Partitë kanë intensifikuar kontaktet me gazetarët për zgjedhjen e katër anëtarëve të komisionit për mbikëqyrjen e raportimit të medieve gjatë periudhës para zgjedhore, ashtu siç parashihet me marrëveshjen e partive për kapërcimin e krizës politike.
Komisioni do të ketë pesë anëtarë; dy që do të propozohen nga opozita dhe dy nga pozita, ndërsa anëtari i pestë do të zgjidhet nga katër të tjerët. Ky komision do të funksionojë 100 ditë para zgjedhjeve, për të garantuar informim të balancuar dhe objektiv. Për shkeljet eventuale nuk do të ketë në dispozicion masa ndëshkuese, por do të informojë Agjencinë e Medieve, e cila në bazë të ligjit duhet të veprojë ndaj shkelësve të dispozitave në fuqi.
Por, se a do të sigurojë ky komision informim të drejtë është vështirë të parashikohet, duke marrë parasysh marrëveshjet në të kaluarën, të cilat nuk janë respektuar, apo edhe kanë dështuar ende pa nisur me punë komisione të ngjashme.
Disa nga njohësit e çështjeve mediatike thonë se një komision i tillë edhe më shumë do të politizojë sferën mediatike, duke marrë parasysh faktin se sërish partitë vendosin mbi atë se kush do të jetë pjesë e komisionit.
Zvedzan Georgevski, gazetar, thotë se për dallim nga më parë tani ka kontroll të dyfishtë partiak mbi mediet.
Ai thotë se puna e medieve duhet të kontrollohet nga vet gazetarët apo shoqatat e medieve, në të kundërtën, sipas tij, nuk mund të shpresojmë për informim objekti.
“Në parim ne, nga një kontroll një partiak i medieve, tani po kalojmë në kontroll dy partiak. Kjo nuk mund të quhet reformë, përkundrazi rritje e ndikimit mbi punën dhe pavarësinë e medieve. Partitë nuk kanë kredibilitet dhe kapacitet që të zgjidhin këtë problem pa pjesëmarrjen në bisedime edhe të gazetarëve, të pronarëve të medieve apo të opinionit në përgjithësi”, thotë Georgievski.
Nevoja për reforma në media u imponua si domosdoshmëri nga ajo që njihet si aferë e përgjimeve, e zbardhur nga opozita, e cila nxori në sipërfaqe ndërhyrjen brutale të partive ndaj punës dhe pavarësisë së medieve. Janë publikuar biseda mes politikanëve në pushtet, të cilët flasin për kurdisje të lajmeve, apo publikimin e aferave të ndryshme në bashkëpunim me media të caktuara.
Reformat parashohin ndryshime edhe në transmetuesin publik, me atë që kryeredaktori do të zgjidhej me propozim të opozitës.
Analisti Sasho Ordanovski thotë se transmetuesi publik, Radio Televizioni i Maqedonisë, duhet t'i nënshtrohet reformave të thella, por që kjo të bëhet, sipas tij, së pari duhet të ndërrohet pushteti.
“Për të funksionuar normalisht transmetuesit publik duhet që të bjerë pushteti i Nikolla Gruevskit. Kjo marrëveshje është rezultat i një situate aspak normale në vend. Demokracia në Maqedoni kohëve të fundit aspak nuk është në suaza të normales.”
“Ndoshta marrëveshjet e tilla do të kenë ndonjë efekt të pjesshëm, por ende jemi larg standardeve të pranuara ndërkombëtarisht. Uroj që marrëveshja me të cilën parashihet që kryeredaktori i televizionit shtetëror të propozohet nga opozita, me pëlqimin edhe të subjekteve tjera, të ofrojënjë informim të balancuar, që shumë kohë i mungon këtij televizioni që funksionin nga taksapaguesit”, thotë Ordanovski.
E gjitha procedura e kompletimit të komisionit duhet të përfundojë deri më 20 gusht, apo dhjetë ditë para takimit të liderëve të partive politike, më 31 gusht, të cilët duhet të konstatojnë nëse janë përmbushur ose jo pikat e marrëveshjes politike, përfshirë edhe këtë për mediet.
Në rast të vlerësimit pozitiv, atëherë nuk përjashtohet mundësia që të caktohet edhe data e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Si datë e mundshme përmendet 11 dhjetori, por nuk përjashtohen edhe data tjera, varësisht dinamikës së përmbushjes së kritereve të marrëveshjes së arritur. (REL)
Facebook Forum