Ndërlidhjet

Qeveria shpreh keqardhje për incidentet në Mushtisht


Qeveria e Kosovës shpreh keqardhje për incidentet e dhunshme që kanë ndodhur të dielën në Mushtisht, kanë thënë për Radion Evropa e Lirë, zyrtarë të zyrës për komunikim me publikun nga Kryeministria.

“Qeveria e Kosovës respekton plotësisht të drejtën e çdo qytetari për protestë paqësore, për çfarëdolloj arsye, e ritheksojmë paqësore, si e drejtë themelore dhe e patjetërsueshme e shprehjes së mendimit dhe kërkesave publike. Po ashtu, Qeveria e Kosovës konsideron se kërkesat e qytetarëve për zbardhjen e plotë të të gjitha krimeve të luftës dhe dënimin e të gjithë kryesve të tyre, është plotësisht legjitime”, thuhet në një përgjigje të kësaj zyreje.

Mirëpo, po ashtu, Qeveria e Kosovës konsideron se çdo qytetar i Kosovës, pa marrë parasysh përkatësinë etnike, ka plotësisht të drejtë të kthehet në pronat e tij, në mënyrë të papenguar.

Kjo është e drejtë e garantuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, me të gjitha aktet ligjore, me konventat ndërkombëtare por është në përputhje me traditën, vullnetin dhe vizionin e popullit të Kosovës për bashkëjetesë paqësore. Ndërkaq, personat që kanë kryer krime gjatë luftës duhet të përballen individualisht me drejtësinë, thuhet në përgjigjen e kësaj zyreje për Radion Evropa e Lirë.

Policia e Kosovës është përplasur të dielën me një grup protestuesish shqiptarë në fshatin Mushtisht të Suharekës, të cilët kishin bllokuar hyrjen në përpjekje të parandalimit të pjesëmarrjes së pjesëtarëve të komunitetit serb, të zhvendosur, në një festë lokale fetare.

Për të shpërndarë turmën, Policia ka përdorur gazin lotsjellës dhe ka shoqëruar në polici 13 persona, të cilët thuhet se “kanë gjuajtur me mjete të forta në drejtim të Policisë”.

Autoritete e rendit kanë arritur që të lirojnë rrugën e bllokuar, mirëpo pjesëtarët e komunitetit serb, të cilët kanë pritur disa orë në tre autobusë, janë kthyer dhe nuk kanë hyrë në fshat.

Komandanti i Policisë Rajonale në Prizren, Nexhmi Krasniqi, për Radion Evropa e Lirë, ka treguar se protesta ka përfunduar, kurse katër pjesëtarë të policisë kanë mbetur të lënduar, si dhe disa qytetarë.

“Qytetarë ka të lënduar, por jo (të lënduar) nga Policia, por nga hedhja e pakontrolluar e gurëve nga protestuesit, sepse Policia e ka përfunduar punën në mënyrë profesionale. Policia e Kosovës ka hapur rrugën, por ata (serbët) në mënyrë vullnetare janë kthyer.Edhe pse klerikët i kanë përfunduar ceremonitë e festës. Nuk ka pasur asnjë problem, mirëpo pelegrinët që kanë ardhur nga Serbia në mënyrë vullnetare, janë kthyer”, ka thënë Krasniqi.

Lidhur me këto zhvillime, kanë reaguar edhe disa nga përfaqësuesit politikë në Prishtinë, por edhe në Beograd.

Zhvillimet e sotme në fshatin Mushtisht nuk i duhen Kosovës, ka thënë kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

Në një deklaratë të kryetarit, thuhet se këto zhvillime “ vetëm sa krijojnë mundësinë që të keqpërdoren prej atyre që duan ta pengojnë konsolidimin e shtetit të Kosovës dhe të krijojnë imazh negativ në botë për vendin tonë”.

“Plagët e luftës të Mushtishtit, ashtu si të gjithë Kosovës, janë plagë të rënda që kërkojnë drejtësi, por përgjegjësia gjithmonë është individuale e institucionale, e jo kolektive”, ka thënë Veseli, duke shtuar se “e drejta e praktimit të besimit fetar, liria e lëvizjes, e drejta e kthimit në pronën legjitime, për secilin qytetar, pa dallim përkatësie, janë të drejta themelore në Republikën e Kosovës.

Në anën tjetër, shefi i Zyrës për Kosovën i Qeverisë së Serbisë, Marko Gjuriq, kanë thënë se ngjarjet e sotme në Mushtisht tregojnë se sa “ ështëshpërthyese situata e sigurisë në Kosovë “

Serbët lokalë, që janë zhvendosur nga fshati Mushtisht që prej përfundimit të luftës, kanë paralajmëruar kthimin në fshat, më 28 gusht, me qëllim të pjesëmarrjes në një festë lokale ortodokse dhe kanë kërkuar njëkohësisht edhe krijimin e kushteve për kthim të qëndrueshëm në, siç thonë, “shtëpitë e tyre”.

Disa ditë para kremtimit të festës, në hyrje të fshatit u vendos një pankartë, të autorëve tash për tash anonim, me përshkrimin "Kjo është çka kanë lanë pas veti kur u larguan nga Mushtishti serbët lokalë“.

Pankarta e vendosur tregonte fotografitë e shtëpive të djegura të fshatit gjatë luftës në Kosovë.

Vendosja e pankartës shkaktoi një valë reagimesh të udhëheqësve politikë serbë, përfshirë edhe Ministrinë për komunitete dhe kthim. Reagimeve iu bashkua edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, nga radhët e Listës Serbe, Branimir Stojanoviq, që e dënoi "vendosjen e pankartës” dhe theksoi “përkushtimin për kthimin e serbëve në fshat".​

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG