Ndërlidhjet

Rao: Janë 107 mijë të zhvendosur brenda dhe jashtë Kosovës që presin ri-integrimin


Shefi i UNHCR-së në Kosovë, Narasimha Rao
Shefi i UNHCR-së në Kosovë, Narasimha Rao

Bazuar në të dhënat që disponon Komisariati i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatë – UNHCR, në Kosovë aktualisht ka 16.713 persona të zhvendosur. Kurse jashtë Kosovës, llogaritet se ka rreth 107 mijë të zhvendosur. Prej tyre, 88 mijë janë në Serbi, mbi 1.400 në Mal të Zi dhe rreth 617 persona në Maqedoni.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, shefi i misionit të UNHCR-it në Kosovë, Narasimha Rao, thotë se sfidat kryesore në lidhje me kthimin e të zhvendosurve mbeten çështja e pronave, ajo e sigurisë, dokumenteve personale e deri te punësimi dhe sigurimi i strehës.

Për faktin se kanë kaluar 16 – 17 vjet jetese në zonat apo lokalitetet ku janë zhvendosur, shumë nga ta, sipas Narasihmo Rao, më tepër po shprehin dëshirën që të integrohen në vendbanimet ku jetojnë aktualisht.

Të zhvendosurit romë, ashkali dhe egjiptian, sipas UNHCR-së, jetojnë në kushtet më të rënda.

UNHCR është e pranishme në Kosovë që nga viti 1992, me mision që t’u dilte në ndihmë refugjatëve, personave të zhvendosur nga shtëpitë dhe pronat e tyre.

Kurse pas luftës, me Rezolutën 12 44 të Kombeve të Bashkuara, është vendosur si mision për të ndihmuar kthimin e të zhvendosurve dhe ri-integrimin e tyre.

Që nga vitit 1999 e këndej, UNHCR ka shpenzuar 240 milionë dollarë, të cilat i ka vënë në funksion të ndihmës për 1 milion personat e zhvendosur gjatë luftës, që të kthehen në pronat dhe shtëpitë e tyre.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Rao, bazuar në statistikat që dispononi, cila është gjendja aktuale me personat e zhvendosur në Kosovë dhe në cilat zona konsideroni se ky fenomen mbetet ende shqetësues?

Rao: Bazuar në të dhënat që disponon UNHCR (Komisariati i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatë), kemi 16,713 persona të zhvendosur në Kosovë. Këto janë të dhëna të UNHCR-së dhe nuk janë të dhëna përfundimtare që bazohen qoftë në të dhënat e autoriteteve të Kosovës apo të ish-autoriteteve serbe, të cilat nuk kanë ofruar ndonjë dokumentacion zyrtar lidhur me këtë.

Sfida kryesore, tash edhe pas 16 – 17 viteve nga konflikti, është se njerëzit ende vazhdojnë të jenë të zhvendosur në pritje të gjetjes së një zgjidhjeje për gjendjen e tyre.

Radio Evropa e Lirë: Sa është i mundur të arrihet një ri-integrim i qëndrueshëm i personave të zhvendosur dhe cilat janë problemet, sfidat kryesore në këtë drejtim - Ju vetëm i përmendët disa?

Rao: Unë do ta përgjithësoja këtë, jo vetëm për personat e zhvendosur që jetojnë në Kosovë, por edhe ata në rajon si rezultat i konfliktit të vitit 1999 dhe më vonë. Sfida kryesore është kthimi i tyre në vendin e origjinës dhe ri-integrimi.

Nëse kthehemi dhe shohim lokacionet ku ata jetojnë tani, shumë vite pasi që janë kthyer, kemi vërejtur se vetëm 50 për qind e tyre ndodhet në ato lokacione. Kjo dëshmon se nuk kemi një kthim të qëndrueshëm. Nuk kemi programe aktuale të qëndrueshme dhe kjo vjen për disa arsye. Një nga arsyet është mungesa e ofrimit të mundësive për punësim si dhe vënia në funksion e aftësive që ata posedojnë për të gjetur një vend pune.

Radio Evropa e Lirë: Si e vlerësoni punën e institucioneve lokale, sa ato kanë bërë që këta njerëz të ri-integrohen?

Rao: Po. Do të thosha që autoritetet janë mjaftë pro-aktive në këtë çështje dhe punojnë së bashku me Kombet e Bashkuara dhe agjencitë tjera ndërkombëtare. Por, nevojitet edhe shumë për t’u bërë. Siç e thash, programi i kthimit nuk ishte i qëndrueshëm për shumë arsye. Disa nga arsyet janë mjaftë të ndjeshme, siç janë për shembull, çështjet e sigurisë, çështjet pronësore, dokumentacioni personal e deri te ekzistimi i projekteve të mira për t’i kthyer pas këta njerëz. Në këto çështje mendoj se duhet të punojmë edhe më me rigorozitet.

Radio Evropa e Lirë: A i keni vizituar këta persona që të shihni se në çfarë kushtesh jetojnë?

Rao: Ne kemi një rrjet të mirë të monitoruesve. Po ashtu edhe një staf i Kombeve të Bashkuara ka vizituar këta njerëz të zhvendosur nëpër Kosovë. Por, siç e thash, përqëndrimi ynë nuk është vetëm te njerëzit e zhvendosur në Kosovë, por edhe te ata që janë kthyer nga vendet tjera të rajonit. Pra, po, ne monitorojmë si dhe sigurojmë ndihma dhe mbështetje legale për këta persona, si dhe i ndihmojmë ata në lidhje me dokumentacionin personal. Avokojmë me komunitetin ndërkombëtar që të kemi projekte të qëndrueshme, për sigurimin e strehimit dhe sigurimin e mjeteve për jetesë.

Radio Evropa e Lirë: Ju përmendët edhe personat e zhvendosur jashtë Kosovës. Sa është numri i të zhvendosurve në Serbi e Mal të Zi?

Rao: Është e vështirë të thuhet se sa persona janë zhvendosur nga Kosova si rezultat i konfliktit, por për momentin UNHCR llogaritë se ka rreth 107 mijë veta të zhvendosur që ende kërkojnë zgjidhje. Rreth 88 mijë janë në Serbi, mbi 1 mijë e 400 në Mal të Zi dhe rreth 617 persona në Maqedoni.

Pra, këto janë shifra të publikuara për të cilat po flasim. Por, kur flasim për zgjidhjen, kthimi natyrisht që është e drejtë parësore e këtyre njerëzve dhe se ata duhet të zgjedhin nëse duan të kthehen. Por, atyre duhet t’u mundësohet të kthehen duke u ofruar kushte socio-ekonomike, si dhe duke i adresuar shqetësimet që ndërlidhen me sigurinë dhe çështjet pronësore.

Mendoj se jo shumë njerëz duan që të kthehen. Sivjet kemi parë një numër mjaftë të vogël të kthyer në Kosovë.

Përkrahja jonë është që si pjesë e kthimit të mundësohet që një pjesë e këtyre njerëzve të zhvendosur të integrohen edhe nëpër vendet ku janë, qofshin në Serbi, në Mal të Zi apo Maqedoni. Ata duhet të ndihmohen dhe përkrahen për t’u integruar lokalitetet ku ndodhen.

Radio Evropa e Lirë: Cili është mendimi i juaj, sa është Kosova e gatshme të pranojë kthimin dhe ri-integrimin e këtyre personave të zhvendosur?

Rao: Në disa raste autoritetet e Kosovës i kanë ftuar këta njerëz që të kthehen. Pra, definitivisht ka vullnet te autoritete e Kosovës për kthim dhe këtë e kanë bërë këto 16 – 17 vitet e fundit. Ne i kemi mbështetur autoritetet qeveritare dhe së bashku kemi mundësuar kthimin e mbi 27 mijë personave, ndonëse natyrisht që një numër i madh i tyre vazhdojnë të qëndrojnë në zona ku janë zhvendosur. Me siguri që zgjidhja për ta është ri-integrimi lokal, por edhe për ata që duan të kthehen jam i sigurt që autoritetet janë të gatshme të lehtësojnë kthimin e tyre.

Por, ajo që kërkohet është një ndërveprim i duhur i projekteve dhe një angazhim edhe më i madh i autoriteteve të Kosovës, me një përfshirje politike, ngase kjo është një çështje e ndjeshme politike, kështu që një angazhim më i madh i autoriteteve të Kosovës është i nevojshëm.

Radio Evropa e Lirë: A konsideroni që çështja e personave të zhvendosur mund të jetë një nga temat e dialogut që po zhvillojnë Prishtinë dhe Beogradi në Bruksel?

Rao: Çështja e kthimit është po aq e ndjeshme sa edhe temat tjera që po diskutohen tani në agjendën e dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Por, ne e kuptojmë se për momentin ka shumë çështje me të cilat po ballafaqohen, kështu që kthimi nuk është prioritet e kësaj pjese të dialogut. Sidoqoftë, ajo që UNHCR po angazhohet është që të kemi një forum dhe të lehtësojë takimin e palëve që të ulen së bashku dhe të diskutojnë çështjen e kthimit.

Më 2014 kishim një nismë nga UNHCR dhe OSBE ku në disa raste i mblodhëm qeveritë në nivele të ndryshme që të diskutojnë këtë çështje. Kurse tani kemi planin e veprimit, i quajtur procesi i Shkupit. Procesi i Shkupit ka adresuar disa plane veprimi dhe çështje si ato të pronës, të sigurisë, të dokumenteve personale, menaxhimin e të dhënave, planifikimin, e tjerë. Shumë nga këto çështje janë diskutuar në detaje gjatë takimeve dhe më pas grupet teknike kanë dalë me plane veprimi. Kështu që tani u takon qeverive të tregojnë se sa janë të gatshme të lëvizin përpara në lidhje me këtë çështje.

Radio Evropa e Lirë: Dhe për fund, cilat janë rekomandimet e juaja për autoritetet e Kosovës në lidhje me kthimin, si dhe rekomandimet edhe për Qeverinë e Serbisë, po ashtu?

Rao: Kur flasim për Kosovën, misioni i UNHCR-së në Kosovë bashkëpunon ngushtë me Ministrinë për Kthim dhe Komunitete. Ka një angazhim dhe përkushtim të madh të ministrisë, ndonëse nuk do t’i nënvizoja vetëm ministritë, pasi që puna më e madhe është kryer nga komunat dhe autoritetet tjera relevante.

Kurse sa i përket Serbisë, mendoj se nuk është në mandatin tim që të them se çfarë duhet të bëjnë autoritetet e atjeshme. Por, nëse u kthehemi dëshirave të personave të zhvendosur, ne e kuptojmë që shumica e këtyre personave do të dëshironin që të integrohen aty, në lokalitetet ku jetojnë tani. Andaj mendoj se ky preokupim duhet të adresohet nga qeveritë përkatëse. (REL)

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG