Ndërlidhjet

Thaçi: Mos dëgjoni pretendime të rreme për demarkacionin


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pak ditë përpara se të hidhet në Kuvend ratifikimi i marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, ka apeluar për votimin e saj.

“Unë ju ftoj të gjithëve të keni besim tek institucionet e Kosovës dhe te këshillat e partnerëve tanë euroatlantikë. Mos dëgjoni pretendimet e rreme të akterëve politikë, që për përfitime të ngushta personale e partiake janë të gatshëm të rrezikojnë interesat e shtetit, integrimet euroatlantike dhe aleancën tonë strategjike”, ka shkruar Thaçi në profilin e tij në Facebook.

Disa deputetë, kryesisht të opozitës, kanë thënë se nuk do të votojnë ratifikimin e kësaj marrëveshjeje, me pretendimin se një pjesë e territorit të Kosovës i ka takuar pa të drejtë Malit të Zi.

“Demarkacioni i kufijve me konsensus bilateral, siç e ka bërë Kosova me Malin e Zi, është një arritje e madhe në marrëdhëniet ndërkombëtare të një shteti, pasi kufijtë e pakontestuar garantojnë paqen, stabilitetin dhe fqinjësinë e mirë”, ka thënë Thaçi.

Ndaj kësaj deklarate ka reaguar Visar Ymeri, udhëheqës i Lëvizjes Vetëvendosje, partisë më të madhe opozitare.

"Natyrisht që mafiozët si puna e tij (v.j. presidentit Thaçi) nuk dinë ndryshe të kryejnë punë pos përmes kërcënimit, shantazhit, reketit, zhvatjes e mitos. Kështu e kapi shtetin, pastaj Presidencën. Tash kështu po do ta çojë deri në fund agresionin ndaj territorit", ka shkruar Ymeri në Facebook.

Presidenti Thaçi, edhe të enjten, u është drejtuar qytetarëve me një video-mesazh, duke kërkuar ratifikimin e demarkacionit.

Seanca e Kuvendit për këtë çështje pritet të mbahet më 1 shtator. Në të njëjtën ditë, Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar protestë.

Votimi i demarkacionit ka qenë kërkesë edhe e nënpresidentit amerikan, Joe Biden, i cili këtë javë ka vizituar Kosovën.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG