Trendi i shuarjes së bizneseve në Kosovë, viteve të fundit, po shënon rritje. Sipas të dhënave zyrtare, nga janari i këtij viti e deri më tani, janë mbyllur mbi 2,200 biznese. Përderisa në vitin 2015 ishin rreth 2,200 biznese të shuara, ndërsa në vitin 2014, sipas Ministrisë se Tregtisë dhe Industrisë, qenë mbyllur mbi 1,600 biznese.
Ekspertë të çështjeve ekonomike shprehin shqetësimin se pikërisht politikat jo favorizuese, ekonomia jo ligjore, korrupsioni dhe kamatat e larta të kredive, po ndikojnë në mbylljen e bizneseve.
Mbyllja e tyre, nënvizojnë ekspertët, sjell si pasojë edhe në shuarjen e vendeve të punës.
Drejtori Ekzekutiv në Odën Ekonomike Amerikane në Prishtinë, Arian Zeka, tha për Radion Evropa e Lirë se bizneset që në mënyrë vullnetare shuhen, vlerësohen biznese të reja dhe të vogla të cilat nuk mund t'i rezistojnë konkurrencës së madhe që ekziston në tregun e Kosovës.
Tutje, Zeka përmend se në këtë kuadër ndikojnë edhe procedurat burokratike që aplikohen në Kosovë.
“Duke e ditur edhe madhësinë e tregut kosovar dhe pamundësinë e bizneseve që të shtrijnë veprimtarinë e tyre ose të eksportojnë produktet jashtë vendit. Dhe në një situatë të tillë, është e pritshme që një numër i madh i bizneseve të mos arrijnë të mbijetojnë në një konkurrencë të tillë”, tha Zeka.
Në anën tjetër, profesori i ekonomisë, Muhamet Sadiku, thotë se arsyet e shuarjes duhet të jenë ekonomike dhe jo politike.
Sipas tij, bizneset e mëdha - të cilat janë të lidhura më politikën dhe kanë kapital të madh në qarkullim - në njëfarë mënyre i largojnë nga tregu bizneset e vogla.
“Politika mund të ndikojë, sepse krijohet një mjedis politik jo i favorshëm për të treguar suksesin e duhur nga këto kompani. Pengesë e madhe është korrupsioni, tenderomania dhe klientelizimi i cili është prezent në Kosovë”, shprehet Sadiku për Radion Evropa e Lirë.
Arian Zeka, ndërkaq, thotë se asociacionet e bizneseve kanë kërkuar nga Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve, e cila funksionon në kuadër të Ministrisë se Tregtisë dhe Industrisë, që të bëjë një analizë për arsyet pse po ndodhin shuarjet, si dhe të publikohet struktura e bizneseve të shuara.
“Kjo do t'i ndihmonte jo vetëm ata, por edhe ndërmarrësit potencialë në vendin tonë, por edhe investitorët e huaj se cila është struktura e bizneseve që mbyllen. A janë biznese që janë në pronësi të ndërmarrësve të rinj, apo biznese në pronësi të femrave? Duke e ditur se këta dy të fundit kanë qasje më të vështirësuar në financa, do të dilnim me një konkluzion tjetër, mos është qasja në financa ajo që po detyron bizneset të mbyllen", thekson Zeka.
Por, zyrtarë të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se shuarja vullnetare nuk kërkon ndonjë arsye të veçantë dhe se kjo është një dukuri, që sipas tyre, ndodh në të gjitha shtetet e zhvilluara.
Sidoqoftë, përveç rritjes së numrit të mbylljes së veprimtarive të bizneseve, rritje ka shënuar edhe regjistrimi i bizneseve të reja.
Gjatë këtij viti në Ministrisë e Tregtisë dhe Industrisë janë regjistruar rreth 10 mijë biznese të reja, mbi 9,500 qenë regjistruar vitin e kaluar, kurse mbi 8,000 ishte numri i bizneseve që janë regjistruar vitin 2014. (REL)
Facebook Forum