Ndërlidhjet

Kuvendi i Kosovës në shpërputhje me përgjegjësitë politike


Një nga seancat me gaz lotsjellës në Kuvendin e Kosovës, 26 shkurt 2016
Një nga seancat me gaz lotsjellës në Kuvendin e Kosovës, 26 shkurt 2016

Kuvendi i Kosovës e ka përmbyllur sesionin pranveror të tij përmes përplasjeve të forta ndërmjet pozitës e opozitës për çështje të ndryshme dhe me ndërprerje të shumta të punës, duke mos arritur të përmbushë detyrat e miratimit të ligjeve dhe pakove ligjore, për të cilat është thirrur.

Së shpejti Kuvendi hyn në pjesën e dytë ose vjeshtore të punës, me dilemat dhe problemet e njëjta. Me partitë e përçara mes vete, me përplasjet e forta që kanë ndikuar shumë herë që seancat të mbahen edhe në sallat alternative dhe me skenën e ndarë plotësisht.

Pavarësisht dominimit përmes numrave në Kuvend, partitë politike në pushtet nuk kanë arritur që në sesionin e parë të punës për këtë vit të miratojnë më shumë se 35 projekt ligje nga 135 syresh sa janë paraparë të realizohen.

Instituti Demokratik i Kosovës, i cili bën monitorimin e punës së Kuvendit të Kosovës, e konsideron të dobët punën e Kuvendit dhe në shpërputhje me përgjegjësitë që ka ky institucion për të shqyrtuar dhe miratuar ligjet dhe çështjet tjera.

Albert Krasniqi, nga Institutit Demokratik i Kosovës, tha për Radion e Evropa e Lirë se Kuvendi për këtë periudhë kohore ka qëndruar pasiv në ndërmarrjen e nismave nga deputetët e tij.

Ai tha intensiteti i mbajtjes së seancave plenare ka qenë shumë i vogël, për shkak të mosmarrëveshjeve politike dhe bojkotit të Kuvendit nga partitë politike opozitare.

"Vetëm 25% e agjendës ka arritur të plotësohet nga ana e Kuvendit, apo të miratohen 35 projekt-ligje. Njëzet të tjera kanë mbetur në procedura apo 14%, kurse 80 ligje të tjera nuk janë sjellë fare në Kuvend nga ana e Qeverisë", tha Krasniqi.

Anëtarët e Komisionit për Legjislacion në Kuvendin e Kosovës, si ata të partive në pushtet dhe atyre opozitare, thonë se në Kuvend janë paraqitur vështirësi në përmbushjen e agjendës legjislative.

Por, për Albulena Haxhiun nga Lëvizja Vetëvendosje, Qeveria e Kosovës ka dështuar të procedojë ligjet dhe si pasojë e kësaj, nuk janë miratuar shumë ligje të rëndësishme. Haxhiu i tha Radios Evropa e Lirë se mos miratimi i shumë ligjeve të rëndësishme është përgjegjësi e vet qeverisë. Sipas saj, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe të partive të tjera opozitare, në disa raste kanë penguar mbajtjen e seancave, për shkak të marrëveshjeve si ajo për Asociacionin e komunave me Shumicë Serbe dhe demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

"Edhe përkundër faktit që kemi një koalicion ose një mazhorancë prej 80 e më shumë deputetëve, ata nuk arrinin që të bënin kuorumin për të votuar projektligjet apo çështjet të cilat diskutoheshin në Kuvend. Pra, është dëshmuar që këta njerëz nuk kanë pasur vullnet politik për të ecur përpara. Këta njerëz vetëm kur bëhet fjalë për interesat e Serbisë apo të Malit të Zi, apo për interesat e tyre personale, dinë të jenë të zellshëm", tha Haxhiu.

Ndërkaq, deputeti nga radhët e LDK-së, Armend Zemaj, tha se krahas pengesave politike dhe njëkohësisht edhe neglizhencës se grupeve politike, shumë ligje nuk janë proceduar dhe as miratuar. Si rrjedhojë, tha ai, Kuvendi nuk ka arritur të përmbush sesionin pranveror.

"E para është se duhet të kemi kualitet të lartë të ligjeve, jo vetëm sa për numër, dhe kjo bie me shumë në fushë veprimtarin e sponsorizimit, ku shumica e ligjeve vijnë nga Qeveria.”

“E dyta, edhe pengesa e punës së Kuvendit e ka lënë nën hije përcjelljen e kësaj dinamike. Mbi të gjitha, kjo është vetëm njëra komponentë e punës së Kuvendit se është edhe mbikëqyrja dhe përfaqësimi i [interesave të vendit]", tha Zemaj.

Selvije Halimi, nga Partia Demokratike e Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se mungesa e opozitës në Kuvendin e Kosovës ka penguar përshpejtimin e procedurave legjislative. Sipas saj, Kuvendi ka miratuar ato ligje që janë proceduar nga Qeveria.

"Ka mangësi sa i takon punës më efektive të Kuvendit, mirëpo nuk do të thosha se ka mangësi sa i takon punës në komisione, apo në Kuvend sa i takon aprovimit të ligjeve. Unë mendoj që Kuvendi ka ecur me ligje ashtu siç i ka proceduar Qeveria. Dhe tash mendoj se ky sesion do të jetë më i bujshëm dhe do të obligohemi që më shpejt të arrijmë të përmbushim agjendën e qeverisë sa i përket legjislacionit", tha Halimi.

Që prej shpalljes së pavarësisë së saj në vitin 2008, Kosova ka hyrë në krizën më të thellë politike me përplasjet më të fuqishme deri sot ndërmjet pozitës dhe opozitës. Kuvendi shumë herë nuk ka arritur që të bëhet skenë e debateve dhe argumenteve të zgjidhjes së çështjeve. (REL)

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG