Ndërlidhjet

Rasti Grabovci – vepër e vjetruar apo ‘spektakël medial’


Adem Grabovci -
Adem Grabovci -

Bisedat e përgjuara të ish-shefit të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, përmes së cilave Adem Grabovci dyshohet të ketë kryer vepra penale, mund të mos rezultojnë me aktakuzë.

Njohës të çështjeve ligjore thonë se vepra penale mund të jetë vjetruar, qëllimisht, për të mos lejuar hapjen e procedurave ligjore ndaj zyrtarëve të përfshirë në bisedat e përgjuara, por edhe vetë zotit Grabovci.

E tëra varet, thonë ata, nga afati kohor kur janë kryer bisedat e përgjuara, që misioni i BE-së për sundimin e ligjit thotë se i ka bërë në rastin e Ministrisë së Transporteve në vitin 2011.

Prokuroria Speciale e Kosovës nisi pak javë më parë hetimet ndaj deputetit të Kuvendit të Kosovës, Adem Grabovci, për siç tha “shpërdorim të detyrës dhe ndikim mbi procesin e vendimmarrjes brenda institucioneve, agjencive qeveritare dhe ndërmarrjeve publike”.

Një numër shkrimesh u publikuan në mediet lokale të Kosovës, me përmbajtjen e bisedave të përgjuara të shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, në të cilat përfshihen edhe presidenti aktual, Hashim Thaçi dhe kryetar i Kuvendit, Kadri Veseli.

Misioni i EULEX-it tha se rasti duhet të trajtohet tani e tutje nga Kryeprokurori i shtetit dhe në një përgjigje të mëhershme për Radion Evropa e Lirë, tha se “ky nuk është rast i EULEX-it”.

“Vetëm në rrethana të jashtëzakonshme, pas marrëveshjes në mes të kryeprokurorit të EULEX-it dhe prokurorit të shtetit të Kosovës, siç është e përcaktuar me ligj, Këshilli Prokurorial i Kosovës mund t’iu caktojë raste të reja prokurorëve të EULEX-it”, thuhet në një përgjigje përmes postës elektronike të EULEX-it për Radion Evropa e Lirë.

Por, për specialistët e fushës, veprimi i EULEX-it në rastin e përgjimeve është, siç thonë, ‘skandaloz’ dhe prokurori i rastit duhet të jap përgjegjësi.

Ehat Myftaraj, hulumtues në Institutin Kosovës për Drejtësi, i tha Radios Evropa e Lirë se në kohën kur janë bërë përgjimet është dashur të merren masa, në mënyrë që dëshmitë brenda përgjimeve të trajtohen brenda afateve kohore”. Ai tha se edhe të gjitha veprimet që po ndërmerren nga kryeprokurori i shteti i takojnë, sipas tij, një ‘spektakli medial’.

“Kryeprokurori i shtetit e paragjykon këtë rasy, duke thënë se këto vepra penale mund të jenë parashkruar,edhe pse le mundësinë se ky rast mund të hetohet. Por, në anën tjetër është një mesazh për të gjithë prokurorët që mund ta trajtojnë dhe duhet kenë kujdes,pasi kryeprokurori tashmë e ka dhënë një mendim. Kjo i ngjan më shumë një loje se është duke u trajtuar si rast”, tha Myftaraj.

Për Arton Demhasajn nga organizata joqeveritare “Çohu”, presioni i opinionit publik, përmes protestave në rrugë, ka bërë që prokuroria e shtetit të fillojë hetimet, megjithëse thotë se nëpraktikë asgjë nuk po veprohet.

“Përgjimet janë, emrat po përmenden dhe nuk ka arsye të stërzgjatet. Por, mendoj se prokuroria është e ndikuar politikisht dhe ka njerëz që kanë hyrë në sistemin prokurorial, ashtu siç edhe dolën përgjimet. Kjo flet mjaft”, tha Demhasaj.

Për Ehat Myftarajn, ndërkaq, Adem Grabovci, në bazë të bisedave të përgjuara, kryen punën e postierit të shefave, duke ushtruar ndikim në zgjedhjen e militantëve në pozita kyçe dhe kjo, siç thotë ai, konsiderohet vepër penale dhe është dashur të ndiqet me kohë.

“Pa dyshim që nëse i dëgjojmë bisedat ka elemente të veprës penale, duke filluar prej ushtrimit të ndikimit, pabarazisë qytetare e vepra të tjera penale. Shihet qartë se ka elemente të veprës penale, e që kjo vepër ka qenë e dënueshme deri në tre vjet dhe në bazë të asaj kjo vepër penale tashmë është vetëm e parashkruar”,ka thënë Myftaraj.

Arton Demhasaj thotë se prokuroria nuk mund t’i konsiderojë si lëndë të vjetra, meqë paragjykon rastin, pasi që veprat janë të ndryshme.

“Prokuroria duhet të fillojë hetim,pasi ka bazë ligjore dhe ka vepra penale si keqpërdorim i detyrës zyrtare, ndikimi në punësim, e shumë vepra penale që kanë mundurtë kryhen, e që del përmes përgjimeve. Unë mendoj se duhet të fillojë hetimi nga prokuroria e për ato telefonata nuk munden me u parashkrua, pasi duhet bëhet një hetim penal dhe më pas të shihet se për çfarë vepra penale mund të akuzohet zoti Grabovci, e më pas duhet dalin në përfundim se a duhet akuzohet dhe më pas të ketë afat të parashkrimit”, tha Demhasaj.

Hetimet e filluara nga prokuroria e shtetit në rastin Grabovci ende nuk kanë dhënë një drejtim. Ajo që, megjithatë, është e qartë, është fakti se i gjithë rasti ka ndikuar që politikani Grabovci të jap dorëheqje nga detyra e shefit të Grupit Parlamentar. (REL)

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG