetarëve i janë drejtuar Komisionit për, siç thuhet, shkelje të të drejtës së votës.
Organizatat joqeveritare që kanë vëzhguar procesin zgjedhor kanë raportuar për një varg parregullsish, të cilat e kanë përcjellë procesin e votimeve.
“Mbi 2 mijë qytetarë nuk kanë arritur të realizojnë të drejtën e votës, sepse nuk kanë figuruar në regjistrin zgjedhor”, ka deklaruar drejtori i Qendrës Civile për Liri, Xhabir Deralla.
Sipas tij “Komisionet Zgjedhore vazhdojnë të shkelin procesin zgjedhor”.
Në zgjedhjet e jashtëzakonshme në Maqedoni janë hapur gjithsej 3,480 vendvotime kurse në garë kanë qenë 6 parti politike dhe pesë koalicione me gjithsej 1,092 kandidatë.
Partitë vlerësojnë procesin zgjedhor
Partitë politike kanë dhënë vlerësimet e para për zgjedhjet e së dielës, të cilat sipas dy partive politike kryesore maqedonase, kanë kaluar në atmosferë të qetë, por me parregullsi që kanë qenë të pranishme edhe në ciklet e kaluara zgjedhore.
"Qytetarët e Maqedonisë kanë dëshmuar se duan ndryshime”, ka thënë Damjan Mançevski nga LSDM-ja opozitare. Megjithatë, ai ka shtuar se pushteti edhe kësaj radhe nuk është përmbajtur nga presionet e shumta ndaj votuesve për të votuar kundër bindjeve të tyre.
Nga VMRO DPMNE-ja e Nikolla Gruevskit gjithashtu kanë folur për proces demokratik zgjedhor, por pa hyrë në detaje lidhur me pritjet nga rezultatin zgjedhor.
Edhe Bashkimi Demokratik për Integrim është shprehur me vlerësime pozitive lidhur me mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.
“Çdo herë kur BDI-ja organizon zgjedhje, ato janë të lira dhe demokratike”, ka deklaruar zëdhënësi i kësaj partie, Bujar Osmani.
Por, nga lëvizja Besa, subjekti i ri politik në këto zgjedhje kanë denoncuar një sërë parregullsish zgjedhore si presione ndaj votuesve, votime të dyfishta, fshirje nga lista e votuesve e të tjera.
“Pavarësisht këtyre presioneve, qytetarët ishin të vendosur për të mbrojtur vullnetin e qytetarëve të shprehur në zgjedhje” kanë deklaruar nga lëvizja Besa.
* * *
Maqedonia voton
Në orën 7:00 të mëngjesit në Maqedoni ka nisur procesi zgjedhor për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare.
Të drejtë vote kanë rreth 1.8 milionë shtetas, të cilët duhet të zgjedhin përbërjen e re parlamentare prej 120 deputetësh.
Sipas të dhënave të para të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, të gjitha 3,480 qendrat e votimit janë hapur me kohë dhe për momentin nuk janë regjistruar parregullsi.
Edhe organizatat që po vëzhgojnë procesin zgjedhor, përveç disa aspekteve të vogla teknike, nuk kanë raportuar për parregullsi.
Asociacioni “MOST”, që vëzhgon procesin zgjedhor me numrin më të madh të vëzhguesve, në konferencën e parë për shtyp, ka bërë të ditur se dy vendvotime në Maqedoni janë hapur me vonesë, prej 15 minutash në Kumanovë dhe prej 30 minutash në Veles, ndërkohë që janë regjistruar dhe dy raste të fotografimit të fletëvotimeve.
“Në lagjen ‘Gjorce Petrov’ të Shkupit një votues e ka fotografuar fletëvotimin me ç`rast është thirrur dhe policia për t’i arrestuar personat, të cilët kanë shkelur ligjin dhe kanë fotografuar fletën e votimit”, ka nënvizuar kryetari i asociacionit “MOST”, Darko Aleksov.
Taip Nuredini, vëzhgues në vendvotimin në lagjen Çair të Shkupit, për Radion Evropa e Lirë ka bërë të ditur se tërë procesi zgjedhor është duke u realizuar me rregull dhe se nuk janë regjistruar ankesa nga ana e qytetarëve
“Gjithçka është në rregull, të gjitha vendvotimet në lagjen Fushë Topanë të Shkupit janë hapur në orën shtatë të mëngjesit dhe i tërë procesi deri më tani është në rregull, nuk kemi pasur asnjë ankesë nga ana e qytetarëve”, ka thënë Nuredini.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Maqedoni erdhën si pasojë e krizës së thellë politike, në të cilën ndodhet vendi që nga zgjedhjet e vitit 2014, e në veçanti pas asaj që njihet si aferë e përgjimeve që lëkundi stabilitetin e vendit me trazirat më të mëdha që nga pavarësia e saj, 25 vjet më parë.
Në garë për mandate janë 11 lista të partive dhe koalicioneve partiake, katër prej të cilave janë të subjekteve politike shqiptare. Beteja kryesore zhvillohet mes VMRO DPMNE-së, LSDM-së, BDI-së, PDSH-së, Lëvizjes Besa dhe Aleancës për Shqiptarët.
Zgjedhjet mbahen sipas sistemit proporcional me lista të mbyllura dhe ato po zhvillohen në gjashtë njësi zgjedhore ku çdonjëra prej tyre nxjerr nga 20 deputetë.
Një ditë më parë, të shtunën, votimet janë mbajtur në diasporë, ku nga dalja në votime do të varet nëse do të ketë edhe tre apo më pak deputetë shtesë në institucionin e ri ligjvënës.
Nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve thanë se fletët e votimit dhe materiali tjetër i nevojshëm për realizimin e procesit zgjedhor, është shpërndarë me kohë dhe presin që zgjedhjet të kalojnë në atmosferë demokratike.
Procesi i votimit po monitorohet nga rreth 5 mijë vëzhgues vendorë dhe ndërkombëtarë.
“Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka akredituar 4,047 vëzhgues nga gjashtë organizata vendore, rreth 650 vëzhgues të huaj, 60 gazetarë, përkthyes dhe personel tjetër që do të jetë pjesë e procesit të vëzhgimit të procesit zgjedhor”, deklaroi Lupka Guguçevska, zëdhënëse e KSHZ-së.
Numrin më të madh të vëzhguesve të huaj e ka misioni i OSBE-ODIHR, pastaj Këshilli i Evropës dhe Parlamenti Evropian. Përfaqësuesit e ambasadave dhe misioneve të huaja diplomatike në vazhdimësi kanë bërë thirrje për zgjedhje të lira dhe demokratike si kusht kryesor për kthimin e Maqedonisë në normalitet.
Për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor janë angazhuar edhe forca të shumta policore të pranishme në të gjitha vendvotimet. Për prishjen apo pengimin e procesit zgjedhor në bazë të ndryshimeve të reja të Kodit Zgjedhor parashihen dënime të ashpra që nga gjobat që sillen deri në 5 mijë euro e deri në dënime prej 3 deri më 5 vjet burg në rast të mbushjes së kutive të votimit apo mashtrimeve zgjedhore.(REL)
Facebook Forum