Ministrja për Dialog, në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri, ka demantuar lajmet se është duke u diskutuar çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në kuadër të dialogut teknik që po zhvillohet në Bruksel. Po ashtu, ministrja Tahiri ka demantuar edhe lajmin për formimin e ekipit menaxhues për Asociacionin.
Lajmi ishte konfirmuar nga ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal në qeverinë e Kosovës, Lubomir Mariq.
Bazuar në një deklaratë të lëshuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, thuhej se emërimi i ekipit menaxhues është bërë në përputhje me marrëveshjet e arritura në Bruksel dhe nën mbështetje të plotë të bashkëpunëtorëve ndërkombëtar duke përfshirë OSBE-në dhe përfaqësuesit e Bashkimit Evropian do të koordinojmë këtë proces në mënyrë adekuate dhe rregullisht do të informojmë opinionin publik për të gjitha aktivitetet.
Themelimi i këtij ekipi, thuhej se bazohej në marrëveshjen e arritur në kuadër të dialogut midis Prishtinës deh Beogradit në Bruksel.
Por, ndryshe kumtoi këtë informatë ministrja Tahiri.
“Dezinformatat që kanë dalë nga Serbia, se gjoja është formuar grupi punues apo menaxhues për Asociacionin, dua të them se kjo është një gënjeshtër e radhës e Serbisë, sepse grupi menaxhues është krijuar në vitin 2013, sipas Marrëveshjes së Brukselit dhe këtë grup e ka krijuar Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal të Republikës së Kosovës”, ka theksuar ministrja Tahiri.
Ky ekip, sipas saj, nuk është formuar nga Presidenti i Kosovës apo Kryeministri i Kosovës, ashtu siç e thotë komunikata e Qeverisë së Serbisë.
Më tej ministrja Tahiri ka thënë se ky ekip menaxhues është manipuluar nga Qeveria e Serbisë, të cilët i kanë sjellë në Bruksel dhe kanë provuar që të krijojnë takime në Bashkimin Evropian.
"Unë për këtë çështje kam biseduar me zyrtarët e BE-së, të cilët në fakt nuk i kanë pranuar në takime, dhe as që i kanë lejuar të hyjnë në ndërtesën e Bashkimit Evropian, sepse BE-ja e ka parasysh që Asociacioni nuk është në agjendë, dhe e ka parasysh që pa u plotësuar kushtet tona, pra pa e marrë Kosova kodin telefonik, si kusht i tretë ka qenë heqja e barrikadës që u hoq tani, nuk mund të zbatohet asnjë veprim për zbatimin e Asociacionit”, ka thënë Ministrja.
Me mbështetjen e Beogradit, por edhe te ministrit Mariq nga Qeveria e Kosovës, në Bruksel është prezantuar një ekip në përbërje, Vinka Radosavleviq, Igor Kallamar, Dejan Radojkoviq dhe Svetisllav Durlleviq, i cili thuhej se do të niste punën në hartimin e statutit të Asociacionit, mbi bazën e të cilit do të themelohet ky trup që do të mbledh dhjetë komunat me shumicë serbe.
“Ne jemi të kënaqur me vendimin final të Hashim Thaçit dhe kryeministrit Mustafa që më në fund, procesi i formimit të Asociacionit ka nisur nga pika zero. Ne kemi ardhur në Bruksel për t'i njoftuar bashkëbiseduesit tanë dhe opinionin ndërkombëtar me vizionin e një realiteti të ri, pozitiv në Kosovë që do të merren nga themelimi i Asociacionit”, thuhet në deklaratën për media të këtij ekipi.
“Të drejtat kolektive politike të serbëve në Kosovë jenë themeluar plotësisht më në fund me këtë vendim”, vijonte deklarata.
Ky ekip menaxhues është prezantuar të mërkurën dhe të enjten në Bruksel, ka konfirmuar ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal në Kosovë, Ljubomir Maric, i cili është edhe koordinator i të gjitha aktiviteteve nga ekipi, me institucionet e tjera.
"Këtë herë, ky proces me të vërtetë fillon me mbështetjen e plotë të qeverisë në Prishtinë dhe të gjithë faktorëve relevantë politikë, e cila është shumë e rëndësishme për ne”, ka ka thënë Mariq.
Por, në anën tjetër, ministrja Tahiri kishte një demant të ashpër ndaj këtyre pohimeve, ku bënte pjesë edhe një ministër i Qeverisë së Kosovës.
“Po ashtu unë me këtë rast ftoj të gjitha mediat e Republikës së Kosovës, që të kontaktojnë Bashkimin Evropian dhe të marrin njoftimet në lidhje me atë që fola unë e që do të konfirmohet nga Bashkimi Evropian”, ka theksuar ministrja Tahiri.
Tutje ajo ka shtuar se ekipi i prezantuar si menaxhues për themelimin e Asociacionit ende nuk ka marrë mandatin për të filluar punën, sepse nuk është vetëm ky grup që do të punojë për hartimin e statutit, por do të jetë ky grup menaxhues, do të jenë përfaqësuesit e Qeverisë në grup, OSBE-ja dhe BE-ja, zyra e BE-së në Kosovë.
“Autorizimin për fillimin e punës e jep Qeveria e Kosovës dhe ky autorizim ende nuk është dhënë sepse nuk janë plotësuar kushtet tona që lidhen me kodin telefonik dhe KOSTT-in", ka sqaruar Tahiri.
Ministrja Tahiri ka konfirmuar se në raundin e tashëm të bisedimeve, për të cilat gjenden në Bruksel, në agjendë nuk është Asociacioni, por janë tema tjera, për të cilat është njoftuar, si, lëvizja e lirë, përkatësisht reciprociteti në tabelat e automjeteve, kadastri, diplomat, vlerësimi për revitalizim dhe me datën 13 shtator, kodi telefonik shtetëror për Kosovën. (REL)
Facebook Forum