Tri partitë kryesore shqiptare në Mal të Zi do të garojnë me një listë të përbashkët në zgjedhjet parlamentare të 16 tetorit, me qëllim, siç është thënë, unifikimin e shqiptarëve në këtë shtet. Nik Gjeloshaj, deputet i Alternativës shqiptare në përbërjen e deritanishme të Parlamentit, thotë se koalicioni shqiptar do të bashkëpunojë me cilëndo shumicë që do t’i respektojë kërkesat e tij.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Gjeloshaj thotë se nuk beson se opozita pro-ruse malazeze ka shanse të fitojë pushtetin, ndërsa flet edhe për çështjen e demarkacionit të kufirit Mali i Zi – Kosovë.
Radio Evropa e Lirë: Zoti Gjeloshaj, sa të denjë e kanë shqiptarët e Malit të Zi përfaqësimin në institucione?
Nik Gjeloshaj: Shqiptarët në Mal të Zi kanë qenë shumë më pak të përfaqësuar në përbërjen e fundit të Parlamentit, pasi, pa vullnetin tonë, na janë hequr të drejtat që i kemi pasur. Nga katër deputetë, sa i kemi pasur më herët, kemi rënë në vetëm dy deputetë.
Radio Evropa e Lirë: Cilat të drejta ju janë hequr?
Nik Gjeloshaj: Me ligjin e vjetër zgjedhor ishte një njësi e vetme zgjedhore, ku zgjidheshin deputetët shqiptarë. Me ndryshimin e ligjit, kjo njësi e veçantë u hoq dhe sot garojmë njësoj sikur listat malazeze. Të gjitha votat e shqiptarëve mblidhen dhe ndahen në mandate. Herën e fundit kemi pasur rreth 12 mijë vota dhe kemi fituar vetëm dy deputetë. (v.j. Me Kushtetutën e Malit të Zi, një deputet zgjidhet me 6,000 vota).
Radio Evropa e Lirë: Javën e kaluar, Alternativa Shqiptare – parti së cilës i takoni edhe ju – ka nënshkruar marrëveshje me dy parti të tjera, Forcën dhe Unionin Demokratik të Shqiptarëve, për dalje të përbashkët në zgjedhjet parlamentare të 16 tetorit. Ju keni thënë se qëllim i këtij koalicioni është unifikimi i shqiptarëve në Mal të Zi. Si e mendoni unifikimin?
Nik Gjeloshaj: Unifikim politik. Forca dhe Alternativa Shqiptare kanë qenë të vetmet subjekte të përfaqësuara me deputetë në mandatin e kaluar të Parlamentit. Unioni Demokratik i Shqiptarëve është po ashtu një parti që ekziston për më shumë se dhjetë vjet në Mal të Zi. Bëhet fjalë pra për tri subjekte kryesore, kyçe… Nga to, në Tuz del kryetari i parlamentit lokal, në Ulqin kryetari i komunës, pastaj dy deputetë, kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar. Pra, kemi dashur t’i bashkojmë të gjithë shqiptarët përmes këtyre tri subjekteve që kanë mbështetjen më të madhe të popullit. Nuk e kemi menduar se kush do të jetë deputet, por me rëndësi është të dalim bashkë.
Radio Evropa e Lirë: Zoti Gjeloshaj, me kë do të pranonit të hyni në bashkëqeverisje?
Nik Gjeloshaj: I kemi kërkesat tona politike, të cilat janë shumë reale dhe në përputhje me të gjitha standardet demokratike, edhe ato të Bashkimit Evropian, të Shteteve të Bashkuara dhe të NATO-s. Ne jemi të orientuar të bashkëpunojmë me secilën shumicë parlamentare që do t’i plotësojë këto kërkesa.
Radio Evropa e Lirë: Cilat janë kërkesat, kushtet e juaja?
Nik Gjeloshaj: Shumica e këtyre kërkesave janë që 27 vjet (v.j. koha kur është futur sistemi shumëpartiak). Ato përfshijnë krijimin e Komunës së Malësisë me kompetenca të plota, shtimin e kompetencave në komunat e tjera (ku jetojnë shqiptarë) sepse ato janë shumë të limituara. Pra, mendoj se procesi i decentralizimit do të thotë demokratizim i shoqërisë. Kemi edhe disa çështje ekonomike, duke u nisur nga Ulqini dhe ligji për të mirat detare atje. Për ne është me rëndësi edhe ruajtja e dy lokacioneve në Ulqin: Valdanosi dhe Kryporja, si dhe ndërtimi i rrugës që lidh Tuzin me Plavën e Gusinë, e cila do të kalonte nëpër Shqipëri. Kjo është shumë me rëndësi për ne shqiptarët.
Radio Evropa e Lirë: Opozita pro-ruse në Mal të Zi është zotuar se do të tërheqë njohjen e Kosovës nëse vjen në pushtet. Cili mund të jetë roli i koalicionit shqiptar në këtë çështje?
Nik Gjeloshaj: Opozita pro-ruse, sido që të quhet, duhet të gjejë partnerë për të krijuar qeveri. Ne jemi të bindur se ajo opozitë që lëshon mesazhe të tilla populiste për të tërhequr trupin votues, nuk ka përkrahje tek opinioni që të fitojë shumicën dhe të formojë qeverinë. Sidoqoftë, ne si shqiptarë nuk do të mund të jemi kurrë bashkë me një opsion të tillë. Por, u lëmë derën hapur atyre që u përshtaten kërkesave tona. Deklarata (e opozitës) për Kosovën për ne është e papranueshme. Secili që mendon të bashkëpunojë me partitë shqiptare, duhet të heqë dorë nga ky populizëm, sepse Kosova e pavarur është realitet, është proces i pakthyeshëm.
Radio Evropa e Lirë: Deri tash, pavarësisht zgjedhjeve, është dëgjuar kryesisht zëri i Podgoricës zyrtare për çështjen e demarkacionit të kufirit me Kosovën. Ju si e shihni marrëveshjen aktuale të demarkacionit, e cila po kundërshtohet nga opozita në Kosovë?
Nik Gjeloshaj: Këtu në Mal të Zi nuk ka pasur shumë polemika për këtë çështje. Më shumë është diskutuar për atë se a do ta pranojë ose jo Kosova marrëveshjen. Unë mendoj se dy shtetet fqinje, Kosova dhe Mali i Zi, duhet ta zgjidhin çështjen me gjyq ndërkombëtar, i cili do ta definonte saktë dhe nuk do të linte dilema. (REL)
Facebook Forum