Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin për Buxhetin e vitit 2017. Buxheti i Kosovës për vitin e ardhshëm u tha se do të jetë 2 miliardë euro.
Kryeministri Isa Mustafa tha në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës se pjesa më e madhe e buxhetit gjenerohet nga të hyrat fiskale.
“Ky është buxhet zhvillimor, buxhet rreth 2 miliardë euro. Pjesa më e madhe e të hyrave gjenerohet nga te hyrat fiskale dhe jo fiskale”, tha Mustafa.
Kurse, Ministri i Financave, Avdullah Hoti, siguroi se Projektligji që kaloi në Qeveri është i hartuar në pajtim me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe pritet që të ndikojë në rritjen ekonomike mbi 4 për qind në vitin e ardhshëm.
Tani, procedurat kërkojnë që Projektligji t’i dorëzohet Kuvendit të Kosovës, ku pas shqyrtimit nëpër komisionet përkatëse, pritet të vihet për miratim, para datës 20 dhjetor të këtij viti.