Ndërlidhjet

Gashi: Beogradi nuk ka hise në Trepçë 


Intervistë me kryetarin e bordit të AKP-së
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:37 0:00

Intervistë me kryetarin e bordit të AKP-së

Kryetari i Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Petrit Gashi, i tha Radios Evropa e Lirë se “Serbia nuk ka hise në asnjë pronë në Kosovë” dhe se “Beogradi është i vetëdijshëm se Trepça është pronë e Kosovës”.

Gashi ka thënë se çështja e Trepçës është më shumë ‘politike’ dhe një “çështje shumë komplekse që duhet shikuar jo vetëm nga ky prizëm, por edhe nga aspekti ekonomik dhe ai i sigurisë”.

Ai tha se nëse deri më 1 Nëntor nuk gjendet zgjidhja për Trepçën, Kombinati shkon në proces të likuidimit.

“Nëse eventualisht ky afat, që kërkon ndryshime në legjislacion përkatës, shtyhet për një kohë tjetër, do të mundësonte përgatitjen e një plani drejt zgjidhjes përfundimtare”, tha Gashi.

Kryetari i Bordit të AKP-së, Petrit Gashi tha se “Trepça ka edhe 11 asete në territorin e Serbisë dhe 6 të tjera në Bosnjë dhe Kroaci”.

Radio Evropa e Lirë: Statusi i kombinatit metalurgjik “Trepça” ka kohë që është temë debati në Kosovë. Sipas jush, cila është zgjidhja më e mirë për gjigantin që gjendet në Mitrovicë?

Petrit Gashi: Çështja e “Trepçës” është një ndër temat më të rëndësishme në kuadër të ekonomisë, që është diskutuar në vitet e fundit. Por, gjatë vitit 2016 është trajtuar më seriozitetin më të madh, për mënyrën se si t’i gjendet zgjidhja përfundimtare gjigantit çfarë është “Trepça”. Gjatë këtij viti është diskutuar me të gjitha instancat apo aktorët që janë përfshirë me Trepçën, përfshirë këtu Qeverinë, Kuvendin dhe Agjencinë Kosovare të Privatizimit.

Ne si administratorë të Trepçës, është menduar, është shqyrtuar, është analizuar në mënyra të ndryshme se si ta trajtojmë “Trepçën”. Janë marrë raste të ndryshme studimore prej vendeve të ndryshme se si i kanë trajtuar gjigantet e tilla.

Ne si AKP, kemi iniciuar një studim të fizibilitetit tashme kohëve të fundit, i cili është në proces dhe i cili do të jap disa përgjigje se si duhet transformuar përfundimi i Trepçës.

Të them të drejtën zgjidhja për Trepçën nuk është e lehtë, ne po e shohim edhe projekt-ligjin që dje është proceduar në Kuvend. Edhe ai ligj në një formë krijon hapësira, është tejet fleksibil për zgjidhje përfundimtare të Trepçës, për arsye se thjesht nuk është e lehtë që të gjendet një zgjidhje e lehtë përfundimtare, e cila do t’i marrë për bazë të gjitha interesat e të gjithëve dhe dimensionet e Trepçës.

Duhet ta kuptojmë kompleksitetin e Trepçës në përgjithësi, ta shohim jo vetëm prej prizmit ekonomik, por edhe prizmit politik, të sigurisë dhe të tjera. Kështu që në tërësi është një hap shumë kompleks dhe duhet të jetë shumë mirë i menduar, para se të gjendet një zgjidhje përfundimtare.

Radio Evropa e Lirë: Sa herë që është diskutuar “Trepça” kanë ndërhyrë autoritetet në Beograd, duke thënë se pronari i vetëm i Kombinatit është Serbia dhe problemi i Trepçës ’pa të nuk mund të zgjidhet’. A ka hise Serbia në këtë kombinat?

Petrit Gashi: Serbia nuk ka hise në asnjë pronë në Kosovë. Në bazë të legjislacionit mbi të cilin funksion AKP- ja të gjitha pronat janë prona të Kosovës, duke përfshirë këtu edhe Trepçën. Në atë mënyrë ne e kemi trajtuar këtë kombinat dhe kemi bashkëpunuar, pa marrë parasysh se a flasim për operacionet e Trepçës në veri apo në jug. Besoj se është më shumë aspekti politik, pasi jam i bindur se ata janë të vetëdijshëm se Trepça nuk i takon Beogradit, por është pronë e Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Gashi, çka ndodh nëse në seancën e së premtes të Kuvendit të Kosovës nuk miratohet projekt-ligji për Trepçën?

Petrit Gashi: Nëse nuk miratohet Ligji për Trepçën? Nuk dua ta mendoj si alternativë. Kemi afate kohore si agjenci. Si administrator të ‘Trepçës’ kemi një afat, që është si një lloji ‘tmerri’ edhe vetëm ta përmendim 1 nëntorin.

Por, çfarëdo të ndodh më Trepçën me këtë datë, sipas moratoriumit mbi të cilin e përkufizon Trepçën, më 1 nëntor Trepça do të shkojë në likuidim. Nëse eventualisht ky afat, që kërkon ndryshime në legjislacion përkatës, shtyhet për një kohë tjetër, do të na bënte neve të mundur si AKP, bashkë me aktorë tjerë që janë të involvuar në Trepçë, që të përgatisim një plan drejt zgjidhjes përfundimtare të strukturës pronësore të “Trepçës“ ose të transformimit përfundimtar të “Trepçës”.

Radio Evropa e Lirë: Çka nënkupton likuidimi?

Petrit Gashi: Ne zakonisht kur i likuidojmë ndërmarrjet, në esencë, ia vendosim drynin dhe mendojmë që copa –copa të shesim asetet e “Trepçës”.

Prapë po them, ne këtë çështjen e likuidimit e shohim si jashtëzakonisht problematike. Ndoshta në një botë tjetër nuk do të ishte problematike. Kur them se do t'i shisnin, flas për asetet e Trepçës, jo si skrap, prapë ka edhe aty një hapësirë, ose të themelohet një ndërmarrje e re, ose diçka tjetër.

Por, ne në asnjë formë nuk mendojmë që do të shiten minierat apo rezervat, pasi ajo është një çështje tjetër. Por, shpresojmë se ne nuk do të vijmë në një situatë të tillë. Trepça ka nevojë për një zgjidhje të qëndrueshme. Pra, zgjidha e Trepçës është kapitali privat.

Radio Evropa e Lirë: Duke marrë parasysh situatën politike në veriun e Kosovës, ju si AKP, si e menaxhoni kombinatin në pjesën veriore të Mitrovicës?

Petrit Gashi: Ne, të them të drejtën, sidomos viteve të fundit, kemi një bashkëpunim relativisht të mirë me pjesën veriore. Vitin e fundit e kemi dinamizuar shumë këtë bashkëpunim. Përgjithësisht, bashkëpunimi është shumë i mirë, ne bashkëpunojmë me menaxhmentin e operacioneve në pjesën veriore. Marrim raporte të vazhdueshme, qysh marrim edhe prej operacioneve në pjesën jugore, i aprovojmë planet e shitjes, planet e prokurimeve, e të tjera.

Ne, para pak kohe, kemi pasur një vizitë në atë pjesë, nëse nuk gaboj është vizita e parë që ka realizuar Bordi i AKP-së në atë pjesë. Kemi kaluar shumë mirë, kemi diskutuar për të gjitha problemet, për mendimet që i kanë ata në lidhje me zhvillimet që po ndodhin në pjesën e veriut rreth “Trepçës”.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Gashi, një ndër problemet me të cilat është ballafaquar kombinati metalurgjik "Trepça” është borxhi i pretenduar dhe numri i kreditorëve. Në Agjencinë Kosovare të Privatizimit thuhet se kanë arritur disa kërkesa të kreditorëve pretendues. A dihet numri i pretenduesve dhe sa është borxhi i “Trepçës”?

Petrit Gashi: Procedurat për përcaktimin e nivelit të borxhit ose analiza e kreditorëve, që ne i themi, pretendimet së paku janë se borxhet e Trepçës karshi kreditorëve janë dikund 1.6 ose 1.7 miliard euro. Këto janë vetëm pretendime. Procedurat për analizimin e këtyre kreditorëve dhe vendimet përfundimtare për kërkesat që kanë kreditorët karshi Trepçës duhet të kalojë një herë - së paku për momentin po flas - përmes mekanizmave brenda agjencisë, pastaj nëse ka konteste eventualisht, të bartet përmes Dhomës së Posaçme.

Do të thotë, është një procedurë e veçantë, për çfarë unë nuk mund të flas realisht se sa janë borxhet. Ne e kemi bërë një analizë në muajin prill për borxhet e pretenduara karshi “Trepçës” . Është vetëm një analizë e brendshme, që ne nuk kemi dashur ta bëjmë publike, sepse është dizajnuar për nevojat tona dhe e kemi ndarë edhe me akterët tjerë që janë involvuar në “Trepçë” . Pra, sipas analizave tona, që në asnjë mënyrë nuk janë përfundimtare, niveli i borxhit është shumëfish më i vogël se sa pretendetohet prej kreditorëve të ndryshëm.

Radio Evropa e Lirë: Disa prona të kombinatit “Trepça” thuhet se gjenden në Serbi. A keni identifikuar numrin e tyre, ku gjenden dhe a shfrytëzohen nga autoritete atje?

Petrit Gashi: Ne kemi identifikuar pronat e ndërmarrjeve shoqërore jashtë Kosovës, për arsye se legjislacioni mbi të cilin ne funksionojmë na obligon që të menaxhojmë edhe këto prona. Ne kemi identifikuar 185 prona jashtë Kosovës, që kryesisht gjenden në Krahinën e Vojvodinës, në territorin e ish- Jugosllavisë. Prej tyre 17 prona janë të Trepçës; 11 prej tyre janë në Serbi, kurse 3 janë në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe 3 në Kroaci. Ato ne i kemi identifikuar, por kemi hasur në probleme të caktuara në menaxhimin e tyre për shkak të mos njohjes së Agjencisë Kosovare të Privatizimit nga autoritete përkatëse të atyre vendeve. (REL)

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG