Ndërlidhjet

Stojanoviq: Dialogu vetëm pas krijimit të Asociacionit


Branimir Stojanoviq
Branimir Stojanoviq

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Branimir Stojanoviq, tha të hënën në Prishtinë se dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit nuk mund të vazhdojë pa krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Sipas tij, zbatimi i marrëveshjeve të Brukselit, që parasheh krijimin e Asociacionit, është i domosdoshëm për vazhdimin e dialogut.

"Nga kjo pikëpamje, Asociacioni duhet të bëhet. Parti të caktuara në Prishtinë e kanë satanizuar Asociacionin dhe këtë e kanë bërë për shkak të interesave të ngushta politike. Jo pse Asociacioni nesër mund t’i bëhet dikujt ndonjë lloj kërcënimi. Ne e shohim vetëm si instrument që do t’u ndihmojë serbëve që të mbijetojnë“, tha Stojanoviq, duke nënvizuar se korniza e tashme në të cilën veprojnë serbët është e pamjaftueshme për mbijetesën e tyre.

Asociacioni i komunave me shumicë serbe është paraparë të krijohet bazuar në ligjet e Kosovës, me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, dhe për të njëjtin Prishtina e Beogradi janë pajtuar në gusht të vitit 2015.

Asociacioni është parë, nga partitë politike opozitare në Kosovë, si pengesë e funksionimit të Kosovës dhe i njëjti pas reagimeve të fuqishme është dërguar për vlerësim në Gjykatë Kushtetuese, e cila e ka cilësuar në disa pjesë të jetë në shpërputhje me Kushtetutën e vendit.

Asociacioni është kushtëzuar nga institucionet e vendit që të krijohet vetëm pas shpërbërjes së strukturave paralele në veri të Kosovës. (REL)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG