Ndërlidhjet

Peticioni “Drejtësi për Astritin” në duart e deputetëve 


Shoqëria civile duke dorëzuar peticionin në Kuvend
Shoqëria civile duke dorëzuar peticionin në Kuvend

Përfaqësuesit e shoqërisë civile kanë dorëzuar në Kuvendin e Kosovës peticionin me mbi 20 mijë nënshkrime të qytetarëve me kërkesën për debat parlamentar për rastin e vdekjes së aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari në burgun e Prizrenit, më 5 nëntor.

Peticioni “Drejtësi për Astritin”, është dorëzuar në administratën e Kuvendit dhe pritet t’i dorëzohet Komisionit për të Drejtat Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione.

Drejtoresha e organizatës Iniciativa Kosovare për Stabilitet, Florina Duli, pjesë e organizatave që kanë organizuar peticionin, tha për Radion Evropa e Lirë se pas shqyrtimit të kërkesave dhe vet peticionit nga organet kompetente, pritet të mbahet edhe një seancë ku do të flitet për rastin në fjalë.

"Kemi diku 25 mijë persona të cilët janë nënshkruar në peticion. Është një numër më i lartë se sa që kemi shpresuar dhe që na është dashur. Mirëpo, ne kemi dashur të jemi shumë korrekt dhe kemi filtruar nënshkruesit e peticionit dha ata të cilët nuk kanë pasur letërnjoftimet me vete i kemi larguar nga lista. Tash numri final i të nënshkruarve është 23, 774 veta", tha Duli.

Bashkë me nënshkrimin e peticionit, përfaqësuesit e organizatave joqeveritare kanë dorëzuar edhe kërkesat kryesore të organizatorëve janë për hetim të pavarur dhe transparent për rastin, si dhe kërkesa për dorëheqjen e udhëheqësve të Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme për mosgatishmërinë morale e ligjore për të kërkuar dhe dhënë përgjegjësi.

Duli thotë se janë në dijeni që peticionet të cilat janë organizuar dhe dorëzuar në institucione nuk kanë dhënë efektet e duhura, por siç thotë ajo, ky peticion është organizuar nga shoqëria civile dhe pritet të shqyrtohet drejt.

"Ne si qytetarë mendojmë se do ta zgjojmë ndërgjegjen e fjetur të deputetëve. Nëse nuk merret parasysh ne do të gjejmë mënyra të tjera të protestës derisa ta arrijmë një efekt dhe do t'i kërkojmë Kuvendit dhe qeverisë përgjegjësi", tha Duli.

Kurse, zëvendëskryetarja e parë e Komisionit për të Drejtat Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione, Salihe Mustafa, deputete e Partisë Demokratike të Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se pas pranimit të peticionit do të caktohet një mbledhje në të cilën do të diskutohet.

"Do të caktojmë mbledhjen e komisionit dhe do ta shqyrtojmë peticionin në bazë të Rregullores së Kuvendit dhe do të shohim se çka do të vendos komisioni; a do ta dërgojmë në kryesi apo do të vendosim për seance, por do të shqyrtohet në komision", tha Mustafa.

Shoqëria civile ka organizuar paraprakisht dhe disa protesta në shumicën e komunave kryesore në Kosovës me kërkesën “Drejtësi për Astritin”.

​Po ashtu, është kërkuar nisja e menjëhershme e ndjekjes penale të përgjegjësve që dështuan të garantojnë sigurinë e jetës së Astritit në institucionet e shtetit dhe shkarkimin e zyrtarëve përgjegjës në tërë zinxhirin hierarkik për mos trajtimin dinjitoz të Astritit në qendrën e paraburgimit edhe pas vdekjes së tij.

Përpjekje për thirrje të një seance të jashtëzakonshme pati bërë edhe Lëvizja Vetëvendosje, por nuk arriti t’i siguronte 40 nënshkrime të deputetëve.

Pas pranimit të peticionit të qytetarëve, i mbetet Kryesisë së Kuvendit që në bazë të Rregullores së Punës së Kuvendit, të vendos nëse janë plotësuar kushtet ligjore për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme për rastin e Astrit Deharit.

Aktivisti i Vetëvendosjes, Astrit Dehari, 26 vjeç,vdiq në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, më 5 nëntor. Ai po mbahej në paraburgim nën dyshimet për sulm ndaj Kuvendit të Kosovës, i cilësuar si akt terrorist. (REL)

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG