Ndërlidhjet

Gazi lotsjellës largon investitorët e huaj


Një nga seancat me gaz losjellës në Kuvendin e Kosovës, 10 mars 2016
Një nga seancat me gaz losjellës në Kuvendin e Kosovës, 10 mars 2016

Jostabiliteti politik në Kosovë po ndikon edhe tek investitorët e huaj dhe nga kjo gjendje pasojat do t’i bart ekonomia e përgjithshme eKosovës, thonë ekspertë për çështje ekonomike, por edhe zyrtarë të qeverisë.

Kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), Besian Mustafa, për Radion Evropa e Lirë tha se gjatë takimeve me investitorë të interesuar për afarizëm me Kosovën, gjatë këtij viti nuk është përmendur situata politike si problem.

Por, vitin e kaluar, thotë ai, ka pasur raste që zhvillimet apo gazi lotsjellës në Kuvendin e Kosovës kanë penguar ardhjen e investitorëve të huaj në Kosovë.

“E kam fjalën për gazin lotsjellës që ishte në Kuvend gjatë vitit të kaluar, pamundësinë për të mbajtur mbledhjet e rregullta, për të shqyrtuar dhe miratuar ligjet e ndryshme, veçanërisht,siç ishte Ligji për Investimet strategjike. Në anën tjetër mund të them se nuk kemi ndonjë investitorë të madh, i cili është larguar nga Kosova për shkak të situatës politike në Kosovë”, thotë Mustafa.

Gazi lotsjellës në Kuvendin e Kosovës nga ana e opozitës është përdorur për shtatë muaj më radhë, duke pamundësuar në këtë mënyrë mbajtjen e seancave të paralajmëruara.

Vitin e kaluar, por edhe gjatë këtij viti, nuk kanë munguar as protestat e organizuara nga partitë opozitare, duke kundërshtuar Marrëveshjen për Demarkacion më Malin e Zi dhe krijimin Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Por, gjatë kësaj periudhe ka pasur edhe sulme ndaj ndërtesave shtetërore dhe veturave të personave zyrtarë.

Edhe ekspertë për çështje ekonomike pohojnë se situata politike vazhdimisht ka penguar ardhjen e investitorëve të huaj në Kosovë.

Naim Gashi, profesor në kolegjin ISPE, për Radion Evropa e Lirë ka thënë faktori kryesor që ka ndikuar në dekurajimine investitorëve të jashtëm,në 17 vitet e fundit, ka qenë jostabiliteti politik dhe ambienti jo i përshtatshëm ekonomik në vend.

“Sidomos ato (zhvillimet) në veriun e Kosovës, të cilat i kanë dekurajuar dhe frikësuar investitorët e jashtëm që të vijnë në Kosovë. Për arsye se synimi kryesor i tyre është që shkojnë dhe investojnë në vendet ku ka stabilitet afatgjatë politik, institucional, juridik dhe financiar.”

“Të gjitha këto kanë qenë arsye që ne kemi një numër jo të kënaqshëm të investimeve të jashtme në Kosovë”, thotë Gashi.

Të hyrat vjetore mesatare të investimeve të huaja, deri në muajin maj të këtij viti, janë mbi 70 milionë euro.

Kurse, sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, gjatë periudhës 2009-2013, investimetkanë qenë 400 milionë euro, por që shënuan rënie në vitin 2014, dhe atë në vetëm 151 milionë euro.

Derisa, në vitin 2015 investimet e huaja kanë qenë rreth 320 milionë euro.

Sidoqoftë, Besian Mustafa nga Agjencia për Investime, që funksion në kuadër të Ministrisë se Tregtisë dhe Industrisë, ka thënë se interesimi i investitorëve të huaj nuk mungon. Duke treguar se nga cilat shtete dhe për cilët sektorë interesimi paraqitet më i madh, ai tregon se investitorët potencial presin miratimin e Ligjit për Investimet Strategjike.

“Kemi një interesim të shtuar nga Gjermania, sidomos në sektorin e përpunimit të ushqimit, si dhe nga Amerika dhe Anglia në sektorin e shërbimeve, veçanërisht tek teknologjia informative dhe komunikuese”, shprehet ai.

Përndryshe, sipas të dhënave të Ministrisë se Tregtisë dhe Industrisë, numri i bizneseve me pronarë të huaj në Kosovë është 7,212, kurse shtetet që kanë investuar më së shumti gjatë vitit të kaluar në Kosovë paraqitet të jenë Zvicra dhe Turqia.

Patundshmëria dhe shërbimet financiare mbesin aktivitete më të preferuara për investitorët e huaj në Kosovë. (REL)

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG