Kryeprokurori i Shtetit të Kosovës, Aleksandër Lumezi, ka pritur sot në një takim pune kryeprokurorin e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, David Schwendiman.
“Në këtë takim dy kryeprokurorët diskutuan për organizimin, funksionet, kompetencat dhe juridiksionin e Dhomave të specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar”, thuhet në njoftimin për media.
Gjithashtu, gjatë këtij takimi u diskutua edhe për bashkëpunimin e Zyrës së Prokurorit të Specializuar me Prokurorin e Shtetit, konkretisht me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.
Kryeprokurori Lumezi, sipas të njëjtit njoftim, ka theksuar gatishmërinë e tij për të kontribuar në funksion të fuqizimit të sundimit të ligjit në Kosovë duke i ofruar kryeprokurorit Schëendiman bashkëpunim të plotë nga ana e tij.
“Do t’i ofrohet bashkëpunim Zyrës së Prokurorit të Specializuar, sa herë që do të jetë e nevojshme për zhvillimin e hetimeve dhe ndjekjen penale të personave që dyshohen për kryerjen e krimeve brenda juridiksionit lëndor të Dhomave të Specializuara, si dhe për përmbushjen e përgjegjësive të tjera, të dala nga ligji”, thuhet në njoftim.
Prokurori i Specializuar, David Schwendiman (nga Gjykata Speciale për krime lufte) do të qëndroj në Prishtinë dhe në Beograd më datat 7 deri më 11 nëntor.
Në Prishtinë, Schwendiman do të takohet me përfaqësues të qeverisë, kryeprokurorin e shtetit, dhe zyrtarë të EULEX-it dhe të bashkësisë ndërkombëtare.
Kurse në Beograd, ai do të takohet me përfaqësues të qeverisë, të Prokurorisë për Krime Lufte, dhe të bashkësisë ndërkombëtare.
Dhomat e specializuara do të trajtojnë çështjet që dalin nga raporti i Dick Martit, që u shndërrua në raport të Këshillit të Evropës, e që “fajëson ish-pjesëtarë të UCK-së, për krime lufte përfshirë edhe trafikim të organeve njerëzore”.
Gjykata Speciale do të merret me akuzat për krime gjatë viteve 1999-2000, të ngritura ndaj pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ajo financohet nga Bashkimi Evropian dhe vepron në përputhje me ligjet e Kosovës.