Ndërlidhjet

Libra anti-semit në rrugët e Prishtinës, Thaçi kërkon hetime


Libra anti-semit në sheshin "Nëna Terezë" në Prishtinë
Libra anti-semit në sheshin "Nëna Terezë" në Prishtinë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka kërkuar nga organet kompetente që të fillojnë hetimet për shitjen e librave anti-semite në rrugët e kryeqytetit të Kosovës.

Kërkesa e Thaçit u bë pas ankesës së dy ekspertëve të anti semitizmit, shtetas izraelitë, Ido Daniel dhe Shimon Samuels, nga Qendra Simon Wiesental, të cilët i drejtuan një letër presidentit të Kosovës.

Gjatë një vizite në Kosovë, Ido Daniel ka vërejtur në rrugët e Prishtinës shitjen e librave anti – semite.

Libër shitës ambulantë kanë shitur në rrugë librin Main Kampf të Adolf Hitlerit.

Një këshilltar i presidentit, Ardian Arifaj, e ka konfrimuar për Radion Evropa e Lirë kërkesën e zotit Thaçi për hetimin e menjëhershëm të rastit dhe marrjen e të gjithë hapave të nevojshëm për të penguar përhapjen e urrejtjes dhe shkeljen flagrante të Kushtetutës.

“Presidenti, me të marrë një njoftim të tillë, ka reaguar menjëherë dhe ka kërkuar nga organet kompetente që edhe ta hetojnë rastin, por edhe të veprojnë në përputhje me ligjet e Kosovës, me Kushtetutën e Kosovës - nëse vërtetohet që ka përhapje të urrejtjes”.

“Kosova, si shtet, është ndërtuar mbi dokumentet dhe konventat më të rëndësishme ndërkombëtare, që mbrojnë dhe promovojnë të drejtat dhe liritë e njeriut të të gjitha komuniteteve dhe dokumentet e shtetit të Kosovës e ndalojnë përhapjen e urrejtjes në Kosovë në çfarëdo forme. Shoqëria kosovare është shoqëri që promovon tolerancën, dialogun ndërmjet komuniteteve, feve dhe është e përcaktuar qartë që të luftojë çfarëdo radikalizmi dhe ekstremizmi”, ka thënë Arifaj.

Presidenti Thaçi, në përgjigje të letrës së dy shtetasve izraelitë, ka shprehur shqetësimin për përpjekjet e individëve që t’ia prezantojnë Kosovës ideologjitë radikale dhe kërcënuese.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG